Ministri i Mbrojtjes Pirro Vengu ishte sot në Burrel ku inspektoi repartin e vjetër ku dhe parashikohet të ngrihet qendra e re operacionale e Batalionit III të Regjimit të Këmbësorisë së Veriut.

Gjatë vizitës në garnizonin e Mollëzës në Burrel, ministri u shoqërua nga Shefi i Shtabit të Forcës Tokësore dhe nga koloneli i Regjimentit të Këmbësorisë së Veriut, të cilët prezantuan planin e zhvillimit të infrastrukturës dhe rëndësinë historike, taktike dhe strategjike të kësaj zone.

“Parashikimi ynë në planin afatmesëm është që të akomodojmë një infrastrukturë të re dhe një batalion të plotë këmbësore që Regjimi i Këmbësorisë së Veriut të zgjerohet. Ky repart pavaraësisht se ka qenë i degraduar në të kaluarën dhe është lënë në harresë, ne e kemi futur në plan zhvillimi dhe kemi miratuar dhe masterplanin përkatës”, tha Vengu.

Aktualisht, në Burrel operon një kompani e plotë, ndërsa synimi është shumëfishimi i kapaciteteve dhe rritja me rreth 30% e forcës aktive, si dhe krijimi i njësive të para të forcës rezerviste. Projekti është hartuar me synimin që investimi të jetë i qëndrueshëm, funksional dhe efikas për përmbushjen e misioneve operacionale.

Struktura e re do të akomodojë rreth 648 personelë efektivë, nga të cilët 247 rezervistë dhe 401 personel aktiv, të shpërndarë në një sipërfaqe prej rreth 366 hektarësh. Territori ofron kushte shumë të mira për stërvitje, akomodim, aktivitete sportive dhe rekreative, si dhe për ndërtimin e poligoneve dhe terreneve ndihmëse.

Projekti parashikon ndarjen e repartit në tre zona funksionale: zonën administrative, zonën logjistike dhe mbrojtëse, si dhe zonën e jetesës dhe stërvitjes, duke krijuar një garnizon modern që përmbush standardet bashkëkohore të Forcave të Armatosura Shqiptare.