Parlamenti Evropian, i ndau çmimin Sakharov veprimtarit ujgur Ilhan Toti i cili është i dënuar më burgim të përjetshëm nga autoritetet kineze.
Çmimin në vend të tij e pranoi e bija, Jewher Ilham në një ceremoni në Parlamentin Evropian në Strasburg.
Ilham Tohti, një ekonomist, është burgosur në vitin 2014 nën akuzat për separatizëm, që u denoncuan gjerësisht në kryeqytetet perëndimore.
Kina po përballet me kritika të ashpra ndërkombëtarë për shkak të trajtimit të pakicës myslimane Ujgure, në rajonin e saj veriperëndimor, Xinjiang.
Jewher Ilham, u bëri thirrje politikanëve, akademikëve dhe studentëve të mërkurën të protestojnë kundër trajtimit të ujgurëve, derisa po pranonte çmimin në vend të të atit.
Kina tha më herët se Tohti ishte "një kriminel që u dënua në përputhje me ligjin nga një gjykatë kineze", dhe u bri thirrje "të gjitha palëve të respektojnë punët e brendshme dhe sovranitetin gjyqësor të Kinës dhe të mos i fryjnë arrogancës së terroristëve. "
Pekini zyrtar thotë se krahina Xinjiang është nën kërcënim nga militantët dhe separatistët islamikë, ndërsa mohon keqtrajtimin ose internimin masiv, duke thënë se thjesht po kërkon t’i jap fund ekstremizmit dhe dhunës përmes edukimit.
Dy javë më parë, në Shtetet e Bashkuara, Dhoma e Përfaqësuesve dha miratimin fillestar për një projekt-ligj që do të kërkonte nga administrata amerikane ashpërsimin e përgjigjes ndaj Kinës për veprimet e saj ndaj pakicës ujgure.
Në Strasburg, kryetari i Parlamentit Evropian, David Sassoli tha se “duke e ndarë këtë çmim, i bëjmë thirrje të fuqishme Kinës që të lirojë Tohtin dhe të respektojë të drejtat e pakicave”.
Çmimi Sakharov prej rreth 55 mijë dollarësh, ndahet që nga viti 1998 . Ai mban emrin e disidentit të ndjerë rus, Andrei Sakharov, dhe ndahet çdo vit për të nderuar individët dhe organizata për mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe lirive themelore.
A.Demaçi më 1991 dhe I. Rugova më 1998 ishin fitues të çmimit Sakharov
Në vitin 1991, pak kohë pasi ishte liruar nga burgu ku kishte qëndruar për rreth 28 vjet, veprimtari tashmë i ndjerë shqiptar, Adem Demaçi, u bë laureat i çmimit Sakharov. Ishte atë kohë 55 vjeç drejtonte Këshillin për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut në Prishtinë.
Me 16 dhjetor të vitit 1998, çmimi Sakharov i ishte ndarë ish presidentit të Kosovës, Ibrahim Rugova, i njohur si udhëheqësi politik i shqiptarëve të Kosovës i cili atë kohë kishte kërkuar ndërhyrjen ndërkombëtare në Kosovë.