Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, përmes një postimi në Facebook e ka cilësuar Konferencën e Sigurisë së Mynihut si një nga ngjarjet më të rëndësishme në nivel global, ku mblidhen zërat më me peshë të sigurisë dhe ku formësohet debati strategjik për çështjet kryesore ndërkombëtare.

Sipas tij, për Shqipërinë kjo përfaqëson një mundësi konkrete për të avancuar marrëdhëniet me partnerët tradicionalë, si dhe për të çelur rrugë të reja bashkëpunimi me aktorë kyç institucionalë dhe drejtues të kompanive të mëdha.

“Konferenca e Sigurisë së Mynihut është padyshim një nga ngjarjet kryesore ku mblidhen zërat më me peshë të sigurisë globale dhe ku formësohet debati strategjik.

Për Shqipërinë, një mundësi konkrete për të avancuar marrëdhëniet me partnerët tradicionalë dhe për të çelur rrugë të reja bashkëpunimi me aktorë kyç institucionalë dhe drejtues të kompanive të mëdha, në funksion të sigurisë kombëtare dhe zhvillimit të industrisë ushtarake”, shkruan Vengu.

Ministri thekson se në një Europë që përballet me një mjedis sigurie gjithnjë e më sfidues, forcimi i partneriteteve dhe koordinimi strategjik mbeten një domosdoshmëri.

Konferenca e Mynihut për Sigurinë është një event vjetor mbi politikat ndërkombëtare të sigurisë që është mbajtur në Gjermani që nga viti 1963. Në këtë konferencë marrin pjesë krerë shtetesh, qeverish dhe organizatash ndërkombëtare, ministra, deputetë, përfaqësues të forcave të armatosura, shkencës, shoqërisë civile, biznesit dhe medias.