Shqipëria i hapi dyert turistëve nga e gjitha bota për të kaluar pushimet verore në vendin tonë pa i kërkuar një pasaportë vaksinimi, siç kryeministri Edi Rama u shpreh në nisje të procesit të vaksinimit masiv. Për realizimin e këtij objektivi, operatorët turistikë thonë se Shqipëria duhet të arrihet marrëveshjes dypalëshe mes Shqipërisë dhe shteteve të BE-së që turistëve të huaj, t’u mundësohet lëvizja edhe në vendet jo-anëtare, siç është vendi ynë.
“Duhen edhe marrëveshje bilaterale apo multilaterale, me vende të BE me qëllim që pasaporta e vaksinës që ata do lëshojnë ta promovojnë edhe për lëvizje jashtë zonës së BE-së, ku sot për sot është e kufizuar. Është e domosdoshme që vendi të lobojë me Greqinë dhe Italinë, për hapje dypalëshe mes dy vendeve”, tha eksperti për turizmin, Besnik Vathi.
Mikpritja e Shqipërisë për turistët e huaj, thotëeksperti për turizmin, Besnik Vathi, lidhet ngushtësisht me procesin e vaksinimit në Evropë.
“Vaksinimi masiv i popullatës është një ngjarje e mirë me tepër rëndësi por mos të harrojmë që turizmi nuk varet vetëm nga a je i hapur ti si vend, a je i vaksinuar ti si vend, por varet shumë edhe nga vaksinimi i atyre që vijnë. Nëse vaksinimi nuk shkon mirë në Evropë, fillimi i sezonit veror do të jetë i ngadaltë, dhe ndoshta hapjet nga ana e tyre do të jenë të vona”, u shpreh Vathi.
Përpos vlerësimit, Vathi kërkon që edhe turizmi të jetë ndër sektorët prioritarë të vaksinimit.
“Jo thjesht vaksinim masiv, por duhet një radhë. Duhet të filloj vaksinimi në turizëm, fillimisht tek ata që punojnë nëpër hotele, restorante apo agjenci, pra ata që do të kenë kontakte me turistët, me qëllim që të shërbejë edhe si një mënyrë për ta promovuar turizmin shqiptar si të sigurt”, shprehet Vathi.
Turizmi në vitin e kaluar humbi rreth 1.1 miliardë euro, ndërkohë që edhe këtë vit panorama paraqitet e zymtë.
“Nëse në pranverën e vitit 2020 u anuluan rezervimet e bëra më parë, në pranverën e këtij viti nuk ka asnjë anulim sepse nuk kishte asnjë rezervim. Për verën nuk ka ende rezervime sepse ende shtetet nuk kanë dhënë data për hapjen, dhe kjo situatë të bën të mendosh që edhe vera e këtij viti të jetë e rrezikuar. Ndoshta 2022 do të jetë periudhë normale por ky vit është jo-normal”, pohoi Vathi.