VENEZUELE - Presidenti i Venezuelës Hugo Chavez po "lufton me vdekjen", - ka deklaruar zëvendëspresidenti Nicolas Maduro.

"Komandanti ynë është i sëmurë, ai dha jetën e tij për ata, që nuk kanë dhënë asgjë," - tha ai për kanalin shtetëror venezuelan. “Ne duhet të jemi besnik ndaj këtij njeriu, që ka dhënë aq shumë për vendin,” - është shprehur Moduro.

Chavez iu nënshtrua një tjetër ndërhyrje kirurgjikale në Havana të Kubës në dhjetorin e 2012-s, i cili ishte operacioni i katërt pas konstatitmit të kancerit, që prej vitit 2011. Presidenti 58 vjeçar pati “probleme me frymëmarrjen”, si rezultat i një “infeksioni të rëndë në mushkëri” dhe ndoqi një regjim të rreptë mjekësor në kryeqytetin kubanez.

Në tetor të vitit të kaluar Hugo Chavez u rizgjodh presidenti i ri i Venezuelës, por për shkak të sëmundjes së kancerit nuk ishte në gjendje të merrte pjesë në ceremoninë e inaugurimit të vet si president.

Opozita ka kritikuar shpesh qeverinë e vendit për "fshehje të informacionit" në lidhje me gjendjen shëndetësore të Presidentit.

Mesazhi i tij i fundit drejtuar popullit të tij ka qenë në rrjetin social Twitter ku shkruante, se ishte kthyer në Venezuelë ku ka falenderuar popullin e tij dhe të Kubës për mbështetjen e ngrohtë.

Muaj më parë Chavez kishte bërë thirrje popullit të tij: - “Nëse shëndeti im nuk do të përmirësohet, zgjedhje të reja do të mbahen”. Ai bëri thirrje të votohet për Nicolas Maduro, zëvendëspresidentin e Venezuelës i cili është një prej këshilltarëve të tij më besnikë.

(l.ç/ad.ti/shqiptarja.com)