PRISHTINË, 2 Tetor /ATSH/.- Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli zhvilloi sot një vizitë në ndërmarrjen "Trepça", ku u interesua për gjendjen aktuale të këtij gjiganti industrial, kushtet e punës si dhe kapacitetet prodhuese të saj.
Në takim me drejtuesit e "Trepçës" u fol rreth strategjisë së re që do të mundësoj rivitalizimin e kombinatit. Kryetari Veseli theksoi se menaxhmenti dhe përfaqësuesit e punëtorëve duhet të jenë pjesë e hartimit të strategjisë.
"Duhen krijuar kushtet që deri në krijimin e statusit final për "Trepçën", puna të vijojë pa ndërprerë", theksoi Kryetari Veseli. "Trepça ishte në të kaluarën pjesë e krenarisë tonë, por sot duhet bërë më shumë nga të gjithë ne së bashku, në mënyrë që Kosova të përfitojë nga këto resurse të jashtëzakonshme", theksoi kryteari i Kuvendit, Kadri Veseli.
Më tej, ai theksoi se Trepça do të jetë forcë shtytëse e zhvillimit të Kosovës dhe përmirësimit të bilancit të saj tregtar. Veseli theksoi po ashtu se Kuvendi i Kosovës do të bashkëpunoj ngushtë me Qeverinë dhe faktorët e tjerë për përmirësimin e gjendjes aktuale në Kombinat.
Në takim u diskutua nevoja e pëzgjedhjes së bordit të Agjencisë Kosovare të Privatizimit, i cili i hap rrugë zhvillimit, sidomos komercializimit të mbetjeve industriale.