Mbajtja në paraburgim e kryetarit të bashkisë së Tiranës, Erjon Veliaj, prej shkurtit të vitit 2025, ka përfunduar në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
Avokati Alban Duraj në emisionin ‘Frontline’ me gazetaren Marsela Karapanço në Report Tv, ka thënë se SPAK bllokoi ekipin e avokatëve ndërkombëtarë që të takonin Veliajn në qeli, para se të dërgonin dosjen në Strasburg.
Duke e cilësuar këtë akt të prokurorëve të SPAK si një tjetër shkelje të të drejtave të njeriut, Duraj shtoi se ky është një fakt që do të përdoret në favor të Veliajt në Strasburg.
“Ekipi i avokatëve ndërkombëtarë i është drejtuar SPAK me kërkesë për lejimin që të kishin një takim me kryebashkiakun Erion Veliaj për t’u konsultuar mbi kërkesën që ekipi i avokatëve ndërkombëtarë ka paraqitur për Gjykatën e Strasburgut. Për fat të keq edhe pse SPAK kishte dy ditë që e ka marrë këtë kërkesë, ditën e sotme në një komunikim që ka pasur me këta avokatë i është shprehur se për çështje teknike nuk mund të realizohet sot ky takim. Kjo është një shkelje që po i bëhet nga organi i akuzës. Është një fakt në favor të Veliajt”, tha mes të tjerash Duraj.
Më tej Duraj theksoi se avokatët ndërkombëtarë të Veliajt kanë plotësuar dosjen që do të shqyrtohet në Strasburg me kërkesa për masën e sigurimit personal dhe shkelje të të drejtave të kryebashkiakut, qoftë nga prokurorët e posaçëm, qoftë edhe nga punonjësit e Burgut Durrës.
“Këto janë veprime që ne nuk na bëjnë nder si shtet apo si prokurori. Kemi disa kërkesa për masën e sigurimit personal dhe shkeljen e të drejtave, që janë bërë qoftë nga organi i akuzës, por edhe nga IEVP Durrës, kur është rasti që Veliaj ka bërë një ndërhyrje lokale dhe kanë qenë policët që e shoqëronin i kanë qëndruar në vendin e tij. Edhe një sërë shkeljesh të tjera që janë me qindra. Avokatët ndërkombëtarë i kanë nxjerrë dhe e kanë gati kërkesën për ta depozituar në Strasburg”, shtoi Duraj.
Ndërkohë nga ana tjetër, ish-drejtuesi i lartë i Policisë, Shemsi Prençi, tha se do të ishte mirë që Veliaj të hetohej në një masë më të butë sigurie sesa ajo e ‘arrestit me burg’.
Prençi theksoi se nuk është mirë që kryebashkiaku në detyrë i Bashkisë së Tiranës të vijojë të qëndrojë në qeli.
“SPAK nuk po e pengon dërgimin e dosjes Veliaj në Strasburg. Thjeshtë thonë se për momentin teknikisht është e pamundur. Procedurialisht dhe ligjërisht pajtohem me avokatët. Edhe me dëshirën tonë, kryetari i Bashkisë së Tiranës duhet të jetë jashtë burgut, nuk duhet të jetë në burg. Me një masë më të lehtë. Sepse ja ka dhënë të drejtat Gjykata Kushtetuese, etj. Por jemi në Shqipëri. Zhvillimet e Veliajt bëhen në një situatë të rënduar politike”, tha mes të tjerash Prençi.










Komente
Komento