Vetëvendosje kërkon dorëheqjen e Qeverisë

Vetëvendosje kërkon dorëheqjen e Qeverisë
Nëpërmjet strukturave të saj të paligjshme dhe të armatosura Serbia po ndërmerr sulm ndaj shqiptarëve të veriut të Kosovës.

 Vrasja e Selver Haradinajt (38 vjeç) në zonën e Tre Rrokaqiejve në veri të Mitrovicës ishte sulm terrorist, me ç’rast cak kanë qenë civilët e paarmatosur, fëmijët dhe familja Haradinaj në përgjithësi. 

Ky akt terrorist është realizuar nëpërmjet vendosjes së eksplozivit në ndërtesën e të ndjerit dhe shpërthimit të tij të planifikuar, shkruan në një deklaratë për media të Lëvizjes Vetëvendosje, e cila kritikon Qeverinë, respektivisht Ministrinë e Punëve të Brendshëm, për mungesë të përgjegjësisë dhe planit operacional për mbrojtjen e banorëve shqiptarë në pjesën veriore të Kosovës.

“Dërgimi i vetëm dy policëve në lagjen Tre Rrokaqiejt, dëshmon për një mungesë të përgjegjësisë, planit operacional dhe të seriozitetit nga ana e Ministrisë së Brendshme. Me këtë ndërhyrje gjysmake dhe të pamjaftueshme qeveria e Kosovës po i shërben planit të Serbisë, që po del gjithnjë e fituar prej incidenteve të krijuara. Vijimësia e këtyre incidenteve, falë iniciativave dështake të qeverisë së Kosovës, po e shpie vendin drejt negociatave të tjera, kësaj radhe konkretisht për veriun e Kosovës”.

“Situata në veriun e vendit mbetet e tendosur dhe me shenja përkeqësimi. Shqiptarët atje janë pa përkujdesje institucionale dhe të pambrojtur nga mekanizmat e sigurisë. Ndërkohë që fëmijët e Selver Haradinajt, mbetën jetimë për shkak të krimit serb, gjithë shqiptarët që jetojnë atje kanë mbetur jetimë pasi janë braktisur nga qeveria e Kosovës. Prandaj ata aktualisht janë nën mëshirën e strukturave ilegale të Beogradit të cilat po ushtrojnë trysni të vazhdueshme nëpërmjet forcës, dhunës e frikësimit, ashtu që shqiptarët atje t’i lëshojnë shtëpitë, banesat, tokat dhe pronat e tyre”.

Lëvizja Vetëvendosje kërkon mbajtjen e një seance të jashtëzakonshme në Kuvendin e Republikës së Kosovës.

 “Kjo seancë duhet të nxjerrë vendime konkrete për institucionet politike. Për këtë gjë tashmë i kemi kontaktuar partitë LDK dhe AAK dhe jemi në pritje të përgjigjes së tyre. 
Po ashtu, thuhet më tej në deklaratë se "Vetëvendosje do t’i dërgojë një letër Presidentes të Republikës së Kosovës për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme në Mitrovicë si dhe do t’i dërgojë letër komandantit të KFOR-it e shefit të shtabit të përgjithshëm të NATO-s për të siguruar mbrojtjen e jetës dhe pronës së qytetarëve shqiptarë në Mitrovicë. Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Bamir Topi, do t’i shkruajmë që ai të thërrasë një mbledhje urgjente të OKB-së e të NATO-s, mbi gjendjen e rëndë të sigurisë në Mitrovicë”.

“Pas koncesioneve të vazhdueshme ndaj Serbisë që kulmuan me fusnotën, pas gjendjes së rënduar në veri ku qeveria kontribuon me papërgjegjësinë e saj, nuk mund të presim asgjë serioze e të sinqertë nga kjo qeveri. 

Prandaj, Vetëvendosje kërkon dorëheqjen e menjëhershme të Ministrit të brendshëm Bajram Rexhepit, Kryeministrit Hashim Thaçi dhe gjithë qeverisë së Kosovës që është bashkëpunëtore me Serbinë në incidentet të cilat po shpijnë drejt negociatave për veriun e vendit tonë dhe po e dështojnë shtetin e Kosovës”.

/rg/shqiptarja.com/

  • Sondazhi i ditës:

    Organet e drejtësisë refuzojnë komisionin 'Antikorrupsion', si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

‘Forca që më ktheu në jetë ishte dashuria’, Jeta e dytë e Genci Fugës

‘Forca që më ktheu në jetë ishte dashuria’, Jeta e dytë e Genci Fugës