Sipas akuzës, në të gjithë paragrafet dhe 17 faqet e vendimit, bëhen përpjekje nga ana e gjykatës për të justifikuar pse nuk duhet të caktohet masa e sigurimit “arrest në burg”. Por, ndërkohë nuk është argumentuar në këtë vendim, se pse masa e sigurimit “arrest në shtëpi” është ajo më e përshtatshmja në rastin konkret. I vetmi argument i përdorur nga gjykata e Apelit në këtë drejtim, pra që justifikon ndryshimin e masës nga “arrest në burg” në “arrest në shtëpi” është se: “…shtetasi Zijaj në vitin 2002, ka kryer një ndërhyrje mjekësore, e cila për nga lloji, është cilësuar si një gjendje e rënduar shëndetësore e këtij personi…”. Gjendja shëndetësore, është rrethanë lehtësuese përsa i takon caktimit të masës së sigurimit,…”. Nga ana tjetër, prokuroria shprehet se arsyetimi i mësipërm bie ndesh me praktikën e deri tanishme të gjithë pranuar, për trajtimin mjekësor të të arrestuarit në spitalin e burgut.
Rekursi i akuzës
Vendimi i Gjykatës së Apelit Vlorë, është dhënë në kundërshtim me dispozitat procedurale penale,posaçërisht me nenet 228,229,493,494 të 495 të Kodit të Procedurës Penale,me kriteret ligjore të përcaktuara posaçërisht nga këto dispozita në lidhje me përshtatshmërinë e secilës masë dhe shkallën e nevojave të sigurimit që duhen marrë në rastin konkret.
S’ka rrezik ikje
I gjithë vendimi i Gjykatës së Apelit vërtitet rreth argumentit të paraqitur nga mbrojtja se: "Shtetasi Vangjel Zijaj nuk është i ikur i drejtësisë. Ai ka jetuar lirisht në vendin tone, përkatësisht në qytetin e Fierit. Në ditën e arrestit, ky shtetas ndodhej në shtëpinë e tij, çka provon se ai nuk kishte qëllim për t’u larguar, apo për t'iu fshehur drejtësisë. Ky fakt, e bën arrestin e tij të ngutshëm provizor të OPGJ të paligjshëm.
Praktika vendase në kazuset, ku subjekti i kërkuar është shtetas shqiptar dhe nuk ka tentativë per t'iu shmangur drejtësisë, e ka çmuar arrestin e ngutshëm për qëllim ekstradimi të paligjshëm shih rastin Muja në Gjykatën e Apelit Shkodër. "Për rrjedhojë në të gjithë paragrafët dhe 17 faqet e vendimit bëhen përpjekje nga ana e gjykatës për të justifikuar pse nuk duhet të caktohet masa e sigurimit “arrest në burg”. Por, ndërkohë nuk është argumentuar në këtë vendim se pse masa e sigurimit “arrest në shtëpi” është ajo më e përshtatshmja në rastin konkret.
Ndërhyrja mjekësore
I vetmi argument i përdorur nga Gjykata e Apelit Vlorë në këtë drejtim, pra që justifikon ndryshimin e masës nga “arrest në burg” në “arrest në shtëpi” është se: “shtetasi Zijaj në vitin 2002,(pra dymbëdhjetë vjet më parë), ka kryer një ndërhyrje mjekësore (Cavernoma malformacion arterio-venoz, diagnostikuar me një epilepsi të gjeneralizuar, e cila për nga lloji, është cilësuar si një gjëndje e rënduar shëndetësore e këtij personi…. Gjendja shëndetësore, është rrethanë lehtësuese përsa i takon caktimit të masës së sigurimit…. Gjykata e Apelit Vlorë, arrin në përfundimin se caktimi i masës së sigurimit personal “arrest në shtëpi” është një masë e përshtatëshme në rastin konkret…”.
Argumenti i prokurorisë
Arsyetimi i mësipërm bie ndesh me praktikën e deri tanishme të gjithëpranuar po të kemi parasysh edhe qëndrimin e mbajtur në këto raste të konkretizuar edhe me vendimin Nr.367, datë 03.11.20001 të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë, vendim ky i përdorur në të gjitha rastet si argument edhe nga Gjykata e Apelit Vlorë. Sipas këtij vendimi “…jo gjithmonë gjendja shëndetësore (e të pandehurit) mund të jetë shkak për ndryshimin e masës së sigurimit. Gjendja shëndetësore e të pandehurit është nën kujdesin e spitalit të burgut, i cili është një organ i ngarkuar me ligj për trajtimin e personave që presin apo kanë marrë një vendim dënimi nga gjykata dhe që janë në gjendje burgimi apo paraburgimi….
Nuk ka rezultuar pamundësia e trajtimit të të pandehurit nga pikëpamja mjekësore nga personeli i spitalit të burgut apo nevoja për trajtim të specializuar e që nuk mund të ofrohet dot nga ky spital.” Përmendja nga ana e Gjykatës së Apelit si shkak mjekësor i një ndërhyrje mjekësore të kryer tek i arrestuari para 12 vjetësh, si shkak për ndryshimin e masës së sigurimit nuk ja vlen të komentohet. Pra, Gjykata e Apelit, edhe pse i ka përmendur në vendimin e saj kriteret që përcaktohen në nenin 229 të Kodit të Procedurës Penale,nuk i merr në korelacion përcaktimet që bëhen në pikën 2 të kësaj dispozite me rastin konkret, siç janë rëndësia e faktit, sanksioni që parashikon vepra konkrete, fakti që veprat penale janë kryer në bashkëpunim, vazhdimësia e kryerjes së tyre dhe përsëritja.
300 milion lireta
Në këtë kuadër duhet vënë në dukje se gjykatat italiane kanë dhënë tre vendime penale në ngarkim të shtetasit shqiptar Vangjel Zijaj, ku rezulton se ky shtetas është një person i dënuar gjithsej me 32 vjet dhe 6 muaj burgim, nga të cilat i kanë mbetur për të vuajtur 29 vjet,5 muaj dhe 27 ditë, dënim ky i dhënë për vepra penale me rrezikshmëri të theksuar shoqërore, të parashikuara të tilla edhe nga Kodi ynë Penal siç janë “trafikimi i lëndëve narkotike” heroinë në sasira të mëdha ,e vlerësuar rreth 300.000.000 lireta italiane si dhe “Prostitucion dhe pjesëmarrje në organizata kriminale”.
Vendimi kontradiktor
Vendimi i Gjykatës së Apelit është kontradiktor në vetvete, sepse ndonëse në shumë faqe arsyeton se nuk ekziston dokumentacioni i plotë që do të mundësonte caktimin e një mase sigurimi (arsyetim ky i pa mbeshtetur në provat e marrë në shqyrtim), e konsideron të drejtë vendimin e gjykatës së shkallës se parë për nevojën e caktimit të një mase sigurimi. Diferenca në vendim bëhet vetëm në llojin e masës së sigurimit që duhet të caktohet. Por siç përmendëm edhe më sipër, i vetmi kriter mbi të cilin është mbështetur gjykata në ndryshimin e masës së sigurimit është ai mjekësor, kriter ky që nuk qëndron.
Shkrimi u publikua sot (11.03.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)
Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com)