Vetëvendosje, letër ambasadorëve

Vetëvendosje, letër ambasadorëve
Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje u ka dërguar letër Ambasadorëve të Kuintit.

Ai shpjegon në emër të Lëvizjes Vetëvendosje se pse nuk shihet nga prizmi i Vetëvendosje, 10 shtatori si ditë për t’u festuar, ose si ditë kur përfundon mbikëqyrja ndërkombëtare e pavarësisë së Kosovës.

“Si gjithmonë, më lejoni të filloj duke e rikonfirmuar respektin dhe mirënjohjen tonë për ndihmën jetike që ju dhe populli juaj i kanë dhënë Kosovës gjatë gjithë viteve. Ne shpresojmë që ju do të vazhdoni të na ndihmoni, si mbështetës të fuqishëm të sovranitetit tonë. Duke marrë parasysh këtë, unë shpresoj se do të merrni në konsideratë komentet e mia më poshtë” fillon letrën Kurti

Kurti gjithashtu thekson faktin që misioni i vetëm që ka njohur zyrtarisht pavarësinë është duke u larguar, duke shtuar se largimi i ICO dhe Piter Feithr ka pak rëndësi kur mandati i tij - zbatimi i Planit të Ahtisaarit - ka pasur efekte të përhershme dhe të dëmshme për Kosovën.

“Duke na parë vetëm nëpërmjet prizmit etnik, Plani i Ahtisaarit e ka institucionalizuar ndarjen etnike në vendin tim. Ai ka krijuar autonomi territoriale për minoritetin serb në Kosovë, që përbën 5% të popullsisë, në 20% të territorit tonë. Ai ka krijuar kufij të tjerë autonomë përreth zonave të shumta ortodokse, të cilat i ka definuar si pronë të Kishës Ortodokse Serbe me seli në Beograd. Pra, ai i ka instrumentalizuar këto vende kulturore politikisht, në vend që t’i respektojë ato si trashëgimi të gjithë popullit të Kosovës, dhe duke u dhënë besimtarëve të saj të sotëm lirinë për ta përcaktuar vetveten. Së treti, ky Plan ka dashur të transformojë identitetin e Kosovës duke e imponuar përkufizimin e tij për ne si "shoqëri multietnike," pa pëlqimin tonë, dhe duke e mohuar realitetin se mbi 90 për qind e popullsisë sonë është shqiptare” shkruan Kurti duke theksuar se nuk ka arsye për të festuar largimin e ICO-së, kur ndonëse kreu dhe forma e saj s’do të jenë më, tentakulat e saj sipas Kurtit do të mbeten.

Kurti kritikon edhe praktikë në Parlament ku ligje me rëndësi të madhe janë imponuar, duke potencuar se ato janë bërë me udhëzime të lëshuara nga zyrtarë ndërkombëtarë për mënyrën si duhet të votojnë deputetët.

“I konsideroj si një mashtrim të paturpshëm deklaratat se pavarësia e mbikëqyrur ka përfunduar. Përveç rolit ekzekutiv të NATO-s në sigurinë dhe menaxhimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës, dhe institucioneve të mbetura të UNMIK-ut në Prishtinë dhe Mitrovicë, EULEX-i është ende në Kosovë. Sipas një marrëveshjeje të re ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe BE-së, misioni i EULEX-it do të jetë këtu së paku deri në vitin 2015, me mundësinë e zgjatjes së mandatit të tij. Nuk ka pasur asnjë ndryshim në preambulën dhe klauzolat përkatëse të dokumentit themelues të EULEX-it, Veprimit të Përbashkët të Këshillit të BE-së 5928/08, i cili e bazon misionin e EULEX-it në Rezolutën 1244 të KS të OKB-së dhe që përcakton një seri kompetencash ekzekutive mbi institucionet e Kosovës. Për më tepër, BE-ja ende nuk e ka shfuqizuar marrëveshjen e nëntorit 2008 me Sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së lidhur me "neutralitetin ndaj statusit" të misionit të saj”, thekson Kurti.

Lideri i Vetëvendosjes ua përkujton ambasadorëve se edhe pas 10 shtatorit 2012 institucionet e Kosovës do të vazhdojnë të jenë të varura nga misionet ndërkombëtare me kompetenca ekzekutive, mbi ato që u jepen Kuvendit të Kosovës dhe Qeverisë nëpërmjet procesit demokratik.

“Kosova do të vazhdojë të strehojë brenda kufijve të saj misione ndërkombëtare të bazuara në Rezolutën e OKB-së që njeh sovranitetin e Serbisë mbi Kosovën, dhe në rastin më të mirë është e definuar si "neutrale ndaj statusit". Përveç kësaj, ne përballemi me kërcënime të vazhdueshme ndaj sovranitetit tonë politik nga Serbia dhe me një kërcënim shumë shqetësues ndaj sovranitetit tonë ekonomik nga një proces i korruptuar i privatizimit” thotë Kurti duke qenë kritik ndaj festimeve të cilat janë duke u përdorur nga elita politike e korruptuar dhe e diskredituar për të zgjatur jetën e tyre në pushtet dhe për të mashtruar mizorisht popullin në pikën kritike në mbijetesën e shtetësisë së tij.

Kurti në fund të letrës ofron bashkëpunimim dhe kërkon dihmën e ambasadorëve në konsolidimin e sovranitetit dhe integritetit të Kosovës në muajt e ardhshëm, pa kërkuar kompromise të tjera dhe të shtrenjta nga Kosova.

/rg/shqiptarja.com/

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Mero Baze: Disa këshilla për folësen e shkëlqyer Helena Kaçi

Mero Baze: Disa këshilla për folësen e shkëlqyer Helena Kaçi