‘Vendoret’/ Kandidatët e forcave politike në terren për bashkëbisedim me qytetarët

Kandidatët e forcave politike për betejën politike të 14 majit kanë dalë si çdo ditë të fushatës në terren.

Pothuajse të gjithë kandidatët kanë dhënë premtimet e tyre, vizionin e programet për 14 majin. Disa zgjidhnin të ishin më pranë qytetarëve duke lëvizur derë më derë ndërsa disa të tjerë në mbledhjet e zakonshme. Kur ka mbetur pothuajse një javë kohë përpara periudhës së heshtjes zgjedhore, kandidatët e forcave politike kanë dalë sërish në terren në takim me qytëtarët ku kanë

Kandidatja e PS për Durrësin Emiriana Sako, në takimin me banorë të Romanatit, tha se janë planifikuar investime në shumë rrugë të këtij fshati.

I ftuar në podcastin me kryeministrin Edi Rama, kandidati i PS për Sarandën Oltion Caci e quajti këtë bashki portën hyrëse të turizmit, duke premtuar ta shndërrojë atë në destinacion turistik për të 12 muajt e vitit.

Kandidati i BF për Tropojën Besnik Dushaj tha se pas 14 majit, Bashkia e Tropojës do të jetë kështjella që do të mbrojë tropojanët nga keqqeverisja.

Kandidati i koalicionit "Bashkë Fitojmë" për Lezhën Pashk Gjoni akuzoi në një takim me qytetarët, se fondet e bashkisë janë përdorur për fasada.

Kandidati socialist për Lezhën, Pjerin Ndreu, teksa i kërkoi sërish votën qytetarëve për një tjetër mandat, kërkoi ndëshkimin e koalicionit “Bashkë Fitojmë”.

Kandidati i PS për Korçën Sotiraq Filo prezantoi projektet e bashkisë për tu ardhur në ndihmë fermerëve.

Me premtimin për vëmendje të veçantë te bujqësia e blegtoria, Kandidati i “Bashkë Fitojmë” për Fier, Evdar Kodheli, u ndal në fshatin Vjosë.

Eduart Sharka, kandidati për kryetar bashkie në Lushnje, i koalicionit “Bashkë Fitojmë” u takua me mjekë e infermierë.

Kandidatja e PS për bashkinë e Lushnjës Eriselda Sefa zhvilloi takime me banorë të lagjes 18 Tetori duke premtuar urbanizim total të zonës.

Kandidati për Elbasanin Gledian Llatja u shpreh se gjatë këtij mandati janë bërë një sërë investimesh të rëndësishme që kanë krijuar një perspektivë të qartë zhvillimi në gjithë bashkinë.

Kandidati i “Bashkë Fitojmë” në Kamëz, Arjan Hoxha mori mbështetjen e aleatëve Mediu e Duka, të cilët u kërkuan strukturave të tyre votën për Hoxhën.

Kandidati i koalicionit “Bashkë Fitojmë” Admir Sinamati akuzoi se organet ligjzbatuese po rrinë të heshtura përballë fenomenit të shit-blerjes së votës.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 21:30
Gjiknuri, Kushi dhe Llatja takim me arsimtarët e Elbasanit: Më 14 maj votohet dhe për progresin e Arsimit! Rritja më e madhe e rrogave për mësuesit

 

Sekretari i Përgjithshën i PS, Damian Gjiknuri i shoqëruar dhe nga Ministrja e Arsimit dhe Sportit Evis Kushi dhe kryebashkiaku Gledian Llatja zhvilluan një takim me arsimtarët e Elbasanit. Teksa i cilësoi themeli i shoqërisë dhe kombit, numri dy i socialistëve nënvizoi se qeveria socialiste dhe Bashkia i kanë kushtuar një vëmendje të veçantë investimeve në asrsim.

“Jeni themeli i asaj që quhet komb, roli juaj në shoqëri është i jashtëzakonshëm. Nuk i bën dot shkollat pa mbështetje financiare. Realisht kushdo duhet ti jetë në njëfarë mënyrë mirënjohës kësaj qeverie e cila po e bën të mundur këtë. Dikush thotë, se ka edhe skeptikë, e ka për detyrë! Po mirë, detyrë e kishin dhe të tjerët, por nuk e bënë. Kjo qeveri po e bën dhe ky është realiteti. Në fund të fundit çdo qeveri duhet të vlerësohet për masat që merr. Në qoftë se ju sqaroni të tjerët që me votën e 14 majit kemi mundësi të shpërblejmë dhe këto politika të mira të qeverisë, unë them që është mesazhi i duhur për ta bërë këtë. Bëjeni për veten tuaj. Votoni edhe për progresin e arsimit dhe për çfarë është bërë për arsimin në Shqipëri dhe për atë çfarë do të bëhet më tej”, tha Gjiknuri. 

Ai shtoi se dhe rritja e pagave për arsimtarët është e mirëpritur. Numri dy i socialistëve komentoi dhe alternativën përballë. Ai thekoi se qytetarët dhe arsimtarët e kanë të qartë se kundërshtari nuk ofron asnjë politikë konkrete.

“Edhe alternativat përballë nuk janë domethënëse për ju. Po të bësh krahasimin me çfarë kemi përballë edhe këtu në Elbasan, nuk po flas për ato dy të mbaruarit e Tiranës se në fund të fundit ata janë si dy fosile politike që po mundohen të dalin në një realitet të ri politik po që nuk u ofrojnë asgjë shqiptarëve. Edhe atë që kanë sjellë këtu në Elbasan, kandidati kundërshtar, po ka një gjë që mbahet mend ai ishin politikat e kuadrit në arsim. Doni të vijë prapë po ajo kohë siç bëheshin politikat në arsim dhe ai ishte kryetar i Partisë Demokratike dhe kishte në dorë vulën dhe firmën bashkë me ata bedelët që administronin arsimin në atë kohë apo doni modele të tjera që i shikoni përditë? Mund të mos jenë modele perfekte, por janë si nata me ditën e atij modeli që unë këtu në Elbasan e kam dëgjuar. Alternativa përballë është një alternativë që nuk thotë asgjë për Elbasanin”, deklaroi ai.  Gjiknuri theksoi se ajo që ofron kundërshtari janë vetëm mashtrimet . “Doli pa pikë turpi kandidati kundërshtar dhe prezantoi në Elbasan ca programe që janë të gënjeshtërt. Si mund ti besosh një njeriu që merr një të huaj që flet anglisht, e nxjerr atje, nënshkruan dhe një marrëveshje kryetari i ri i bashkisë, status totalisht i panjohur se o je, o s’je, nënshkruan marrëveshje me 400 milion dollarë investime me një kompani që s’figuronte. Jo vetëm që është mashtrim, por mashtrim shumë i lirë. Duke qenë i lirë tregon që njeriu është fare pa integritet. Si mund ti besosh ti drejtimin e bashkisë? Si mund ti besosh politikat publike dhe fatin e mijëra qytetarëve të Elbasanit kur e fillon me një gjë kaq ordinere. Alternativa përballë është një alternativë komplet boshe”, deklaroi numri dy i PS-së.

Drejtuesi politik i qarkut nënvizoi se falë mbështetjes dhe të qeverisë shqiptare, Elbasani ka hyrë në rrugën e zhvillimit.

“Për Elbasanin Gledi ka projekte konkrete. Elbasani ka hyrë në një rrugë zhvillimi. Ka akoma nevojë për vëmendje më shumë. Por kjo vjen vetëm me mbështetjen e qeverisë shqiptare. Këto projekte të mëdha që po bëhen këtu patjetër do ta japin ‘frutin’ ekonomik për të gjithë qytetarët. Patjetër dhe për ju, por edhe për fëmijët tuaj që do të kenë një mundësi dhe një të ardhme më të mirë në Elbasan. Unë e kam bindje dhe e them: Elbasani ka avantazhe krahasuese që nuk duhen mohuar. Qënia afër kryeqytetit dhe afër afër bregdetit, i pozicionuar në qendrë ye Shqipërisë, me një infrastrukturë shumë të mirë energjetike do të krijojë mundësi zhvillimi që nuk i kanë të tjerët, shtoi më tej ai.

Ministrja e Arsimit dhe Sportit Evis Kushi u shpreh se mbështetja për arsimtarët do të vijojë, duke përfshirë dhe rritjen e pagave.

“Mandatin e kaluar ju jeni dëshmitarë se si pagat u rritën 32% , ndërkohë që në fillim të këtij mandati në vitin 2021 ne u angazhuam që brenda këtij  mandatit pagat e mësuesve do të rriten 40 %, por ne e kemi tejkaluar këtë angazhim, sepse falë reformave në ekonomi, ne kemi mundur të stabilizojmë buxhetin e shtetit dhe të garantojmë një pagë më të lartë edhe për mjekët, edhe për shumë profesione të tjera, por veçanërisht për mësuesit. Vitin e kaluar i rritëm pagat me 6%, këtë vit i rritëm me 7%, dhe vitin e ardhshëm do të jetë rritja më e madhe ndonjëherë këto vitet e fundit që varion nga 23 deri në 26% sigurisht në varësi të ciklit dhe të kualifikimeve dhe të gjithë atyre treguesve të tjerë që janë kriter për përcaktimin e pagës së një mësuesi. Në datën 14 Maj ne të votojmë Gledin dhe Partinë Socialiste. Jo si qëllim në vetvete, por për të vazhduar me këto reforma, për të vazhduar me mbështetjen e mësuesve,  për të vazhduar edhe me punët e mira për qytetin dhe projektet e mëdha për qytetin”, deklaroi Kushi.

Kryebashkiaku Llatja  u shpreh se këtë mandat janë bërë 6 shkolla, ndërkohë që puna vijon me të tjera institucione arsimore jo vetëm në qytet, por dhe në zonat rurale.

“Ne kemi bërë 6 shkolla këtë mandat, pavarësisht problemeve që kemi pasur me financat apo problemeve që na kanë ardhur nga tërmeti apo nga pandemia. Dy shkolla profesionale “ Sali Ceka” dhe “ Ali Myftiu” janë punë e bërë në këtë madat tonin, “ Onufri” është një tjetër shkollë e cila po rikonstruktohet totalisht “ Konstandi Kristoforidhi”, po ashtu një shembull i mirë, siç duam të bëjmë të gjithë gjimnazet tona. “ Jorgji Dilo” po ashtu është një shkollë fantastike, “ Bardhyl Popa”, po ashtu. Ne po zhvillojmë modelet e reja të klasave dhe të gjitha strukturat e reja që po bëjmë, janë me klasa sipas standarteve. Ne kemi bërë një super projekt për shkollën “ Naim Frashëri”, një projekt fantastik për shkollën e Treganit. Duam që këtë mandat të zhvillojmë infrastrukturat tona sportive dhe në të gjitha njësitë administrative, ashtu siç duam shkollën e Kuqanit, ashtu siç duam t’a bëjmë në njësinë administrative Gjergjan, ashtu siç duam të bëjmë në Bradashesh edhe në Papërr, të shtojmë terrenet sportive për nxënësit tone”, deklaroi kryebashkiaku Llatja.

Ora 16:07
Sako në Romanat të Durrësit: I gjetëm njësitë me borxhe nga qeverisja e PD, sot situata është ndryshe! Vota për të djathtën është kthim pas

Kandidatja e PS për bashkinë e Durrësit, Emiriana Sako, njëkohësisht kandidate e Partisë Socialiste për bashkinë e Durrësit, është shprehur në një takim me banorët e Romanatit se reforma teritoriale ka sjellë një situatë totalisht tjetër për njësitë administrative dikur ish bashki, duke bërë që investimet të jenë më të shumta dhe të prekshme nga banorët e zonave të ndryshme. 

"Disa vite pasi hyri në fuqi reforma territoriale, ne kemi tashmë pjesë të bashkisë Durrës edhe ish komunat që qeveriseshin nga Partia Demokratike. Në vitin 2015 i morëm këto njësi të zhytura në borxhe, ndërkohë që nuk kishin bërë asnjë investim, në rrugë, infrastrukturën arsimore, kanalizime apo ujin e pijshëm. Sot situata është krejt tjetër, kemi shlyer borxhet dhe investimet që kemi bërë janë të shumta dhe të prekshme nga banorët e çdo njësie administrative”-tha Sako. 

Mes të tjerash, ajo u shpreh se borxhet e mbarturave të ish komunave kapnin vlerën e 3.7 milionë dollarëve, që rënduan mbi taksapaguesit e Durrësit. Ndërsa theksoi se pritet të ketë investime të reja në infrastrukturë gjatë 4 viteve të ardhshme.

"Në fshatin Romanat është investuar në infrastrukturën rrugore, ndërkohë që janë evidentuar si prioritet shumë rrugë të tjera, me gjatësi afro 4 km që nisin nga ndërtimi që këtë vit. Kryebashkiakja Sako tha para banorëve të zonës se: “do të zgjidhim edhe problemin e ujit të pijshëm, ashtu siç kemi bërë në Sukth, Katund i Ri dhe njësi të tjera. Për fshatin Romanat është menduar që të shtrohet linjë e re e furnizimit me ujë të pijshëm për të zgjidhur një herë e mirë këtë problem. Të gjitha angazhimet që po marim këtu do të realizohen hap pas hapi dhe kur të vijmë herën tjetër, ju do ta shihni që ne e kemi mbajtur fjalën e dhënë”, - shtoi më tek kryebashkiakja Sako. Ajo shtoi se të gjitha punët e mira, investimet etj, janë punë që janë bërë nga Partia Socialiste, e cila e ka bërë Durrësin një qytet më të mirë, më të pastër, një qytet më të bukur dhe për këto aryse në duhet të ecim vetëm përpara dhe të mos shohim pas"-shtoi ajo. 

Sako iu drejtua iu bëri thirrje banorëve në zgjedhjet e 14 majit të votojnë numrin 2 dhe Partinë Socialiste, duke e cilësuar si të vetmen forcë politike që punon për zhvillimin e vendit.

Ora 14:10
Spahia me banorët e Zogajve: Rama gënjeu në mënyrën më të paskrupullt, ne kemi bërë kërkesa për rrugët, ata nuk financojnë

 

 

Sipas Spahisë, Bashkia Shkodër i ka kryer në kohë rekord lejet dhe çdo procedurë që i takon asaj, por investimet nuk kryhen sepse nuk ka fonde tha Spahia.

“Ne kemi bërë kërkesa ata s’kanë financuar. Doli dhe tha në Shkodër me paturpësinë më të madhe, në ditë dielli... sesi mund të dalë kryeministri të gënjejë me paturpësinë më të madhe se s’kemi dhënë leje këtë unë nuk e di. Çfardo personazhi qoftë, mjafton të jetë njeri nuk gënjen në atë mënyrë të paskrupullt. Ne i kemi dhënë të tëra lejet në kohë rekord.”- tha Spahia.

Banorët i shprehen shqetësimet e tyre Spahia për mungesën e certifikatave të pronësisë, rrjetin e amortizuar elektrik si dhe peshkimin e paligjshëm.

Programi i kandidatit Spahia për Zogajn parashikon ndërtimin e tregut të peshkut, rikonstruksion të qendrës së kësaj lagjeje, përmirësim të shërbimit të pastrimit, transportit publik etj. Banorët i dhanë mbështetjen kandidatit Spahia për garën e 14 Majit, duke shprehur bindjen tek fitorja.

Ora 14:09
Benet Beci me banorët e Shkodrës: Unë kam ardhur për punë jo për fjalime! Dera e Bashkisë do jetë e hapur, s’do ketë rrugë të pa asfaltuara

 

Kandidati i Partisë Socialiste për bashkinë Shkodër Benet Beci zhvilloi një takim me banorët e lagjes “Fermentim”. Banorët i shprehën disa prej problematikave me të cilat përballen çdo ditë.

Kandidati Beci në fjalën e tij deklaroi se Shkodra ka nevojë që të zhvillohet në të gjitha zonat dhe për këtë ka gati projektet për ndryshimin e qytetit.

“I kënaqur që kam mbështetjen tuaj. Këtu fillon puna, është më kollaj me fillu me punë sesa me fjalë. Nuk dua të bëj fjalime, dua të filloj punë. Janë këtu ,mundësitë dhe idetë. Ajo që duhet të bëjmë është të komunikojmë. Sot Shkodra për fat të keq është me dorë të dytë e të tretë. Shkodra brenda jashtë duhet të jetë i baraz zhvilluar kudo. Ju garantoj që do jem bashkëpunues me derë të hapur. Të gjitha asetet që janë, ne do ta nisim punën duke parë më mirë sesi do investojmë. S’do ketë më rrugë të pa asfaltuara.- tha Benet Beci. 

Kandidati Beci mori mbështetjen e banorëve të Fermentimit në zgjedhjet vendore të 14 majit.

Ora 14:03
Sako takim me banorët e Katundit të ri në Durrës: 500 milion lekë do të investohen për rikonstruksionin e rezervuarit dhe infrastrukturën e zonës

 

Njësia Administrative Katund i Ri ka ndryshuar rrënjësisht që me hyrjen në fuqi të reformës territoriale dhe tashmë pas disa vitesh ndryshimet janë të prekshme në infrastrukturën rrugore dhe ujin e pijshëm. Kështu është shprehur kryebashkiakja Emiriana Sako në takimin me banorët e Katundit të Ri duke shtuar se shumë familje përfitojnë strehim falas me programin e rindërtimit, ndërsa në shumë fshatra ka furnizim 24 orë me ujë të pijshëm.

“Kemi përfunduar mbi 96 shtëpi dhe jemi në përfundimin e të tjerave. Në lagjen e rindërtimit jemi në fazën e përfundimit. Do mund t’i japim sot shërbim mbi 16 mijë familjeve”- tha ajo.

Në këtë njësi administrative është investuar në infrastrukturën arsimore, ku dy shkolla janë ndërtuar të reja, ndërsa është gati nisja e punimeve për ndërtimin e shkollës “Isuf Hoti”. Përveç investimeve në rrjetin e energjisë elektrike 20 kilovolt, bashkia e Durrësit ka investuar duke përforcuar argjinaturën e lumit Erzen për parandalimin e përmbytjeve si dhe pastrimin e 6 km kanale të para dhe të dyta. Në programin e ardhshëm 4-vjeçar është parashikuar që edhe në këtë njësi administrative të hapet treg rajonal për fermerët e zonës që të depozitojnë produktet e tyre, ndërsa 500 milion lekë do të investohen për rikonstruksionin e rezervuarit dhe infrastrukturën e zonës.

Ora 12:10
Kandidati i PS-së për Korçën, Sotiraq Filo takim me banorët e Guskovës: Mbështetja për fermerët, prioritet i programit tonë

 

Në takimin me banorët e Goskovës në kuadër të zgjedhjeve vendore të 14 majit, kryebashkiaku Sotiraq Filo ka kërkuar besimin për një tjetër mandat pasi punët e bëra për fshatin do të ecin me ritme më të shpejta. Në fjalën e tij Filo prezantoi projektet e bashkisë për tu ardhur në ndihmë fermerëve me qëllim që fshati të plotësohet me infrastrukturën e duhur brenda mandatit të ri.

 “Në fshatin e Goskovës sa i takon ndërhyrjeve në infrastrukturë besoj se kemi bërë nje punë të mirë. Duke filluar nga projekti i ujësjellësit të fshatit që ka qenë një nga kërkesat tuaja të vazhdueshme. Për të vazhduar me ndërhyrje në kanalizime dhe asfaltimin e rrugëve të brendëshme të fshatit. Ndërkohë që presim të përmbyllim ndriçimin publik brenda pak kohësh. Është bërë punë shumë e mirë në projektet në ndihmë të fermerëve me rikonstruksionin e rrugëve të parcelave dhe pastrimin e kanaleve kullues e vaditës. Mendoj se projektet kryesore janë përfundimi i rrjetit të kanalizimeve dhe vijimi i projektit është sistemimi i rrugëve të brendëshme të fshatit. Do kemi mundësi më të mëdha në mandatin e ardhshëm pasi 90% e fondeve tona në infrastrukturë do t’i takojnë fshatit.”

Ora 12:08
Kandidati i koalicionit ‘BF’ Admir Sinamati takime me banorët e fshatrave të Kukësit: Prioriteti ynë, frenimi i shpopullimit

 

 

Në këtë bashkëbisedim, Sinamati tha se, në Gjegjën ndodhet një nga pasuritë më të mëdha nëntokësore në Shqipëri, që i ka dhënë vendit, por pabarazia sociale është shumë e madhe, duke jetuar në varfëri ekstreme jo vetëm banorët e Gjegjënit por edhe ato të Kukësit.Admir Sinamati nuk la pa përmendur edhe shit-blerjen e votës në Kukës, ku organet ligjzbatuese po rrinë në heshtje.

Nga Gjegjëni Sinamati u bëri thirrje Policisë dhe organeve ligjzbatuese, që të bëjnë detyrën që u takon dhe mos te merren me ruajtjen e banderolave diskriminuese.

Prioritet në qeverisjen e ardhshme të Bashkisë Kukës, Sinamati u tha banorëve të Gjegjënit është: uji i pijshëm, infrastruktura rrugore dhe aksesimi i tokave bujqësore për të ndërtuar mbikalimet e autostradës nëpërmjet koncensionarit.

Ndalesa e radhës e kandidatit Admir Sinamati ishte me banorët e Bardhocit.

Gjatë fjalës së tij, Sinamati u ndal veçanërisht te mungesa e investimeve gjatë katër viteve të fundit nga pushteti vendor për Bardhocin.

"Prioriteti ynë", shtoi Sonamati, "është frenimi i shpopullimit, rikthimi i shoresës dhe punësimit në Kukës, duke rritur konkurencën dhe meritokracinë.

Kanalizimet e ujërave të zeza, rrugët e brendshme të fshatit dhe uji i pijshëm do të jenë prioritet tjetër për fshatin Bardhoc.

Ora 12:06
Gjici në fshatin Çinamak: Brenda këtij viti do asfaltohet rruga e kërkuar prej 30 vitesh që lidh 3 njësi administrative! Nëse doni punë, ja ku më keni

 

Për fshatin Çinamak, Safet Gjici kandidati i Partisë Socialiste, premtoi qe brenda këtij viti do asfaltohet rruga e kërkuar prej 30 vitesh e cila bën te mundur lidhjen e tre njësive administrative, Kolsh, Surroj dhe Arren. Nder te tjera ai shtoi se kjo rruge tashme është miratuar ne Këshillin Bashkiak.

Gjici tha se demokratet nuk duhet te pranojnë qe votën e tyre ta dërgojnë tek Ilir Meta. Ndërsa për kandidatin e BF tha se ai s’mund t’ju ofroje asgjë kuksianeve veç mashtrimeve dhe gënjeshtrave.

Banoret e Çinamakes u shprehen se votat e tyre janë për Safet Gjicin, për rrugën dhe për njeriun e punës .

Ora 12:01
Gjiknuri dhe Llatja takime në Funar: Ecim përpara me investimet dhe me rritjen e pagave, opozita vijon me premtimet boshe

 

E pasur me pyje dhe me liqene, Funari është një nga bukuritë më të rralla të Bashkisë Elbasan, por edhe të vendit. Sekretari i Përgjithshëm i PS Damian Gjiknuri bashkë me kryebashkiakun Gledian Llatja kërkuan mbështetjen e banorëve të kësaj zone për të vijuar me investimet dhe për 4 vitet e ardhshme. “Gledi po i jep një vëmendje të veçantë Funarit si një nga zonat që në të ardhmen do të ketë një fluks vizitorësh për të parë ato bukuritë tuaja natyrore, për t’u kthyer në një vend që shumë vizitorë të huaj mund të vijnë. Natyrshëm që ka nevojë dhe për përmirësim të infrastrukturës dhe bashkë më Gledin po punojmë për planet e së ardhmes. Siç bëmë edhe energjinë elektrike që jam i bindur tashmë është shumë më e mirë se ç’ka qenë. Ka qenë një nga ato kërkesat tuaja të kahershme dhe më vjen mirë që gjatë mandatit të fundit të qeverisë socialiste edhe kjo gjë u realizua”, tha ai.

Numri dy i socialistëve theksoi se Bashkia e Elbasanit ka potenciale të mëdha. Ai u shpreh se 14 Maji do të çimentojë bashkëpunimin mes qeverisë dhe bashkisë për të realizuar projektet transformuese.

“ Në 14 Maj do na lindi detyra të ‘çimentojmë’ mirë marrëdhënien bashki e drejtuar nga Partia Socialiste – qeveri e drejtuar nga Partia Socialiste. Sepse pa mbështetjen e qeverisë do të ishte e vështirë që projektet të zbatoheshin. Pra po nuk patëm formacionin politik në krye të qeverisë që bashkëpunon me formacionin politik në bashki, të gjitha projektet bëhen të pamundura. Perspektiva e zonës është shumë e mirë dhe projektet e mëdha që kanë filluar do ta japin frytin patjetër dhe në njësinë tuaj. Patjetër dhe Gledi e ka treguar që e ka në vëmendje, ka treguar që di të bëjë projekte, madje së fundi kryeministri Rama u angazhua, i tha do të mbështes me 4-fish më shumë investime për Elbasanin në mandatin e dytë të qeverisjes vendore. Në qytet do të fillojnë shumë shpejt investimet për ujësjellës – kanalizime, investime për Poliklinikën e re që do rikonstruktohet. Veprat e mëdha pastaj që do të bëjmë me ‘By Pass-in’ e të tjera si këto”, nënvizoi Gjiknuri.

Gjiknuri, që është dhe drejtues politik i qarkut komentoi dhe alternativën përballë, për të cilin tha se po përgatit alibinë e humbjes. Gjiknuri u shpreh se qytetarët e Elbasanit e dinë se koha e tyre ka përfunduar tashmë. “Pala tjetër është vetëm. Të gjithë qytetarët e Elbasanit e dinë shumë mirë se çfarë do të thotë aleanca Berisha – Meta, aleanca e së shkuarës, aleancë që nuk i thotë asgjë zhvillimit. E dëgjuat atë zyrtarin e lartë të Departamentit të Shtetit që tha shqiptarët nuk duhet të votojnë mbrapa, ka përfunduar koha e Berishës. Dolën në mes të Elbasanit pa pikë turpi na shpalosën një program ekonomik për Elbasanin. Pa pikë turpi mori një të huaj atje bëri një marrëveshje 400 milion dollar dhe 3000 vende pune. Ai tjetri ishte investitor i madh nga Londra. Futesh në internet, ai dilte nga Bari, kishte një zyrë në Tiranë, kompania në Londër ishte fiktive. Pra shih çfarë niveli gënjeshtre. Ja ky është kandidati që kemi përballë. Prandaj them që kanë premtime boshe dhe nuk përfaqësojnë asgjë”, tha ai.

Teksa bëri thirrje për të votuar dhe për kandidatët socialist për në Këshillin Bashkiak, Gjiknuri deklaroi se vota më 14 maj është dhe konfirmim për politikat sociale të marra nga qeveria.

“Në 14 maj ne nuk votojmë thjesht për pushtetin vendor, por ne vlerësojmë vlerësojmë dhe politikat e qeverisë. S’duhet ti shkëpusim këto të dyja. Këtu dua të marr dy – tre komponentë të rëndësishëm. Politikat e rritjes së pagave që kanë filluar nga qeveria Rama janë politika shumë të mira shumë sociale. Nuk është thjesht se synojmë rritjen e pagës për të gjithë njerëzit, qoftë atyre në administratën shtetërore, për mjekët, për mësuesit, për profesione të ndryshme, por dhe në sektorin privat do të vijnë gradualisht dhe do të barazohen pagat. Por ky është dhe një investim për të mbajtur të rinjtë dhe të rejat këtu në vendin tonë për të ndërtuar të ardhmen këtu. Në 14 maj ne kemi mundësi që ta vlerësojmë me votë këtë në mënyrë që ta inkurajojmë më shumë qeverinë të shkojë në këtë drejtim të nisur”, tha Gjiknuri.

Kryetari i Bashkisë Gledian Llatja u shpreh se gjatë këtij mandati janë bërë një sërë investimesh të rëndësishme që kanë krijuar një perspektivë të qartë zhvillimi për Funarin. “Kemi bërë shumë punë të mira, përveç urave që kanë qenë nëpër fshatra, përveç mirëmbajtjes së rrugëve. Ne këtë vit do të rregullojmë pjesën e parë të rrugës ekzistuese. Në bashkëpunim edhe me Këshillin e Qarkut, brenda verës fillon puna edhe për rikonstruksionin e pjesës kryesore në Funar, do të vazhdojmë pastaj me projektin që kemi filluar me Fondin Shqiptar të Zhvillimit për rrugën e re në Dopaj. Ndërkohë kemi ecur me investime për ujësjellësin e Braneshit, kemi ecur me një sërë investimesh të vogla, por edhe të mëdha në Funar. Nuk i kemi bërë të gjitha ato që duhet të bënim, por ama kemi krijuar perspektivën e qartë të zhvillimit të Funarit. Funarin duam ta bëjmë një vend me ekonomi të qëndrueshme dhe ku të kemi një turizëm gjithëvjetor”, tha Llatja.

Kreu i Bashkisë së Elbasanit shtoi se në 4 vitet e ardhshme do të vijojë mbështetja për fermerët. “Në këtë mandat ne do të mbështesim të gjithë banorët të cilët duan ta kthejnë shtëpinë e tyre në bujtinë për të zhvilluar ekonominë e tyre lokale. Ne këtë mandat të ri po bëhemi gati për një zhvillim të madh në qytet, të bëjmë katër herë më shumë punë seç kemi bërë këtë mandat me kaq shumë probleme. Do të vazhdojmë mbështetjen me zonat rurale, do të vazhdojmë mbështetjen me Grupin e Veprimit Vendor , me atë që e kemi ngritur të gjithë bashkë në janar që e kemi krijuar në Këshillin Bashkiak në mënyrë që edhe ne si bashki të kontribuojmë për fermerët, sidomos për pikat e grumbullimit, për pikat e konservimit apo edhe për fabrikat e vajit dhe përpunimit të frutave. Unë jam i bindur se do jemi edhe 4-vjeçarin e ri të cilin po bëhemi gati të fitojmë në bashkinë e Elbasanit”, nënvizoi kryebashkiaku Llatja.

Ora 11:30
Kandidatja e PS për Lushnjën, Sefa dhe Balla takim ‘derë më derë’: Më 14 maj rrëzojmë Berishën dhe Metën njëherë e mirë

1683365446_basll.JPG

Kandidatja e PS për bashkinë e Lushnjës Eriselda Sefa së bashku me drejtuesin politik Taulant Balla zhvilluan takime me banorë me lagjes 18 Tetori në Lushnjë. Sefa lajmëroi për banorët e një prej lagjeve më të mëdha në qytet se kjo zonë do ti nënshtrohet një urbanizimi total në vazhdim. Sipas krye bashkiakes në detyrë, rehabilitimi I rrugës, kanalizimeve të ujerave të bardha dhe të zeza por edhe ndriçimi, do të jenë elemente që do ti ndryshojnë faqen kësaj lagje.

Drejtuesi politik i PS Taulant Balla, kërkoi nga banorët e lagjes “18 Tetori” mirëkuptim për punën që do të bëhet për rikualifikimin e zonës e cila mund të sjelle disa prishje muresh anësore. Balla shtoi se I gjithë ky transformim I Lushnjës me [punë publike që janë mbyllur dhe janë  realizim, nevojitet të marrin votën masive të lushnjareve në mënyrë që procesi transformues të përmbyllet brenda një mandati të plotë 2023-2027.

Eriselda Sefa dhe Taulant balla dhanë edhe lajmin për nisjen e punimeve në javët në vijim për një tjetër investim të madh të rëndësishëm për qytetin, Unaza e Lushnjës e cila do ti japë frymëmarrje të madhe dhjetrave bizneseve në të dyja anët e këtij segmenti ku prej vitesh nuk është ndërhyrë.

Ora 11:09
Pashk Gjoni takim me komunitetin dibran dhe pukjan: Më 14 maj votoni për ‘BF’, të shpëtoni nga ky pushtet kontrollues

 

Në vijim të fushatës elektorale në zgjedhjeve vendore të 14-majit, Kandidati i Koalicionit Berisha-Meta për Bashkinë Lezhë Pashk Gjoni zhvilloi një takim me komunitetin Dibran dhe Pukjan që jetojnë në këtë qytet.

Në fjalën e tij para dibraneve kandidati Gjoni, tha se fondet e akorduara përgjatë këtyre katër viteve në Lezhë ka qenë të shumta, por janë përdorur për fasada.

“Investimet që ka marrë nga qeveria. Lekë që ka shpenzuar në këto katër vitesh janë shumëfish në krahasim me atë që ka pasur atë që kemi pasur ne. Projektet 3D, nuk janë dukur për një herë të vetme. 10 ditë para zgjedhjeve ata shtrojnë rrugët. Nuk gjej asnjë investim në asnjë zonë.

Njerëzit duan ndryshimin një orë me parë nga pushteti. Se kuptoj këtë lloj klime terrori e grabitje. Ne sot na duket sikur kemi liri mendimi e fjale po as atë se kemi. Ata kontrollojnë like dhe çdo gjë.”

Ora 11:01
Sako takim me qytetarët në Durrës: Mos e çoni qytetin mbrapa sepse e dimë mirë se cilat fytyra fshihen pas tij, ne e duam të bukur, të pastër dhe të zhvilluar

 

I gjetëm njësitë administrative të qeverisura nga Partia Demokratike pa infrastrukturë, pa investime dhe të mbytura në borxhe. Që nga 2015 kur nisi reforma territoriale dhe vazhdim, përveçse shlyem borxhet e këtyre njësive, arritëm që të bëjmë edhe shumë investime të tjera. Kështu është shprehur kryebashkiakja Emiriana Sako, njëkohësisht kandidate e Partisë Socialiste për zgjedhjet e 14 majit në takimin me banorë të Romanatit, pjesë e njësisë administrative Rrashbull. Kryebashkiakja Emiriana Sako iu ka bërë thirrje banorëve që në këto zgjedhje të votojnë numrin 2 dhe Partinë Socialiste duke shikuar vetëm përpara dhe jo të djathtën, që është prapambetja dhe e shkuara.

“Në një balanc, kemi pasur një borxh të bashkuar 3.87 mln dollarë, përveç borxhit kemi bërë dhe investime deri në 4 km rrugë.

Këto janë angazhime që po i marrim sot dhe do bëjmë maksimumin për të mbajtur premtimet. Ndaj votoni më 14 maj partinë socialiste, sepse kjo forcë ka shtruar rrugët, kjo forcë ka bërë shkollat. PS ka bërë sot Durrësin një qytet më të pastër. Mos e çoni Durrësin mbrapa sepse e dimë mirë se cilat fytyra fshihen pas tij. Ne e duam Durrësin, një qytet më të pastër, më të bukur e më të zhvilluar.”- tha Sako.

Në takimin me banorët e kësaj zone, Sako tha se janë planifikuar investime në shumë rrugë të fshatit Romanat, të cilat nisin që këtë vit, ndërkohë që edhe rrjeti i ujit të pijshëm do të ndërtohet tërësisht i ri. Duke folur për bashkinë e Durrësit, kryebashkiakja Sako tha se një punë e madhe është bërë për rindërtimin ku në gjithë bashkinë janë ndërtuar 744 banesa të reja, 18 shkolla dhe shumë qendra të reja shëndetësore.

Ora 10:55
Kandidati i ‘BF’ për bashkinë Fier: Do t’iu vijmë në ndihmë fermerëve dhe blegtorëve të zonës dhe bizneseve

 

Kandidati i koalicionit Berisha-Meta për bashkinë Fier, Evdar Kodheli, vijon takimet intensive në kuadër  të fushatës së 14 Majit. Në takimin e radhës me banorë të fshatit Vjosë , ai premtoi se do të ketë në vëmendje të veçante fuqizimin e sektorit të bujqësisë e blegtorisë nëpërmjet ndërhyrjeve në përmirësimin e infrastrukturës bazë, rrugët e aksesit në toka, sistemimin e  sistemit vaditës e kullues , por njëherazi edhe gjetjen e tregjeve për tu dhënë mundësi fermerëve të fuqizohen dhe të rrisin vlerën e prodhimeve të tyre.  Duke theksuar se në programin e tij synon zhvillimin e mëtejshëm të zonës, kandidati Kodheli premtoi njëherazi , mbështetje edhe për bizneset në zonë, të cilët nëpërmjet uljes së taksave do të kenë mundësinë të gjenerojnë vende të reja pune.

“Stafi ynë në drejtimin e bashkisë nesër do ti vijë ne ndihmën e  të gjithë fermerëve dhe blegtorëve të zonës duke i shitur produktet tuaja në kohën e duhur dhe me çmimin e duhur.

Bashkia ka për detyre të gjejë tregjeve për shitjen e produkteve tuaja, bashkia nuk është tregtare por ka nëpër detyre t’ju ndihmojnë në gjetjen e tregjeve se si biznesi në korporim me fermerët dhe blegtorët të shesin produkte në kohën e duhur dhe me çmimin e duhur.”- tha ai.

Kodheli u zotua se do të punojë fort për të ndërtuar një bashki , e cila i dëgjon qytetarët dhe u ofron zgjidhje sa më të shpejta për problematikat e tyre.

Ora 10:43
Mediu dhe Duka në Kamëz: Duhet të luftojmë që t’i mbrojmë votën çdo qytetari! Ky pushtet po shkatërron vendin

 

Fatmir Mediu dhe Agron Duka kanë zhvilluar një takim pune me këshilltarët e partive të opozitës dhe kandidatin e opozitës për Kamzën Arjan Hoxha.

Mediu theksoi se është e domosdoshme që çdo votë për këshilltarë të jetë dhe votë për kandidatin Arjan Hoxha.

“Pavarësisht presionit të qeverisë Ne duhet të luftojmë që çdo qytetarë të votojë dhe t’i mbrojmë votën dhe këtë duhet ta bëjmë të gjithë bashkë. Sot është në pikëpyetje e ardhmja e vendit dhe pluralizmi politik”, tha Mediu.

Duka po ashtu theksoi se Arjan Hoxha nuk është kandidat vetëm i “Bashkë Fitojmë”, por i gjithë opozitës.

“Ne nuk mund të lejojmë që ky vend të shkatërrohet dhe kontrollohet nga një njeri i vetëm. Ky pushtet po shkatërron Shqipërinë”, tha Duka.

Kandidati Hoxha tha se Kamza është e fituar por kërkohet nga të gjithë të punojmë bashkë dhe të jemi një ekip sot dhe nesër.

M.T/G.MO/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Pukjani: 06/05/2023 13:07

    More Pashk Gjoni po te ishte pushteti e shteti i kontrolluar ty nuk do te kishin lene me u pasurua ne kurriz te popullit,kur flet edhe ti per fonde qe nuk ke lene qe pa vjedh

    Përgjigju
  • Edi: 06/05/2023 11:19

    Po mas teje emiriana sako kush fshihet???

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Serbia i refuzon ministrit të Brendshëm të Kosovës kërkesën për vizitë në Luginën e Preshevës

Serbia i refuzon ministrit të Brendshëm të Kosovës kërkesën për vizitë në Luginën e Preshevës