Kukës - Policia kufitare e Morinës ka goditur një një rast tentative për të kontrabanduar veshje të ndryshme në Kosovë.

Në gjendje të lirë do të hetohet një 43 vjeçar nga Kukësi i cili u ndalua teksa po udhëtonte në aksin rrugor që lidh fshatrat Pogaj dhe Gorozhub.

Veshjet dhe automjeti i 43-vjeçarit u sekuestruan si provë materiale.

Njoftimi i policisë:

Shërbimet e Drejtorisë Vendore për Kufirin dhe Migracionin Kukës kanë intensifikuar kontrollet në të gjitha pikat e kalimit kufitar, me qëllim parandalimin dhe goditjen e krimeve ndërkufitare. Bazuar në informacionet e siguruara në rrugë operative, për kontrabandë mallrash, shërbimet e DVKM Kukës kanë ndaluar në aksin rrugor që lidh fshatrat Pogaj dhe Gorozhub, Kosovë, automjetin me drejtues shtetasin V. D. 

 Gjatë kontrollit në automjeti u gjetën disa thasë me veshje të ndryshme, të cilat ky shtetas po tentonte t’i kontrabandonte në Kosovë.  

 Mallrat dhe automjeti u sekuestruan në cilësinë e provës materiale. 

Në përfundim të veprimeve procedurale, specialistët për Hetimin e Krimeve të Drejtorisë Vendore për Kufirin dhe Migracionin Kukës referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasin V. D., 43 vjeç, banues në Kukës, për veprat penale “Transporti i mallrave kontrabandë” dhe “Fshehja e të ardhurave”.    

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Kukës, për veprime të mëtejshme.