106 kilometër në jug të Tiranës, jemi  në Fushë-Studën, një trevë mes Librazhdit dhe Dibrës. Një vend i bukur, rrethuar me pyje dhe me kullota bagëtish.

Fushë-Studën, sipas banorëve vendas, do të thotë fushë e ftohtë, nga sllavishtja e largët e shekujve 7 dhe 8 në kohën e Perandorisë së Bizantit.

Popullsia në 7 fshatrat e njësisë administrative të Steblevës është 1400 banorë. Në stinën e verës, Stebleva dhe Fushë-Studëni frekuentohen edhe nga turistë vendas dhe të huaj dhe popullsia shkon deri në 3000 banorë. Ata që banojnë këtë trevë të begatë janë mbi 110 familje bujqësore. Sipërfaqja e tokës arë, 315 hektarë, mbjellë me patate, misër dhe fasule. Stebleva, si njësi administrative, është edhe pjesë e parkut kombëtar të Shebenikut, mbrojtur nga UNESCO.

Shqetësimi i fermerëve është "kurthi" i tregtarëve nga zona të tjera të Shqipërisë që pataten e tyre e shesin në tregun e zi me emrin dhe namin e patates së Steblevës.

Shkojmë në fshatin Borovë të Steblevës. Aty ku, veç peizazhit natyror, një peizazh me vlera turistike ka krijuar edhe njeriu idealist Shkëlqim Golli, banor vendas, me troftën e Borovës.

Mijëra turistë vendas dhe të huaj e frekuentojnë këtë perlë turistike me prirje agroturizmi në zonë. Me troftën që dikur vinte nga shkëmbinjtë malorë dhe tani shtohet në basene të ngritura në kushte teknologjike shumë të mira.