Shumëkush dyshon se Kroacia e Spanja mund të luajnë për një barazim 2:2 dhe të dyja bashkë të kalojnë në çerekfinale. Ky rezultat do të bënte që Italia të eliminohej, edhe nëse triumfon ndaj Irlandës, qoftë edhe me 10 gola diferencë.

Si trajner, kroati Slaven Bilic është shprehur se futbollistët e tij janë nacionalistë të egër dhe krenarë, duke pranuar rolin e "outsider" përballë Spanjës. Mirëpo, Kroacia ka një histori të mirë sa i përket përballjes me ekipet e mëdha në turne të tillë, pasi më herët pati mposhtur Italinë dhe Gjermaninë.

Kroacia gjithashtu pati eliminuar edhe Anglinë në eliminatoret për "Euro 2008". Ajo pati triumfuar 3:2 në stadiumin "Wembley", edhe pse para kësaj ndeshjeje kishte siguruar pjesëmarrjen në "Austri e Zvicër 2008". Spanja është krenare me statusin e saj si ithtare e lojës së bukur dhe sigurisht se nuk do të dëshirojë që trashëgimia e saj të preket nga një rezultat i dyshimtë. Spanja është ekip i cili në turne të mëdhenj nuk pranon më shumë se një gol.

Franca ishte ekipi i fundit që pati shënuar tre gola kundër Spanjës, në fitoren 3:1 në botërorin "Gjermania 2006". Trajneri Del Bosque ka thënë se synimi i Spanjës është të marrë 3 pikët sot në mbrëmje, edhe pse do të jetë e vështirë përballë kroatëve. Ai shmangu hamendësimet për një "biskotë", sic e quajnë italianët barazimin, duke thënë se iberikët do kenë 9 pikë në grup. Sot:
Kroaci-Spanjë 20:45
Itali-Irlandë 20:45
(rb/shqiptarja.com)