Krimi i djeshëm në Gostivar është rezultat direkt i mendësisë shtypëse, në linja të diskriminimit etnik, që po ndërton Gruevski me të gjitha mjetet e veta shtetërore e propagandistike, një mendësi që shqiptarët i sheh vetëm si instanca të domosdoshme me të cilat hyn në shitblerje për të marrë e për të forcuar pushtetin e vet, por nuk i sheh si qytetarë të barabartë, nuk i sheh si komunitet me të drejta historike, ekonomike, kulturore e kombëtare, thuhet ne komunikatën e lëshuar nga Lëvizja VETËVENDOSJE!.

Vetëvendosje kritikon faktorin politik shqiptar në Maqedoni duke e akuzuar se është shndërruar në një apendiks të politikës maqedone dhe se janë duke e legjitimuar Qeverinë Gruevski.

Po kështu, Lëvizja VETËVENDOSJE heshtjen e qeverive në Prishtinë e Tiranë pas këtij krimi e quan papërgjegjshmëri ndaj problemeve të shqiptarëve që jetojnë jashtë kufijve aktualë të Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Kosovës.

"Politika e injorimit të realitetit konfliktual që rezulton në abuzime e në krime, paralelisht me shtrëngimet e duarve sa për sy e faqe mes pushtetarëve i ka lënë shqiptarët në Maqedoni si qytetarë të dorës së dytë në vend të vet, e kjo nuk ka për të ndryshuar gjer në momentin që përfaqësimi politik të dalë prej formalizmave dhe spektakolares."thuhet më tej në reagimin e Lëvizjes VETËVENDOSJE!.

/rg/shqiptarja.com/