Vetëvendosje: Marrëveshja ka nisur
të prodhojë efekte të dëmshme

Vetëvendosje: Marrëveshja ka nisur<br />të prodhojë efekte të dëmshme
PRISHTINË - Lëvizja Vetëvendosje! mbajti sot një konferencë për media, ku u diskutua mbi dëmet që ka nisur të prodhojë Marrëveshja Thaçi-Daçiç, tashmë e ratifikuar njëanshëm prej Kuvendit të Kosovës. Në konferencë, po ashtu u paraqitën problemet që burojnë nga projektligji për amnistinë nëpërmjet të cilit qeveria dhe Hashim Thaçi në emër "mbështetjes" ndërkombëtare për marrëveshjen, së pari po amnistojnë kriminelët e strukturat e Beogradit dhe së dyti, heshturazi po tentojnë të krijojnë hapësirë për të amnistuar të gjithë të korruptuarit e tyre, që tashmë kanë marrë dënim. Çështja tjetër e paraqitur ishte ajo e transferimit antikushtetues të buxhetit të Kosovës tek Fondi për veriun, si dhe pozicioni ndihmues për këto dëme nga ana e dy subjekteve politike si Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës. Më poshtë mund të gjeni fjalën e përmbledhur të deputetëve të Vetëvendosjes: Visar Ymerit dhe Dardan Molliqaj:
 
Fjala e deputetit, Visar Ymeri

Kjo marrëveshje ka pasur efektet e veta para ratifikimit të saj fillimisht dhe tani i ka edhe efektet e menjëhershme të tjera pas ratifikimit. Efekti i parë paraprak ishte emërimi i komandantit rajonal Nenad Gjuriç, një polici që i kishte shërbyer me zell edhe Millosheviçit dhe klikës së tij të dhunshme e aparatit të tij të dhunshëm shtetëror, e po ashtu edhe Veselinoviçit, pra një kontrabandisti tani shumë i njohur, që e ka dëmtuar rëndë edhe ekonominë, edhe shtetin e Kosovës.
 
Efekti i dytë paraprak ishte shpallja e zgjedhjeve lokale, që u bë nga ana e Kryeministrit të Serbisë, Ivica Daçiç, e që ende nuk u bë nga asnjë post zyrtar shtetëror në Kosovë.
Efekti i parë i menjëhershëm i kësaj marrëveshjeje shumë të dëmshme është Ligji për Amnistinë, që është sjellë tashmë në Kuvend dhe do të trajtohet të hënën në Komisionin për Legjislacion. Ky ligj është problematik në tri rrafshe kryesore, që e bëjnë këtë jo ligj normal për amnisti dhe që e bënë tërë sistemin juridik të Kosovës një sistem anormal:

1- Me këtë ligj po amnistohet një grup nga ndjekja penale. Pra, një grup i caktuar, në këtë rast serb, po amnistohet nga ndjekja penale. Amnistia është mekanizëm që shteti e përdor, që i jepet personave të caktuar pasi që e kanë vuajtur një pjesë të dënimit për dy arsye kryesore, për çështje humane dhe për çështje të kohezionit social. Me këtë ligj që po kërkohet të votohet, po amnistohet një grup nga ndjekja penale, pra ende pa nisur procedura e hetimit, identifikimit të krimit, identifikimit të kriminelit, dënimit të kriminelit e më pastaj amnistia pas një kohe të vuajtjes së dënimit. Me të po amnistohen krimet që janë kryer ndaj shtetit të Kosovës dhe rendit kushtetues të saj, ndaj ekonomisë së Kosovës, ndaj pronës publike e private në Kosovë. Me këtë ligj, po instalohet padrejtësia në Kosovë. E kjo padrejtësi do të jetë e vazhdueshme pasi që ky ligj pritet të jetë në fuqi pas ratifikimit për një kohë të pacaktuar.
 
2-  Po amnistohen ata që tashmë janë duke u hetuar. E këta janë, strukturat ilegale të Serbisë. Edhe rrafshi i pare edhe i dyti janë struktura të organizuara të një shteti që janë të instaluara në Kosovë dhe e kanë mbajtur nën okupim një pjesë të Kosovës, në mënyrë që na minojnë ekzistencën e Kosovës, e veçanërisht Kosovës së pavarur, që tash po marrin amnisti nga këto krime. Në këtë rrafshin e dytë është tentuar nga Qeveria disa herë që të fshihet padrejtësia dhe dëmi i kësaj amnistie, duke e fshehur këtë përderisa përmendin mjekët, arsimtarët, që kanë punuar në kuadër të strukturave ilegale të Serbisë. Amnistia e vërtetë që po kërkohet këtu është për pjesëtarët e MUP-it, për pjesëtarët e USB-së dhe organeve tjera të aparatit represiv të shtetit të Serbisë të instaluara në territorin e Kosovës, të cilat i kanë kryer të gjitha krimet ndaj shtetit dhe ndaj popullatës së Kosovës.
 
3-   Po amnistohen ata që tashmë e kanë marr dënimin. Jo vetëm kriminelët, por edhe ata të korruptuarit në momentin e shpalljes së dënimit do të kenë të drejtën të aplikojnë për amnisti, të cilën e kanë të kodifikuar me ligj. Ky element ua mundëson të gjithë kriminelëve të Kosovës, të mëdhenj apo të vegjël, të korruptuar apo për krime tjera, që të aplikojnë për amnisti menjëherë pas shpalljes së dënimit. Kur thotë Kuçi dhe të tjerët si ky, që ky ligj nuk është vetëm për veriun por edhe për pjesët tjera të Kosovë, i ka në mendje pikërisht këta kriminelë, këta të korruptuar, që natyrisht vijnë nga strukturat aktuale partiake që e kanë pas pushtetin. Për shembull, edhe Xhabir Zharku do të ketë të drejtë të aplikojë për amnisti tani, i cili e ka dënimin dhe i ka ikur vuajtjes së tij. Edhe Xhabirat e tjerë, që është plot PDK-ja me ta, plot LDK-ja me ta, plot AAK-ja me ta, do të mund të amnistohen.
 
Efekti i dytë që është prodhuar, është heqja e “Republikës së Kosovës” nga të gjitha vendimet që lëshohen nga Gjykata.  Të gjitha vendimet që janë lëshuar para marrëveshjes, e kanë logon e “Republikës së Kosovës”, kurse vendimi që morën dje nga Gjykata aktivistët e Lëvizjes Vetëvendosje! nuk e ka këtë logo. Është vendosur në të gjitha gjykatat që të hiqet kjo logo për shkak se Republika e Kosovës pas marrëveshjes me Serbinë më nuk ekziston. Jo që nuk do ekzistojë në veri, por tash më as në pjesët tjera. Sepse kjo marrëveshje e nënshtron politikisht Kosovën karshi Serbisë. Mosnjohja e Serbisë karshi Republikës se Kosovës do të thotë që institucionet e Kosovës që e pranuan marrëveshjen tash do ta konsiderojnë veten neutrale karshi statusit të Kosovës.
 
Thoshin se po i nisim negociatat me Serbinë për ta integruar veriun e Kosovës, por me këto efekte të para të marrëveshje, tashmë Kosova po çintegrohet si Republikë. Pra, ky dokument i lëshuar nga një gjykatë e Kosovës, është neutral ndaj statusit të Kosovës. Këtu shkruan vetëm “Gjykata Themelore në Prishtinë”. E ku është Prishtina? A është në Republikën e Kosovës? A është në Kosovën krahinë autonome? A është në territor të padefinuar? A është në UNMIK? A është në Eulex? Këtë nuk po e dimë.
 
Efekti i tretë është rishikimi i ligjit për buxhetin. Ky ligj në nenin 2 e kodifikon themelimin e fondit zhvillimor për veriun, dhe thotë “Të gjitha paratë publike të mbledhura prej mallrave të importuara nga bizneset e regjistruara në veri të Mitrovicës, Zubin Potokut, Leposaviç, Zveçan, të cilat janë të destinuara për konsum në këto komuna në momentin e hyrjes në Kosovë përmes pikave doganore në Jarinje dhe Bërnjak, duhet të dërgohen në fondin e Kosovës duke u identifikuar dhe regjistruar veçanërisht në SIMFK, dhe të ndahen për fondin zhvillimor të mirëbesimit që do të krijohet nga përfaqësuesi i bashkimit evropian në Kosovë në një banke komerciale”.

Pra, automatikisht, Asociacioni do të ketë buxhet paralele, me të hyra e shpenzime të dedikuara. E kjo është amnisti fiskale. Pra, nuk është se po amnistohet ajo që ka ndodh deri tash, por po amnistohet çfarëdo krimi që do të ndodh tash e tutje, sepse shteti i Kosovës si aparat shtetëror po tërhiqet nga mundësia që të ndërmarr masa për rregullimin dhe mbrojtjen e integritetit territorial e sovranitetit në atë pjesë të Kosovës. E më e dhimbshmja është që ky buxhet po financohet nga paratë publike të Kosovës, pra po i ndahet një pjesë buxhetit shumë të varfër të Kosovës.
 
Pra, këto janë efektet e marrëveshjes me Serbinë, që në secilën fushë të saj ose po e rrënojnë plotësisht Republikën e Kosovës, ose po e injorojnë plotësisht Republikën e Kosovës, por veçanërisht po e dëmtojnë dhe po e varfërojnë atë.
 
Fjala e deputetit, Dardan Molliqaj
 
Cilët janë ata që po e mbështesin projektin e Hashim Thaçit për zhbërjen e shtetit të Kosovës, si në aspektin formal edhe në atë përmbajtjesor dhe konkret? Si po e ndihmojnë projektin dhe politikën e Thaçit për t’i amnistuar kriminelët, jo vetëm në veri por edhe ata që janë brenda subjekteve të tyre? Cilët janë ata që po e ndihmojnë projektin e Hashim Thaçit për ta varfëruar edhe më shumë qytetarinë e Kosovës dhe për ta privuar nga të drejtat e tij elementare?
 
Marrëveshja për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë u bë fakt i kryer vetëm pasi siguruan mbështetjen e LDK-së dhe AAK-së. Për ne është shumë e qartë, se ata që po e ndihmojnë projektin politik të Hashim Thaçit janë zakonisht dhe përgjithësisht AAK dhe shumë shpesh LDK.
 
Sot në Kosovë është ose lajthitje, ose interes i grupeve të caktuara të mendosh se ka një rrugë të re. Ose je me Hashim Thaçin dhe politikën e tij, ose je kundër Hashim Thaçit dhe politikës së tij.
 
LDK dhe AAK janë dy subjekte, që janë duke mundësuar një pushtet, që tashmë edhe nga organizatat ndërkombëtare është quajtur pushtet gjysmë-autoritar. Kur pushtet janë autoritare, gjithë pjesa tjetër që është opozitë nuk ka kuptim të jetë pak herë apo shumë e herë hiç me këtë pushtet. Pra, duhet të ketë pozicionim të qartë e të prerë karshi pushtetit autoritar, siç është rasti i Kosovës.
 
Siç e dimë të gjithë, LDK-ja dhe Isa Mustafa kanë hyrë në zgjedhjet e vitit 2010 ndaj personit të Hashim Thaçit, ndaj politikës së PDK-së dhe politikës së tij. Me të përfunduar këto zgjedhje, është Isa Mustafa dhe LDK-ja, e cila mundësoi krijimin e Qeverisë Thaçi. Pra të gjitha këto që kanë ndodhur në qeverisjen Thaçi II, nuk do kishin qenë të mundura sikur të mos kishte ndodhur marrëveshja  Thaçi-Pacolli-Mustafa. Këtë e mundësoi LDK-ja dhe sot e kësaj dite nuk kemi një pendesë nga ajo. LDK ka qenë kundër negociatave politike me Serbinë.

LDK ka qenë kundër negociatave, ku flitet për territorin dhe çështjet e brendshme të Kosovës, madje ka deklaruar me dhjetëra herë se nuk do të ratifikojnë asnjë marrëveshje, që bie në kundërshtim me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës. Fillimisht shkoi edhe më larg se kaq, saqë pati kërkuar referendum për negociatat politike me Serbinë. Kjo është rruga përmes së cilës LDK ka pësuar një metamorfozë të fuqishme. Tani në Bruksel u dakorduan edhe për zgjedhjet lokale në Kosovë. Pra, nuk na i shpalli zgjedhjet Presidentja, ashtu siç e kemi me Kushtetutë, por na i shpalli zgjedhjet kryeministri i Serbisë. Deklarimi i menjëhershëm i LDK-së dhe Isa Mustafës ka qenë, që ne nuk do ta ratifikojmë marrëveshjen, nëse kjo nënkupton se zgjedhjet duhet të mbahen me 3 nëntor.

Pas pak ditësh, marrëveshja u ratifikua dhe fjalët e LDK-së u zmbrapsën nga ky qëndrim. Këto janë disa ngjarje, që e kanë ndryshuar LDK-në dhe e kanë bërë LDK-në servile dhe të korruptuar komplet nga politika e Hashim Thaçit. Edhe fjalët e Arben Gashit në Kuvend, që “zemra ma thotë kundër, e ndërkombëtarët na thonë pro” tregon për servilitetin e pashoq që po shfaqet çdo ditë në strukturat drejtuese të LDK-së.
 
Edhe AAK ka qenë subjekti, që i ka kundërshtuar negociatat teknike me idenë se këto negociata janë politike dhe Kosova nuk duhet të diskutojë. Ndryshimi tek ta erdhi kur iu rritën orekset për të qenë në pushtet. Pra, gjithçka ka qenë e qartë; AAK nuk paska qenë me politika parimore e shtetndërtuese që kur ata thirren shpesh, por paska qenë taktizuese deri në momentin kur ata kanë menduar se mund ta marrin qeverinë e Kosovës. Deklarimet e fundit të AAK-së, që veprimet e Vetëvndosje!-s ia kanë vënë vendit hijen e zezë, janë të shpërfillshme, duke pasur parasysh që AAK është një subjekt politik, krerët e të cilit janë të lidhur drejtpërdrejt me figura të krimit të organizuar jo vetëm në Kosovë por edhe në rajon.

Është subjekti politik, i cili të paktën në komunat që qeverisë në Dukagjin, i krijon çdo ditë çdo qytetari dhe çdo biznesi borxhe. Është subjekti politik, i cili është i lidhur direkt me fajdet që i jepen qytetarëve dhe e rrezikojnë jetën e tyre në Dukagjin. Është subjekti, drejtuesit e të cilit që nga kryetari e te poshtë janë milionerë dhe asnjë herë nuk kanë pasur guximi ta deklarojnë prejardhjen e asaj pasurie. Një subjekt i tillë, i borxhit dhe fajdeve, për të na treguar se cila është demokracia, çka është hije e keqe e çka e mirë për Kosovën, për Vetëvendosje!-n është e papranueshme dhe rrjedhimisht e kundërshtueshme fuqishëm nga ne.
 
Sot gara në Kosovë nuk po bëhet se si ta ndërtojmë shtetin e Kosovës, do ta rrëzojmë pushtetin autoritar ose gjysmë-autoritar që po e quajnë të tjerët, por sot gara në Kosovë nga LDK e AAK po bëhet se cila do të jetë partnerja e ardhshme në koalicionin me PDK-në. Pra, këto dy subjekte tashmë e kanë pranuar humbjen, ende pa u caktuar data e zgjedhjeve parlamentar. E keni vërejtur deklarimin e menjëhershme të z.Haradinaj, që është shprehur i gatshëm të bashkëqeverisje me PDK-në. Edhe Isa Mustafa ka thënë se nuk e përjashton koalicionin me PDK-në. Pra, tash gara mes tyre është se kush do jetë partneri i ardhshëm i PDK-së.
 
Duke qenë të bindur për këtë politikë që po ndiqet nga drejtuesit e këtyre dy subjekteve politika të cilat pra po e zhbëjnë shtetin e Kosovës, po e falin krimin e organizuar në Kosovë, po e varfërojnë shtetin e Kosovës dhe po bëhen pjesë e politikës së Hashim Thaçit, i bëjmë ftesë gjithë mbështetësve të LDK-së dhe AAK-së që të reflektojnë mbi zhvillimet e fundit në subjektet e tyre politike dhe të bëjnë një distancim të qartë nga politika e Hashim Thaçit që sot po mbizotëron fatkeqësisht edhe në kryesitë e LDK-së dhe AAK-së.

Redaksia Online
(mag/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

VIDEO nga Shëngjini/ Digjet një shtëpi pushimi te Rana e Hedhun, flakët rrezikojnë dhe Kishën! Ndërhyn helikopteri

VIDEO nga Shëngjini/ Digjet një shtëpi pushimi te Rana e Hedhun, flakët rrezikojnë dhe Kishën! Ndërhyn helikopteri