Juristi Kreshnik Spahiu është shprehur se Gjykata e Lartë mund të zëvendësojë masat e sigurisë së ‘arrestit me burg’, me masa më të lehta sigurie për kryebashkiakun Erion Veliaj dhe ish-Presidentin Ilir Meta.

Komentet Spahiu i bëri në emisionin ‘Frontline’ me gazetaren Marsela Karapanço në Report Tv, ku tha se është e paprecedentë që një kryebashkiak të ushtrojë të gjitha funksionet e tij nga qelia e paraburgimit dhe të mos lirohet.

“Unë mendoj që shkeljet proceduriale i bëjnë shumë mirë Erion Veliajt. Nëse realisht janë shkelje që janë të bazuara dhe të provuara, këto përbëjnë një bazë të mirë të argumentuar që Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut t’i japë mundësinë Veliajt kur të parashtrojë kërkesën në këtë gjykatë, që janë shkelur të drejtat e njeriut dhe të bjerë masa e sigurimit.

E dyta, jemi përballë një situate që është e paprecedentë, që s’besoj se ndodh në ndonjë vend tjetër. Hetimi ka mbaruar, është shumë e vështirë që provat që janë administruar të asgjësohen nga Veliaj. E dyta është që Kushtetuesja i ka dhënë të drejtë dhe e ka lënë kryetar. Nga qelia Veliaj po ushtron gjithë të drejtat e veta. Atë pengimin e provave ai mund ta bëjë edhe nga burgu.

Kjo mbetet vetëm një masë represive pa argument. Gjykata e Lartë javën që vjen ka gjithë detyrimin që t’i përmbahet edhe vendimit të Kolegjeve të Bashkuara për masat e sigurisë. Sepse ky është rast me impakt në publik, ky dhe Ilir Meta. Presidenti i Republikës bën dy vjet i izoluar atje. Me këtë ritëm Meta dhe Veliaj do bëjnë 4 vite paraburgim, apo 6 vite burg”, tha Spahiu.


Lajmi kryesor:

Spahiu: Konflikti i dy pushteteve qeveri-gjyqësor për rrogat, i paprecendentë për një shtet juridik