Pas 7 muajsh anëtarët e Kolegjit Penal Edmond Islamaj, Shkëlzen Selimi, Artan Zeneli, Tom Ndreca kanë zbardhur arsyet pse hoqën masën e sigurisë “arrest në shtëpi” ndaj Fullanit ndërsa kryesuesi i këtij kolegji Aleksandër Muskaj në mendim pakice ka kundërshtuar kolegët duke kërkuar që ndaj Fullanit të mbesë në fuqi masa e arrestit.
Në pikën 33 të vendimit Kolegji Penal me 4 votat e shumicës shprehet se lënia i lirë e Adrian Fullanit nuk rrezikon prishjen e provave apo marrjen e provave të reja për të cilat organi i akuzës po heton, nuk paraqet rrezikshmëri shoqërore apo të përbëjë ndonjë rrezik të mundshëm për t’iu larguar dhe fshehur drejtësisë.
"Masa e sigurimit “arrest në shtëpi” e dhënë nga gjykata e apelit është e papërshtatshme pasi nuk i përgjigjet rrezikshmërisë së personit nën hetim Adrian Fullani, i cili jo vetëm që është një individ i respektuar në komunitetin ku ai jeton, ku për një periudhë dhjetëvjeçare ka drejtuar institucionin më të lartë financiar në vend, Bankën e Shqipërisë, por gjithashtu, ai nuk paraqet ndonjë rrezikshmëri të lartë shoqërore, apo të përbëjë ndonjë rrezik të mundshëm për pengimin dhe prishjen e procesit hetimor në ngarkim të tij, ashtu siç pretendohet nga ana e organit të akuzës", thuhet ne vendimin e zbardhur te Gjykates se Larte.
Nga momenti kur Ardian Fullani mundi te fitoje masen e sigurise "detyrim paraqitje" qe rrezoi ate te Apelit "arrest me burg" kane kaluar tashme 7 muaj. Eshte dashur kjo kohe e gjate qe Gjykata e Larte te zbardhe 51 argumentet rreth te cilave mori vendimin per te liruar Fullanin nga burgu.
Fullani eshte nen hetim per shperdorim detyre. Hetimet për Fullanin ende nuk janë mbyllur ndërsa sipas Kolegjit Penal ai duhet të paraqitet në prokurori për të dhënë shpjegimi vetëm 1 herë në muaj, çdo të hënë të muajit që nis në orën 10:00.
Vendimi i plote
Nr.61004-01438-00-2014 i Regj. Themeltar
Nr.00-2014-1975 i Vendimit (208)
V E N D I M
NЁ EMЁR TЁ REPUBLIKЁS
Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë i përbërë prej:
Aleksandër Muskaj Kryesues
Edmond Islamaj Anëtar
Shkëlzen Selimi Anëtar
Artan Zeneli Anëtar
Tom Ndreca Anëtar
në seancën gjyqësore të datës 05.11.2014, mori në shqyrtim çështjen penale që i përket:
KËRKUES: PROKURORIA E RRETHIT GJYQËSOR TIRANË.
PERSONI NËN HETIM: ADRIAN FULLANI
A K U Z U A R:
Për veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës”,
parashikuar nga neni 248 të Kodit Penal.
OBJEKTI:
Caktimin e masës së sigurimit.
Baza Ligjore: Neni 244 të Kodit të Procedurës Penale.
Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, me vendimin nr.1909 akti, datë 05.09.2014, ka vendosur:
Caktimin e masës së sigurimit personal ndaj të dyshuarit Adrian Jani Fullani, atë të “Arrestit në burg”, në mungesë, të parashikuar nga neni 238 i K.Pr.Penale.
Gjykata e Apelit Tiranë, me vendimin nr.1092, datë 15.09.2014, ka vendosur: Ndryshimin e vendimit nr.1909 akti, datë 05.09.2014 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, ligjëruar me vendimin e datës 07.09.2014 në këtë mënyrë:
Caktimin e masës së sigurimit “Arrest në shtëpi” të parashikuar nga neni 237 i K.Pr.Penale për personin nën hetim Adrian Fullani.
Detyrimin e personit nën hetim Adrian Fullani të mos largohet nga banesa e tij e ndodhur në këtë adresë: Kompleksi “Green Park”, nr.46, Tiranë.
Detyrimin e personit nën hetim të mos komunikojë me persona të tjerë me përjashtim të atyre që bashkëjetojnë me të.
Kundër këtij vendimi, më datë 09.10.2014, ka paraqitur rekurs Prokuroria e Apelit Tiranë, me anë të të cilit kërkon: Prishjen e vendimit penal nr.1092, datë 15.09.2014 të Gjykatës së Apelit Tiranë, si dhe lënien në fuqi të vendimit nr.1909 akti, datë 05.09.2014 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, që ka caktuar si masë sigurimi personal për personin nën hetim Adrian Fullani atë të “arrestit të burg” të parashikuar nga neni 238 i K.Pr.Penale.
Si shkaqe të rekursit, paraqet:
- Nuk i ka propozuar Këshillit Mbikëqyrës, Zëvendësguvernatorin e dytë të Bankës së Shqipërisë, duke krijuar një boshllëk në përmbushjen e detyrimeve të këtij funksioni, të parashikuara nga neni 11 i Statutit të Bankës së Shqipërisë, si detyrim që buron nga neni 44 i ligjit për Bankën e Shqipërisë.
- Theksojmë që detyrat dhe përgjegjësitë e Zëvendësguvernatorit të dytë të Bankës së Shqipërisë lidhen direkt me administrimin, mbikëqyrjen dhe zbatimin e akteve e procedurave të përdorimit të mjeteve financiare si dhe në drejtimin e përgjithshëm ekzekutiv dhe administrativ në Bankën e Shqipërisë.
- Në cilësinë e Kryetarit të Këshillit Mbikëqyrës, nuk ka ushtruar kompetencat e tij për propozimin e nismave juridike të funksionimit të Bankës së Shqipërisë si detyrim që buron nga vendimi i Këshillit Mbikëqyrës nr.13, datë 22.02.2006.
- Bazuar në vendimin e Këshillit Mbikëqyrës nr.13, datë 22.02.2006 “Për miratimin e rregullores për nxjerrjen e akteve juridike” në kapitullin e II, neni 5, pika 1, parashikon se “Nismën propozuese për hartimin e akteve juridike e kanë: Këshilli Mbikëqyrës..”
- Pra me nisjen e funksionimit të Departamentit të Emisionit, Këshilli Mbikëqyrës duhej të propozonte e miratonte rregulloret përkatëse për funksionimin e këtij Departamenti.
- Në vijim Kryetari i Këshillit Mbikëqyrës (Guvernatori i Bankës së Shqipërisë), përgjigjet për hartimin dhe zbatimin e vendimeve të miratuara nga Këshilli Mbikëqyrës, si përgjegjësi që parashikohet në nenin 9 të statutit të Bankës së Shqipërisë, miratuar me vendimin nr.100, datë 19.12.2000.
- Nga hetimet e kryera ka rezultuar se Departamenti i Emisionit deri në muajin mars të vitit 2014, ka funksionuar jo me rregullore të veçantë, por me urdhrin nr.1798, datë 06.11.2001. Ky urdhër nuk përcaktonte mënyrën e përdorimit dhe administrimit të çelësave aktiv dhe kodeve të kombinatorëve numerikë, nga ana e treshes “për veprim” dhe asaj të “arkës stok”.
- Nisur nga këto rrethana ka përfituar dhe personi nën hetim Ardian Bitraj, duke përvetësuar shuma të mëdha parash që gjendeshin në të dy arkat.
- Në cilësinë e Drejtorit të Përgjithshëm Ekzekutiv të BSH, nuk ka marrë masat e nevojshme ligjore për zbatimin e vendimeve dhe rregulloreve të Këshillit Mbikëqyrës, si përgjegjësi që parashikohet nga pikat “b”, “c” dhe “ç” të nenit 9 të Statutit të BSH, si dhe nenit 53 të ligjit për BSH,e konkretisht:
- Zbatimin e vendimeve të miratuara nga Këshilli Mbikëqyrës duke përfshirë zbatimin e politikave monetare..;
- Zbatimin e politikave të miratuara nga Këshilli Mbikëqyrës, për mbarëvajtjen e veprimtarisë së përditshme për administrimin e procedurave ekzekutive si dhe për qeverisjen e punëve administrative të veprimtarisë së Bankës së Shqipërisë;
- Koordinimin e punës në Bankën e Shqipërisë që të sigurohet zbatimi i vendimeve, rregulloreve dhe udhëzimeve me karakter të përgjithshëm të miratuara nga Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë.
- Vlen të përmendet mos marrja e masave për zbatimin e rregullores nr.741, datë 28.03.2014, gjë e cila ka ndikuar drejtpërsëdrejti në ardhjen e pasojës. Ky fakt është provuar nga këqyrjet e dokumentuara në ambientet e Departamentit të Emisionit, proces-verbali i pamjeve filmike si dhe tabela fotografike, pyetjet e të arrestuarve, etj.
- Pra Guvernatori i Bankës së Shqipërisë Adrian Fullani, nuk ka marrë masa për zbatimin e vendimeve dhe udhëzimeve të miratuara nga Këshilli i Mbikëqyrës, dhe moszbatimi i tyre ka ndikuar drejtpërsëdrejti në vjedhjen e Bankës së Shqipërisë.
- Në cilësinë e Drejtorit të Përgjithshëm Ekzekutiv të Bankës së Shqipërisë, Guvernatori është i ngarkuar me mbarëvajtjen e veprimtarisë së përditshme të Bankës, përgjegjësi të cilën nga analiza e hetimit të procedimit penal nuk e ka ushtruar.
- Bazuar në vendimin nr.82, datë 15.11.2006 të Këshillit Mbikëqyrës, për miratimin e rregullores “Mbi inventarizimin e vlerave materiale e monetare në Bankën e Shqipërisë” në nenin 8 të saj përcaktohen kriteret skualifikuese për anëtarët e komisionit të inventarizimit. Këtu shprehimisht thuhet “Nuk mund të përzgjidhen si anëtarë të komisionit punonjësit të cilët kanë marrë pjesë në komisionin paraardhës të ngritur për inventarizimin e vlerave të njëjta”.
- Në kundërshtim me këtë përcaktim të rregullores, guvernatori i Bankës së Shqipërisë, me urdhrin nr.2601, datë 10.12.2012 dhe urdhrin nr.2650, datë 02.12.2013 ka ngritur Komisionet për Kryerjen e Inventarizimit të Detyrueshëm Periodik të Vlerave Monetare në Bankën e Shqipërisë. Rezulton se në të dy këto komisione konstatohet caktimi i shtetasit Ilir Dedja për vitet 2012 dhe 2013 si anëtar komisioni për inventarizimin e “arkës për veprim”.
- Ne si organ akuze vlerësojmë së pari se ekzistojnë kushtet për caktimin e një mase sigurimi personal ndaj personit nën hetim Adrian Fullani. Në rastin konkret për personin nën hetim Adrian Fullani, ne si organ akuze me qëllim vlerësimin e vendimit lidhur me caktimin e një mase të përshtatshme, e cila do të garantojë nevojat e sigurimit, që lidhet me rrezikun që paraqet personi nën hetim Adrian Fullani, si Guvernator i Bankës së Shqipërisë, për të dëmtuar procesin e provave, mbajmë parasysh sa vijon: Fakti për të cilin ka filluar procedimi penal konsiderohet shumë i rëndë, referuar jo vetëm sanksionit që parashikohet për veprat penale që dyshohet të ketë kryer personi nën hetim Adrian Fullani, por edhe impaktin që ka pasur kjo në shoqëri.
- Personi nën hetim, Adrian Fullani, rrjedhimisht paraqet rrezikshmëri të lartë shoqërore, prandaj mendojmë ne se masa e sigurimit “arrest në burg” është më e përshtatshme nga çdo masë tjetër e sigurimit personal.
- Në përbërje të trupit gjykues kanë marrë pjesë gjyqtarët Sh. Miri, A. Bendo dhe A. Malaj. Kur është gjykuar çështja penale në ngarkim të personit nën hetim Gentian Jahja, pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë kanë marrë pjesë në gjykim mbrojtësit Maksim Ostreni dhe Bojken Bendo.
- Duke qenë se personi nën hetim Gentian Jahja është mbrojtur nga avokati Bojken Bendo, duke qenë gjithashtu se jemi përpara të të njëjtit procedim nr.5454/1014 dhe se personi Gentian Jahja është në bashkëpunim, mendojmë se gjyqtari Agim Bendo kishte pengesë ligjore për të marrë pjesë në gjykimin e kësaj çështje.
Kundër këtij vendimi, më datë 22.09.2014, ka paraqitur rekurs kërkuesi Adrian Fullani, nëpërmjet avokatit të tij mbrojtës, me anë të të cilit kërkon: Prishjen e vendimit penal nr.1092, datë 15.09.2014 të gjykatës së apelit Tiranë, me anën e të cilit është vendosur masa e sigurimit personal ajo e “Arrestit në shtëpi”, caktuar ndaj të arrestuarit Adrian Fullani, akuzuar për veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës”, vepër kjo e parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal.
Si shkaqe të rekursit, paraqet:
- Gjykata në vendimin e saj nuk mori në konsideratë faktin se organi i akuzës si në kërkimin e parë ashtu edhe tani, nuk paraqiti ekzistencën e një shkaku të rëndësishëm apo e një të dhëne që i arrestuari të vejë në rrezik marrjen ose vërtetësinë e provës apo provave lidhur me këtë ngjarje, kur tashmë dihet botërisht autori dhe mekanizmi i realizimit të vjedhjes nga ana e tij. Kjo aq më tepër që personi nën hetim ka qëndruar për një periudhë kohe të gjatë në detyrën e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë pas ngjarjes, tashmë të njohur të vjedhjes së Bankës së Shqipërisë.
- Është provuar që zoti Fullani në këtë pozicion jo vetëm që ka marrë masat paraprake në mënyrë institucionale, të cilat filluan me denoncimin e ngjarjes pranë organit kompetentë, duke qenë në vazhdimësi bashkëpunues, pa evidentuar në asnjë moment asnjë shkak apo rrezik në pengim të hetimit qoftë edhe në dëmtimin apo vënie në rrezik të provës.
- Pra, një pretendim i tillë si nga ana e organit të akuzës ashtu edhe i marrë në konsideratë nga ana e gjykatës, nuk qëndron, nisur edhe nga fakti se në kohën kur është marrë vendimi objekt i këtij rekursi, ndaj kërkuesit Adrian Fullani, ishte marrë vendimi nga Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë për propozim për shkarkimin e tij nda detyra, drejtuar Kuvendit të Shqipërisë, propozim i cili është votuar pozitivisht në Kuvend.
- Po kështu, është e panevojshme dhe e pakundërshtueshme por, juridikisht jemi të detyruar ta evidentojmë faktin se nuk ka asnjë të dhënë apo tendencë që i arrestuari Adrian Fullani të paraqiste rrezik për t’u larguar apo për t’iu shmangur dhe fshehur hetimit.
- Në vendimin e caktimit të masës së “arresti në shtëpi”, tashmë të caktuar ndaj të arrestuarit, nuk janë marrë në konsideratë nga ana e gjykatës në vendimin e saj të caktimit të masës, kriteret or caktimin e masave të sigurimit personal ashtu siç janë fiksuar në nenin 239, pika 1 dhe 2 të K.Pr.Penale. Konkretisht nuk janë mbajtur parasysh përshtatshmëria e masës të sigurimit personal, në rastin konkret ajo e “arrestit në shtëpi”, me shkallën dhe nevojën e sigurimit që duhet bërë ndaj këtij personi në çështjen në gjykim dhje për veprën konkrete për ët cilën ai akuzohet siç është ajo e të “Shpërdorimit të detyrës”, vepër kjo e parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal.
- Gjykata e apelit në vendimin e saj nuk morri në konsideratë kërkesën e rëndësishme ligjore që çdo masë sigurimi personal duhet patjetër të jetë marrë dhe vendosur në raport me rëndësinë e faktit dhe me sanksionin që parashikohet për veprën penale konkrete për të cilën akuzohet personi ndaj të cilit kërkohet masa, pra në këtë raste dhe në aspektin formalo juridik, kemi të bëjmë me një vepër e cila në diapozitivin e saj parashikon një dënim nga gjobë deri në shtatë vjet burgim.
- Caktimi nga ana e gjykatës në vendimin e saj të masës së sigurimit personal atë të “arrestit në shtëpi”, vendosur ndaj të arrestuarit Adrian Fullani nuk është një konkluzion i cili, përputhet me rrezikshmërinë e veprës për të cilën ai akuzohet dhe rrezikshmërisë dhe personalitetit të të arrestuarit. Dihet se kjo masë sigurimi personal është një nga masat ekstreme në tërësinë e masave të sigurimit personal pra, në tërësinë e masave ndaluese dhe shtrënguese dhe pikërisht për këtë shkallë ekstremiteti dhe represiviteti në legjislacionin procedural janë parashikuar kritere strikte të veçanta për caktimin e masës së arrestit në burg. Kritere këto që nuk janë marrë në konsideratë edhe në vendimin e marrë nga ana e gjykatës së apelit në rastin konkret.
- Tërësia e të gjitha argumenteve që ne parashtruam më sipër në këtë rekurs kanë gjetur përkrahje dhe janë në unison me të gjithë argumentimet në interpretim të kërkesave procedurale bërë nga ana e gjykatës së apelit në vendimin e saj me anën e të cilit është vendosur prishja e vendimit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë.
- Ndryshimi i vetëm për sa parashtruam në këtë rekurs ka të bëj me caktimin e një mase sigurimi që edhe ajo në vetvete është në kundërshtim me argumentet dhe kërkesat e ligjit procedural që çuan gjykatën e apelit në vendimin e saj të caktimit të masës së sigurimit personal atë të “Arrestit në shtëpi”. Aq më tepër kur është vetë kjo gjykatë që në argumentet e saj sjell në vëmendje ecurinë e praktikës gjyqësore të gjykatës së të Drejtave të Njeriut në zbatim të kërkesave të nenit 5, germa të Konventës për të Drejtat e Njeriut, ku në zbatim të saj gjykata me të drejtë ju referohet rasteve të gjykimit nga ana e asaj gjykate si rasti McGoff kundër Suedisë, datë 26.10.1984, si dhe në rastin Cicek kundër Turqisë, datë 27.02.2001.
KOLEGJI PENAL I GJYKATËS SË LARTË
pasi dëgjoi relacionin e gjyqtarit Edmond Islamaj; prokurorin M. Kullolli, i cili kërkoi prishjen e vendimit të gjykatës së Apelit dhe lënien në fuqi të vendimit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë; Avokatin M. Haxhia dhe A. Visha, të cilët kërkuan prishjen e vendimit të gjykatës së Apelit; e si e analizoi çështjen në tërësi,
V Ë R E N
A. Rrethanat e çështjes.
1. Në datë 21.07.2014, Prokuroria Tiranë, ka regjistruar procedimin penal nr.5454 për veprat penale të parashikuara nga nenet 135 e 248 të Kodit Penal, në ngarkim të punonjësve të Bankës së Shqipërisë Ardian Bitraj, Mimoza Bruzia, Dorian Çollaku, Bashkim Xhilaga, Petrit Ramohitaj, Myzejen Belba, Lavdim Cani, Liljana Kola, Dhimitër Davidhi, Gentian Jahja,Ilir Dedja, Emiljano Lamçe, Mehdi Marku, Bahri Allushi, Mehdi Molla, Fatbardha Gurthi dhe Klevis Bejtja, të dyshuar për kryerjen e veprave penale të “Vjedhje duke shpërdoruar detyrën”, “Shpërdorimit të detyrës” dhe “Moskallëzimi i krimit”.
2. Në datë 04.09.2014 është urdhëruar regjistrimi si persona nën hetim i shtetasve Adrian Fullani dhe Elivar Golemi, të dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Shpërdorimit të detyrës”.
3. Në janar të vitit 2013, Departamenti i Emisionit i Bankës së Shqipërisë është zhvendosur në repartin “X” në Linzë. Pjesë përbërëse e këtij departamenti janë dhe “Arka stok” dhe “Arka për veprim”, duke u shtuar edhe “Dhoma Transit” (Rondo). Ndërkaq vënia në funksionim të këtyre hallkave të departamentit të emisionit nuk është shoqëruar me miratimin e akteve nënligjore të nevojshme, si udhëzime dhe rregullore, duke vijuar funksionimin e tyre mbi bazën e akteve të mëparshme.
4. Rezulton se Departamenti i Emisionit në repartin “X” në Linzë, deri në muajin mars 2014, ka funksionuar në bazë të urdhrit të mëparshëm nr.1798, datë 06.11.2001, i cili nuk parashikonte mënyrën e përdorimit dhe administrimit të çelësave aktiv dhe kodeve të kombinatorëve numerikë të “Arkës Stok” dhe “Arkës për Veprim”. Në këto rrethana personi nën hetim Ardian Bitraj ka përfituar duke përvetësuar shuma të mëdha parash që gjendeshin në këto arka.
5. Prej disa vitesh pozicioni i zëvendësguvernatorit të dytë të Bankës së Shqipërisë është vakant si rrjedhojë e mungesës së propozimit të nevojshëm ligjorë nga ana e Guvernatorit.
6. Për këtë arsye, Guvernatori nuk i ka propozuar Këshillit Mbikëqyrës, Zëvendësguvernatorin e dytë të Bankës së Shqipërisë, duke krijuar një boshllëk në përmbushjen e detyrimeve të këtij funksioni, të parashikuara nga neni 11 i Statutit të Bankës së Shqipërisë, si detyrim që buron nga neni 44 i ligjit për Bankën e Shqipërisë.
7. Detyrat dhe përgjegjësitë e Zëvendësguvernatorit të dytë të Bankës së Shqipërisë lidhen direkt me administrimin, mbikëqyrjen dhe zbatimin e akteve e procedurave të përdorimit të mjeteve financiare si dhe në drejtimin e përgjithshëm ekzekutiv dhe administrativ në Bankën e Shqipërisë.
8. Po kështu, Guvernatori Adrian Fullani, në cilësinë e Kryetarit të Këshillit Mbikëqyrës, nuk ka ushtruar kompetencat e tij për propozimin e nismave juridike të funksionimit të Bankës së Shqipërisë si detyrim që buron nga vendimi i Këshillit Mbikëqyrës nr.13, datë 22.02.2006.
B. Procedura gjyqësore.
9. Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, me vendimin nr.1909 akti, datë 05.09.2014, ka vendosur:
- Caktimin e masës së sigurimit personal ndaj të dyshuarit Adrian Jani Fullani, atë të “Arrestit në burg”, në mungesë, të parashikuar nga neni 238 i K.Pr.Penale.
10. Gjykata e Apelit Tiranë, me vendimin nr.1092, datë 15.09.2014, ka vendosur: Ndryshimin e vendimit nr.1909 akti, datë 05.09.2014 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, ligjëruar me vendimin e dt. 07.09.2014 në këtë mënyrë:
- Caktimin e masës së sigurimit “Arrest në shtëpi” të parashikuar nga neni 237 i K.Pr.Penale për personin nën hetim Adrian Fullani.
- Detyrimin e personit nën hetim Adrian Fullani të mos largohet nga banesa e tij e ndodhur në këtë adresë: Kompleksi “Green Park”, nr.46, Tiranë.
- Detyrimin e personit nën hetim të mos komunikojë me persona të tjerë me përjashtim të atyre që bashkëjetojnë me të.
11. Kundër këtij vendimi, më datë 09.10.2014, ka paraqitur rekurs prokuroria e apelit Tiranë, me anë të të cilit kërkon: Prishjen e vendimit penal nr.1092, datë 15.09.2014 të Gjykatës së Apelit Tiranë, si dhe lënien në fuqi të vendimit nr.1909 akti, datë 05.09.2014 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, që ka caktuar si masë sigurimi personal për personin nën hetim Adrian Fullani atë të “arrestit të burg” të parashikuar nga neni 238 i K.Pr.Penale, duke parashtruar edhe shkaqet e cituara në pjesën hyrëse të këtij vendimi.
12. Kundër këtij vendimi, më datë 22.09.2014, ka paraqitur rekurs kërkuesi Adrian Fullani, nëpërmjet avokatit të tij mbrojtës, me anë të të cilit kërkon: Prishjen e vendimit penal nr.1092, datë 15.09.2014 të Gjykatës së Apelit Tiranë, me anën e të cilit është vendosur masa e sigurimit personal ajo e “Arrestit në shtëpi”, caktuar ndaj të arrestuarit Adrian Fullani, akuzuar për veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës”, vepër kjo e parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal, duke parashtruar edhe shkaqet e cituara në pjesën hyrëse të këtij vendimi.
C. Në lidhje me rekursin e paraqitur.
13. Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë në referim të ligjit procedural penal arrin në konkluzionin se vendimi nr.1092, datë 15.09.2014 i Gjykatës së Apelit Tiranë duhet të ndryshohet për sa i përket llojit të masës së sigurimit personal të vendosur ndaj personit nën hetim, Adrian Fullani.
14. Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Tiranë, mbi bazën e kallëzimit të të depozituar nga Banka e Shqipërisë, më datë 21.07.2014, ka regjistruar procedimin penal nr.5454/2014 për veprën penale të “Vjedhjes duke shpërdoruar detyrën”, parashikuar nga neni 135 i Kodit Penal, në ngarkim të shtetasit Ardian Bitraj dhe duke vazhduar më tej më të dyshuarit e tjerë, punonjës pranë Bankës së Shqipërisë, për veprat penale të “Shpërdorimit të detyrës dhe “Moskallëzim të krimit”.
15. Në vazhdim të këtij hetimi, janë regjistruar si persona nën hetim edhe shtetasit Adrian Fullani, Guvernator i Bankës së Shqipërisë, si edhe shtetasja Elivar Golemi, Inspektore e Përgjithshme e këtij institucioni, si të dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Shpërdorimit të detyrës”, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal.
16. Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, me vendimin nr.1909 akti, datë 05.09.2014, ka caktuar ndaj personit nën hetim Adrian Fullani masën e sigurimit personal “arrest në burg”. Kjo masë është ndryshuar nga Gjykata e Apelit Tiranë, duke caktuar ndaj personit nën hetim, masën e “arrestit në shtëpi”.
17. Kolegji Penal vlerëson se në caktimin e masës së sigurimit “arrest në shtëpi”, nga gjykata e apelit, nuk janë marrë parasysh kriteret e përgjithshme për caktimin e masave të sigurimit dhe rrethanat konkrete të çështjes.
18. Kolegji Penal, vëren se, si në rekursin e paraqitur ashtu edhe në qëndrimet e përfaqësuesit të organit të akuzës në këtë gjykim, është pretenduar ndër të tjera se personi nën hetim, Adrian Fullani, në kohën që ai ka ushtruar detyrën e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, nuk i ka propozuar Këshillit Mbikëqyrës, Zëvendësguvernatorin e dytë të Bankës së Shqipërisë, duke krijuar një boshllëk në përmbushjen e detyrimeve të këtij funksioni. Në cilësinë e kryetarit të Këshillit Mbikëqyrës, Guvernatori i BSH-së nuk ka ushtruar kompetencat e tij për propozimin e nismave juridike të funksionimit të Bankës së Shqipërisë. Në cilësinë e Drejtorit të Përgjithshëm Ekzekutiv të Bankës së Shqipërisë, nuk ka marrë masat e nevojshme ligjore për zbatimin e vendimeve dhe rregulloreve të Këshillit Mbikëqyrës. Po kështu, në cilësinë e Drejtorit të Përgjithshëm Ekzekutiv të Bankës së Shqipërisë, Guvernatori është i ngarkuar me mbarëvajtjen e veprimtarisë së përditshme të Bankës së Shqipërisë, përgjegjësi të cilën nga analiza e hetimit të procedimit penal rezulton se nuk e ka ushtruar.
19. Në lidhje për sa më sipër, shkaqet e sipërcituara nga organi i akuzës, kanë të bëjnë me veprimet apo mosveprimet e personit nën hetim, Adrian Fullani, të cilat janë të shtrira në një hark kohor disa vjeçar, siç është mos propozimi i Zëvendësguvernatorit të dytë, i akteve juridike pranë Këshillit Mbikëqyrës apo mos marrja e masave ligjore për zbatimin e vendimeve dhe rregulloreve të këtij Këshilli.
20. Banka e Shqipërisë, si një institucion publik ushtron veprimtarinë e saj në përputhje me ligjin nr.8269, datë 23.12.1997 “Për Bankën e Shqipërisë” të ndryshuar, dhe akteve nënligjore në zbatim të këtij ligji.
21. Aktet juridike mbi të cilat ka funksionuar Banka e Shqipërisë, kanë parashikuar qartë, detyrat, përgjegjësisë dhe kompetencat që i përkasin nivelit drejtues të këtij institucioni, duke nisur me Këshillin Mbikëqyrës, Guvernatorin, Zëvendësguvernatorët Bankës, e duke vijuar me pas me funksionet e tjera drejtuese dhe atyre zbatuese.
22. Në çështjen në shqyrtim, veprimet apo mosveprimet e personit nën hetim, Adrian Fullani, nuk rezultojnë të kenë shkaktuar pasojën e pretenduar nga ana e organit të akuzës. Në përputhje me frymën e ligjit “Për Bankën e Shqipërisë” të ndryshuar, Guvernatori ka të drejtën t’i propozojë Këshillit Mbikëqyrës, Zëvendësguvernatorët Bankës së Shqipërisë. Po kështu, në raste të tjera, ligji ka ngarkuar me përgjegjësi Guvernatorin për zbatimin e vendimeve të miratuara nga Këshilli Mbikëqyrës, që kanë të bëjnë me zbatimin e politikave monetare, drejtimin, kontrollin dhe mbikëqyrjen mbi administrimin e operacioneve të Bankës.
23. Në vijim, ligji “Për Bankën e Shqipërisë”, dhe rregullorja e brendshme kanë parashikuar rastet e vakancave të funksioneve drejtuese, duke parashikuar shprehimisht kalimin e kompetencave nga Guvernatori te Zëvendësguvernatori i Parë dhe në rast mungese të Zëvendësguvernatori të dytë, fusha e përgjegjësive që mbulohen nga ky i fundit kalojnë te Zëvendësguvernatori i Parë.
24. Sipas akteve të dosjes hetimore dhe asaj gjyqësore, ka rezultuar e provuar ekzistenca e akteve juridike, akte të cilat normojnë veprimtarinë e Departamentit të Emisionit, Departament në të cilin ka ndodhur vjedhja.
25. Gjithashtu, në përputhje me parashikimet e akteve juridike që normojnë dhe rregullojnë funksionimin e brendshëm të Bankës Qendrore, këto akte përcaktojnë Këshillin Mbikëqyrës si autoritetin për të ndërmarrë nismën propozues për hartimin e akteve juridike .
26. Nga ana tjetër, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Adrian Fullani, akuzohet për mos marrjen e masave për zbatimin e rregulloreve dhe akteve juridike, ku si rrjedhojë ky fakt ka ndikuar drejtpërdrejtë në ardhjen e pasojës, atë të vjedhjes së shumave monetare të “arkës stok” dhe “arkës për veprim”, pranë Departamentit të Emisionit.
27. Në vijim për sa më sipër, vërehet një lloj “mosmarrëveshjeje” për sa i përket akuzës së ngritur, ku nga njëra anë personi nën hetim, Adrian Fullani, në cilësinë e Guvernatorit të Bankës akuzohet për mos përmbushje të rregullt të detyrës, për shkak se nuk ka iniciuar përpara Këshillit Mbikëqyrës, propozimin e akteve juridike dhe, nga ana tjetër, persona të tjerë po në të njëjtin procedim penal, akuzohen për mos zbatim të këtyre akteve, duke cenuar si rrjedhojë veprimtarinë e Bankës së Shqipërisë, e cila solli si pasojë vjedhjen e një shume teje të konsiderueshme monetare.
28. Nga të dhënat e mësipërme, ky Kolegj e gjen jo të argumentuar dhe të pambështetur në ligj, parashtrimet e organit të akuzës, mbi të cilat mbështetet kërkesa për vendosjen e masës së sigurimit personal “arrest në burg”.
29. Po kështu, Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë vlerëson se vendimi nr.1092, datë 15.09.2014 i gjykatës së apelit Tiranë duhet ndryshuar dhe si masë sigurimi ndaj personit nën hetim, Adrian Fullani, të caktohet ajo e “Detyrimit për tu paraqitur në policinë gjyqësore”.
30. Organi i akuzës nuk ka bërë një analizë të shkaqeve se përse çdo lloj mase tjetër përveçse asaj të “arrestit në burg”, është e papërshtatshme. Neni 230/1 i K.Pr.Penale parashikon se: “Arresti në burg” mund të vendoset vetëm kur çdo masë tjetër është e papërshtatshme për shkak të rrezikshmërisë së veçantë të veprës dhe të pandehurit”. Po kështu, Gjykata e Apelit Tiranë, në caktimin e masës së “arresti në shtëpi”, ka anashkaluar kriteret ligjore të përcaktuara për caktimin e masave të sigurimit personal.
31. Kjo gjykatë (gjykata e apelit), gjithashtu nuk ka arritur të argumentoj se përse masa e “arrestit në shtëpi”, përshtatet me shkallën dhe nevojën e sigurimit që duhet caktuar ndaj personit nën hetim në lidhje me veprën për të cilën ai akuzohet, atë të “Shpërdorimit të detyrës”, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal.
32. Në vështrim të provave të mbledhura dhe të paraqitura nga organi i akuzës, ky Kolegj, pa dashur të hyjë në analizën e tyre në këtë fazë të hetimeve, në rastin konkret ka parasysh disa kritere për sa i përket ndryshimit të masës së sigurimit personal të caktuar ndaj personit nën hetim Adrian Fullani, si: Fakti se lënia i lirë e personit nën hetim nuk rrezikon prishjen e provave apo marrjen e provave të reja lidhur me provueshmërinë e elementëve të veprës penale për të cilat organi i akuzës po heton, nuk paraqet rrezikshmëri shoqërore apo të përbëjë ndonjë rrezik të mundshëm për t’iu larguar dhe fshehur drejtësisë.
33. Gjithashtu në vështrim të neneve 229 dhe 230 të Kodit të Procedurës Penale, masa e sigurimit “arrest në shtëpi” e dhënë nga gjykata e apelit është e papërshtatshme pasi nuk i përgjigjet rrezikshmërisë së personit nën hetim Adrian Fullani, i cili jo vetëm që është një individ i respektuar në komunitetin ku ai jeton, ku për një periudhë dhjetëvjeçare ka drejtuar institucionin më të lartë financiar në vend, Bankën e Shqipërisë, por gjithashtu, ai nuk paraqet ndonjë rrezikshmëri të lartë shoqërore, apo të përbëjë ndonjë rrezik të mundshëm për pengimin dhe prishjen e procesit hetimor në ngarkim të tij, ashtu siç pretendohet nga ana e organit të akuzës.
34. Në vijim të kësaj premise, që nga muaji korrik 2014, kur është konstatuar vjedhja e shumave monetare në Departamentin e Emisionit dhe deri në muajin shtator kur është bërë ndalimi, personi nën hetim, Adrian Fullani, ka vazhduar të ushtrojë detyrën e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, periudhë gjatë të cilës është zhvilluar hetimi dhe është arritur në konkluzionin nga ana e organit të akuzës për marrjen në cilësinë e të pandehurit të Guvernatorit të Bankës, çka vendos në pikëpyetje kërkesën e prokurorisë për caktimin e masës së sigurimit, mbështetur kjo edhe në parashikimet e ligjit procedural penal për vendosjen e një mase sigurimi.
35. Kolegji Penal vlerëson se gjykata e apelit gjatë shqyrtimit të çështjes duhet të kishte mbajtur në konsideratë faktin që masa e sigurimit personal caktuar ndaj personit nën hetim, Adrian Fullani, duhet të jetë midis një raporti të drejtë, të rëndësisë së faktit dhe sanksionit të parashikuar nga dispozita penale.
36. Kolegji Penal në analizë të pretendimeve të paraqitura në rekurs, si edhe në qëndrimet e mbajtura nga përfaqësuesi i akuzës, çmon se personi nën hetim, Adrian Fullani, nuk paraqet ndonjë rrezik të mundshëm për sa i përket dëmtimit të procedimit hetimor, marrjen apo vërtetësinë e provave lidhur me ngjarjen nën hetim.
37. Rezulton se, në momentin që kjo çështje është marrë në shqyrtim nga Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë, personi nën hetim, Adrian Fullani, nuk është më në funksionin e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë.
38. Paralelisht, me procesin hetimor, ndaj personit nën hetim ka evoluar edhe procesi administrativ. Rezulton se në mbledhjen e datës 6 shtator 2014, Këshilli Mbikëqyrës, mbështetur në nenin 47, pika 2, germa “c” të ligjit “Për Bankën e Shqipërisë”, ka vendosur t’i propozojë Kuvendit të Shqipërisë shkarkimin e Adrian Fullanit nga funksioni i Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë.
39. Në vijim të kësaj kërkesa të paraqitur nga Këshilli Mbikëqyrës, Kuvendi i Shqipërisë, në seancën plenare të datës 18 shtator 2014, ka votuar shkarkimin e Adrian Fullanit, nga detyra që ai mbante si Guvernator i Bankës së Shqipërisë.
40. Pavarësisht faktit që personi nën hetim, Adrian Fullani, rezulton se ka qenë në shërbim të procesit hetimor, që me paraqitjen e kallëzimit pranë organit të akuzës për vjedhjen e konstatuar, me marrjen e masave disiplinore ndaj punonjësve të Bankës, si edhe me vënien në dispozicion të çdo kërkese të paraqitur nga ky organ (Prokuroria e rrethit gjyqësor Tiranë), pas marrjes edhe të vendimit nga Kuvendi i Shqipërisë, personi nën hetim, Adrian Fullani, ka humbur çdo akses në lidhje me administrimin, fshehjen apo dëmtimin e dokumentacionit ligjor pranë institucionit që ai ka drejtuar, dokumentacion i cili ka fuqinë e provës në çështjen nën hetim nga organi i prokurorisë.
41. Kolegji Penal vlerëson se masat e sigurimit sjellin një kufizim të lirive personale që parashikohen në Kushtetutë dhe në Konventat ndërkombëtare, duke cenuar të mirat dhe interesat më të rëndësishme dhe të çmuara të personit, siç janë liria personale, liria për të lëvizur dhe e drejta e pronës, si aspekte thelbësore këto të dinjitetit të njeriut.
Masa e sigurimit personal, e veçanërisht ajo e arrestit në burg, mund të justifikohet vetëm në praninë e një rreziku real për procedimin penal.
42. Në procesin penal, aplikimi i masave të sigurimit personal kërkon vërtetimin e “dyshimeve të arsyeshme” (neni 228 i K.Pr.Penale), të bazuar në prova. Bëhet fjalë për ato “prova”që prokurori duhet të grumbullojë gjatë zhvillimit të hetimeve paraprake, por të cilat formohen në gjendjen që janë aktet, pra të bazuara në materialin provues të grumbulluar deri në atë çast të caktuar e që mund të ndryshojë duke evoluar apo involvuar në bazë të pretendimeve të sjella nga prokuroria dhe nga mbrojtja.
43. Masa e sigurimit është e ndryshueshme ose e revokueshme në pritje të vendimit përfundimtar të themelit, në bazë të rezultateve hetimore, të cilat mund të konfirmojnë dyshimet e ngritura deri në atë çast apo t’i rrëzojnë ato dyshime fajësie të krijuara në bazë të akuzës së ngritur.
44. Masat e sigurimit bëjnë kufizimin e lirive dhe të drejtave themelore, veçanërisht lirisë personale në përputhje me parimin e përpjesëtueshmërisë dhe sakrificës sa më të pakët të nevojshme të cenimit së lirive themelore.
45. Në jurisprudencën e saj Gjykata është shprehur se: kushtet, kriteret dhe procedurat për caktimin, zbatimin, rivlerësimin, zëvendësimin dhe kontrollin gjyqësor mbi masat e sigurimit, veçanërisht atyre të arrestit, janë drejtpërdrejt të lidhura me respektimin e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut, konkretisht me lirinë e personit dhe se këto procedura duhet të kenë karakter gjyqësor dhe të sigurojnë garancitë e duhura sipas llojit të privimit të lirisë (shih vendimin nr.28, datë 23.06.2011 të Gjykatës Kushtetuese, vendim nr.40 datë 18.07.2012).
46. Në vendimin nr.19/2012, Gjykata Kushtetuese, ka vlerësuar se Gjykata e Lartë, bazuar edhe në Vendimin Unifikues nr.3, datë 27.09.2002 të Kolegjeve të Bashkuara, duhet të mbante një qëndrim të shprehur lidhur me pretendimin e cenimit të lirisë personale, sepse kontrolli i respektimit të standardeve kushtetuese nga gjykatat më të ulëta, është detyrë dhe funksion i kësaj Gjykate.
47. Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut në jurisprudencën e saj ka theksuar në mënyrë të vazhdueshme mjaftueshmërinë e një justifikimi dhe arsyetimi të përshtatshëm për sa i përket paraburgimit.
48. Kjo gjykatë, në një sërë rastesh ka deklaruar se arsyetimi i gjykatave vendëse do të konsiderohet gjithmonë i papërshtatshëm nëse është “abstrakt” ose “i bazuar në stereotipe” (çështja “Clooth kundër Belgjikës”, GJEDNJ 12.12.1991; çështja Yagci dhe Sargin kundër Turqisë; GJEDNJ 23.05.1995); Për sa i përket diskutimit të rrezikut të largimit, GjEDNj-ja gjithashtu ka deklaruar se ai nuk mund të matet vetëm në bazë të ashpërsisë së dënimit të mundshëm që personi rrezikon, por, duhet të vlerësohet duke iu referuar disa faktorëve të tjerë të rëndësishëm, si veçanërisht, karakteri i personit, morali i tij, shtëpia, profesioni, pasuria, lidhjet familjare dhe të gjitha lidhjet e tij me shtetin ku ai po ndiqet penalisht, si dhe lidhjet e tij ndërkombëtare (Çështja “Neumeister kundër Austrisë”, GjEDNj, 27 qershor 1968, para. 10; çështja “Smirnova kundër Rusisë”; çështja “Letellier kundër Francës”, GjEDNj, 26 qershor 1991, para. 43).
49. Duke marrë në konsideratë, kushtet dhe kriteret për caktimin e masave të sigurimit personal, sa më sipër, Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë vlerëson me vend që ndaj shtetasit Adrian Fullani, të caktohet masa e sigurimit personal detyrim për tu paraqitur në policinë gjyqësore”, parashikuar nga neni 234 i Kodit të Procedurës Penale.
D. Në lidhje me zgjidhjen e çështjes.
50. Vendimi nr.1092, datë 15.09.2014 i Gjykatës së Apelit Tiranë në lidhje me caktimin e masës e sigurimit personal “arrest në shtëpi” është marrë në zbatim të gabuar të ligjit procedural dhe si i tillë duhet të ndryshohet për këtë pjesë.
51. Kolegji Penal e gjen me vend për të ndryshuar vendimin e gjykatës së apelit e duke vendosur si masë sigurimi personal ndaj personit nën hetim Adrian Fullani, atë të “Detyrimit për t’u paraqitur në policinë gjyqësore”, të parashikuar nga neni 234 i Kodit të Procedurës Penale.
PËR KËTO ARSYE
Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë, mbështetur në nenin 249, të Kodit të Procedurës Penale,
V E N D O S I
Ndryshimin e vendimit nr.1092, datë 15.09.2014, të Gjykatës së Apelit Tiranë.
Caktimin si masë sigurimi për personin nën hetim Adrian Fullani atë të paraqitjes në policinë gjyqësore” një herë në muaj të hënën e parë të çdo muaji në orën 10.00.
Ngarkohet prokurori pranë Gjykatës së Lartë për zbatimin e këtij vendimi.
Tiranë, më 05.11.2014
MENDIM PAKICE
Unë gjyqtari Aleksander Muskaj, anetar i trupit gjykues nuk jam dakord me vendimin e gjykates (shumices) dhe shfaq kete mendim per zgjidhjen e çeshtjes:
Shumica eshte kontradiktore ne qendrimin e saj, ne lidhje me caktimin e mases se sigurimit "Detyrim per t'u paraqitur nëpolicinë gjyqesore", te parashikuar nga neni 234 i K.Pr.Penale.
Ne qendrimin tim, vendimmarrja e Kolegjit Penal te Gjykates se Larte eshte kontradiktore, pasi shumica ka caktuar nje mase sigurimi, ate te "Detyrimit per t'u paraqitur ne policine gjyqesore" te parashikuar nga neni 234 i K. Pr. Penale, nderkohe qe, duke iu referuar arsyetimit te Kolegjit, nuk ekziston asnje prej kushteve te veçanta te parashikuara nga neni 228/3 i K.Pr.Penale per caktimin e nje mase sigurimi.
Qe te mund te caktohet masa e sigurimit, Gjykata, perveç ekzistences se kushteve te pergjithshme duhet te verifikoje nese ekziston dhe nje nga kushtet e veçanta te parashikuara nga neni 228/3 i Kodit te Procedures Penale, qe jane:
Ø ekzistenca e shkaqeve te rendesishme qe vene ne rrezik marrjen ose vertetesine e proves;
Ø largimi i te pandehurit, ose rreziku qe ai te largohet;
Ø rreziku qe i pandehuri per shkak te rrethanave te faktit dhe te personalitetit te tij, mund te kryeje krime te renda ose te te njejtit lloj me ate per te cilin procedohet.
Shumica ka argumentuar se: "...ky Kolegj, pa dashur te hyje ne analizen e tyre ne kete faze te hetimeve, ne rastin konkret ka parasysh disa kritere per sa i perket ndryshimit te mases se sigurimit personal te caktuar ndaj personit nen hetim Adrian Fullani, si: Fakti se lenia i lire e personit nen hetim nuk rrezlkon prishjen e provave apo marrjen e provave te reja lidhur me provueshmerine e elementeve te vepres penale per te cilat organi i akuzes po heton, nuk paraqet rrezikshmeri shoqerore apo t'eperbeje ndonje rrezik te mundshem per t'iu larguar dhe fshehur drejtesise".
Sa me siper vihet re qe, nga ana e gjykates eshte caktuar nje mase sigurimi ne mungese te kushteve te veçanta te caktimit te saj. Pakica eshte e mendimit qe, nese Kolegji Penal i Gjykates se Larte (shumica) do te vleresonte, ashtu siç ka konkluduar qe, nuk plotesohen kriteret e nenit 228 te K.Pr.Penale, ne perputhje me percaktimet e kesaj dispozite, duhej te vendoste rrezimin e kerkeses se organit te akuzes, per caktim mase sigurimi personal me karakter shtrengues ndaj personit nen hetim Adrian Fullani.
Mirepo, ne kushtet kur Kolegji Penal i Gjykates se Larte (shumica), vendos qe personit nen hetim Adrian Fullani t'i caktohet mase sigurimi personal me karakter shtrengues, pakica ka mendimin qe masa e zgjedhur nuk eshte caktuar ne perputhje me parashikimin ligjor te bere nga ligjvenesi ne dispoziten e nenit 229 te K.Pr.Penale.
Caktimi i nje mase sigurimi personal kerkon nje analize lidhur me pershtatshmerine e mases se sigurimit, me shkallen e nevojave te sigurimit qe kerkohen per rastin e dhene. Nevoja e sigurimit lidhen kryesisht me personalitetin e autorit te vepres, por edhe me rendesine e faktit penal te pretenduar te kryer.
Pakica eshte e mendimit se, vendimi i shumices (perderisa ka arritur ne konkluzionin qe ndaj personit nen hetim Adrian Fullani duhet te vendoset mase sigurimi personal me karakter shtrengues), eshte jo ne perputhje me ligjin e konkretisht ate procedural penal, persa i perket kushteve te pergjithshme e te veçanta per vendosjen e masave te sigurimit personal me karakter shtrengues, te parashikuara ne Titullin V, Kreu I, Seksioni I i K.Pr.Penale.
Detyre e gjykates ne caktimin e mases se sigurimit eshte te vleresoje si dhe te argumentoje pershtatshmerine e seciles mase me shkallen e nevojat e sigurimit te çeshtjes konkrete, referuar parashikimeve te nenit 229 te K.Pr.Penale. Ne nenin 229 te K.Pr.Penale percaktohet se: "...1. Ne caktimin e masave te sigurimit, gjykata mban parasysh pershtatshmerine e seciles prej tyre me shkallen e nevojave te sigurimit qe duhen marre ne rastin konkret. 2. Çdo mase duhet te jete ne raport me rendesine e faktit dhe me sanksionin qe parashikohet per vepren penale konkrete. Mbahen parasysh edhe vazhdimesia, perseritja si dhe rrethanat lehtesuese dhe renduese te parashikuara nga Kodi Penal...".
Ne rastin konkret, pakica ka mendimin qe, shumica nuk i ka patur parasysh kriteret ligjore te sipercituara pasi siç eshte percaktuar me siper, shumica ka arritur ne konkluzionin qe eshte e nevojshme qe ndaj personit nen hetim Adrian Fullani, duhet te caktohet masa e sigurimit personal me karakter shtrengues.
Ne kete kendveshtrim pakica ka mendimin qe, masa e zgjedhur nga Kolegji Penal i Gjykates se Larte (shumica) nuk i pergjigjet rendesise se faktit dhe eshte jo ne pershtatje me nevojat e sigurimit ne rastin konkret.
Duke patur parasysh sa me siper, pakica shfaq mendimin se, Kolegji Penal i Gjykates se Larte (shumica), duhej te vendoste:
"Lenien ne fuqi te vendimit nr.1092, date 15.09.2014 te Gjykates se Apelit Tirane, me ndryshimin qe te hiqen sanksionet e parashikuara nga pika 2 e nenit 237 te K.Pr.Penale.
Aleksandër Muskaj
Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)