Ai pohon se ka pasur kontakte me parnerët për procesin e asgjësimit të armëve kimike. Ndërkohë që sipas “ANSA”-s, Bushati citohet të ketë thënë se “për vendimin përfundimtar është Kuvendi ai që e merr”. “Unë personalisht kam qenë në kontakt me partnerë amerikanë dhe europianë në këtë proces. Do t’ju lutesha shumë që para se të dalim me deklarata, siç dëgjova nga kreu i opozitës, të tregojë sens realizmi e përgjegjshmërie. Nuk bëhet fjalë se kemi një vendimmarrje, nuk kemi hyrë në çështje teknike, s’kemi hyrë në konsultime. Jemi në kontakte, siç kemi qenë për një rezolutë për Sirinë. Jemi kontaktuar siç ka qenë kontaktuar dhe zoti Bumçi. Nuk jemi në një proces që ka të bëjë me një vendimmarrje.
Jemi në këtë lloj fazë, nuk ka vend për alarm dhe nuk ka vend për të folur për legjislacion apo për konventa, sepse s’dihet ende në rast se do shkojmë në këtë proces”, tha Bushati. Teksa ka komunikuar me deputetët në komisionin e Jashtëm, ai ka nënvizuar faktin se si vend anëtar i Aleancës ka diskutuar për mundësinë e kontributit. “Jemi një vend anëtar i NATO-s, falë dhe kontributit tuaj dhe si vend anëtar jemi kontaktuar. Këtë kam thënë dhe për mediat franceze dhe mund t’ju them atë që i kam deklaruar ministrit në sintoni të plotë me aleatët amerikanë dhe europianë, jemi një ndër vendet që jemi kontaktuar për të parë mundësinë se ku mund të kontribuojmë, ku e çfarë mund të kontribuojmë në këtë operacion jashtëzakonisht i rëndësishëm, delikat, serioz, që s’ka të bëjë vetëm me popullin sirian, por me disa parime të rendit ndërkombëtar në të ardhmen”, tha Bushati.
Për akuzat se Shqipëria po luan mes SHBA e Evropës, ai tha se i neverit qëndrimet kur tentohet të flitet për diversion, pasi Shqipëria është modeste për të bërë një gjë të tillë. Për të është normale të kontaktohet, por Shqipëria s’do bënte në asnjë rast gjëra që do e dëmtonin atë vetë. “Është krenari për ne që jemi pjesë e kontakteve për një kontribut të mundshëm, që s’është as i vendosur, as i ravijëzuar. S’kemi asnjë kompleks”, tha Bushati.
Ilir Meta
Kryetari i Kuvendit Ilir Meta thotë se Shqipëria s’ka kapacitete për asgjësimin e armëve kimike. “Nuk kam besim se ne i kemi këto kapacitete, sepse përderisa vende të tjera më të mëdha dhe më të zhvilluara s’pranojnë se i kanë këto kapacitete, nuk mund të vazhdojmë më me teorinë që dy luanë ka bota. Absolutisht jo! Shqipëria është anëtare e NATO, ka detyrimet e saj e do marrë ato përgjegjësi që janë në gjendje të mbajnë supet e saj. Nuk mund të marr përgjegjësi, të cilat nuk i mbajnë supet e saj”, tha Meta.
Marko Bello
Ish-deputeti i PS Marko Bello tha se s’kemi mundësi të asgjësojmë armë kimike. “Qytetarët janë ndërgjegjësuar, nuk pranojnë që Shqipëria të bëhet vendi i eksperimenteve të shkatërrimit të lëndëve të rrezikshme kimike. Qeveria ndodhet në një pozicion të vështirë, duhet mirëkuptuar e mbështetur. Të bisedohet me aleatet (SHBA) dhe t'u shpjegohet se ne kemi qënë, jemi e do jemi përkrah tyre, por problemi i armëve kimike i kapërcen mundësitë tona dhe rrezikon jetën e të ardhmen tonë e të fëmijve tanë”, thotë Bello.
PR, Mediu:
“Kapaciteti ynë për armët kimike është zero”
Kryetari i PR, ish-ministër Mbrojtjeje dhe më pas Mjedisi thotë se nuk kemi asnjë mundësi të presim në Shqipëri armët kimike. “Kapacitetet tona fizike dhe njerëzore pothuajse janë nul nga kjo pikëpamje. Kapacitetet tona për trajtimin e armëve kimike janë pothuajse në nivelin minimal të tyre për të mos thënë zero. Forcat e armatosura të Republikës së Shqipërisë kanë qënë të përfshira në këtë proçes nga viti 2005 deri në vitin 2007. Kanë qënë thjeshtë forcat që kanë garantuar sigurinë e ambientit ku zhvillohet ky proçes”, tha Mediu në komisionin e Jashtëm.
Shkrimi u publikua sot (9.11.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)
Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com