Max Verstappen triumfon në garën Sprint të Çmimit të Madh të Singaporit, në një garë të mbushur me incidente dhe të ndikuar nga reshjet e shiut. Piloti i Red Bull kaloi i pari vijën e finishit, duke lënë pas Lewis Hamilton me Ferrarin, në vendin e dytë, ndërsa Charles Leclerc u rendit i treti. Gara nisi me rreth 30 minuta vonesë për shkak të kushteve të vështira në pistën e Marina Bay.
Momenti më dramatik u regjistrua që në xhiron e parë, kur George Russell, i cili kishte marrë përkohësisht kryesimin, humbi kontrollin e Mercedesit dhe u përplas me barrierat. Verstappen përfitoi nga situata dhe ruajti avantazhin deri në fund. Ndërkohë, një përplasje mes dy pilotëve të McLaren, Lando Norris dhe Oscar Piastri, në xhirot e fundit ndryshoi renditjen dhe i dha mundësinë Kimi Antonellit të përfundonte në vendin e katërt.
Pas Sprintit, vëmendja u zhvendos te kualifikueset për garën kryesore të së dielës. Edhe në këtë sesion, Verstappen konfirmoi formën e shkëlqyer, duke regjistruar kohën më të shpejtë në sesionin final, me 1 minutë, 31 sekonda e 373 të mijtat. Piloti holandez siguroi pole-position, duke u pozicionuar në vendin e parë në vijën e nisjes për garën kryesore.
Leëis Hamilton ishte rivali më i afërt i Verstappenit, vetëm 123 të mijtat e sekondës më i ngadaltë, ndërsa Kimi Antonelli regjistroi kohën e tretë më të mirë në sesionin final. Lando Norris u rendit i katërti, Oscar Piastri i pesti dhe Charles Leclerc i gjashti, në një sesion ku diferencat mes pilotëve kryesorë ishin të vogla.
Tani të gjithë sytë janë te gara kryesore e Çmimit të Madh të Singaporit, ku Verstappen do të synojë ta shndërrojë pole-position në një tjetër fitore. Megjithatë, kushtet atmosferike dhe karakteristikat e pistës urbane të Marina Bay pritet të luajnë rol të rëndësishëm në një garë ku çdo gabim mund të kushtojë pozicione të çmuara.










Komente
Komento