ATHINE- Zv. Kryeministri dhe Ministri i Jashtëm grek, Evangelos Venizelos deklaroi pas mbledhjes së Këshillit të Çështjeve të Përgjithshme të BE, se Greqia ishte në favor të dhënies së menjëhershme të statusit kandidat për Shqipërinë.

Venizelos udhëzoi ambasadorin e Greqisë në Tiranë, Leonidas Rokanas, të informojë qeverinë shqiptare për qëndrimin që Greqia mbajti në Këshillin e Çështjeve të Përgjithshme të BE-së, në favor të dhënies së menjëhershme të statusit për Shqipërinë.

Ai tha se në pajtim më qëndrimin e 28 shteteve anëtare të BE, Këshilli i Çështjeve të Përgjithshme do të diskutojë në muajin qershor të vitit të ardhshëm, i cili përkon me fundin e presidencës greke, për miratimin e këtij vendimi.
 
Venizelos shtoi se Greqia është e gatshme të japë të gjithë ndihmën e mundshme për Shqipërinë, që ajo të përmbushë të gjitha kushtet e vendosura nga BE.

Zv. Kryeministri dhe Ministri i Jashtëm i Greqisë uroi përzemërsisht edhe qeverinë e Serbisë për këtë fazë të re ku po hyn. Sipas tij, hapja e diskutimeve për pranimin e Serbisë në BE ka një efekt pozitiv në perspektivën europiane të rajonit dhe atë të Ballkanit perëndimor.

Në fund, Venizelos deklaroi se zhvillimet e dialogut Prishtinë-Beograd ishin një event historik.

Redaksia online
(sg/shqiptarja.com)