Vetëvendosje shënon 7 vjetorin e themelimit

Vetëvendosje shënon 7 vjetorin e themelimit
Shtatë vite organizim e protesta nga Lëvizja Vetëvendosje. Ishte parulla e parë e shkruar më 12 qershor të 2005, në muret e UNMIK ku u arrestuan thuajse të gjithë aktivistët e Vetëvendosjes që kërkonte ndalimin e negociatave me Serbinë pa e kushtëzuar Serbinë me njohjen e Kosovës, kërkimfaljen, dëmshpërblimin dhe kthimin e të pagjeturve. 

“Nisëm para 7 vjetëve, me parullën JO NEGOCIATA – VETËVENDOSJE!. JO NEGOCIATA ishte kritika dhe kundërshtimi ynë. VETËVENDOSJE! ishte zgjidhja dhe koncepti ynë. Në atë kohë nisëm duke problematizuar ndryshe në mënyrë të dyfishtë... Dhe, sërish, ishim të ndryshëm, prej gjithë të tjerëve në mënyre të dyfishtë. Së pari, nisëm me ide krejtësisht tjetër." tha Albin Kurti në konferencën për media.


Qindra protesta, aksione simbolike, art dhe politikë, gjuajtje me vezë drejt zyrtarëve të Beogradit, e fushata për bojkotimin e mallërave serbe kanë përcjellur ngjarjet dhe organizimin e bërë nga Lëvizja Vetëvendosje.

Por, edhe kjo nuk ka kaluar pa pasoja për Lëvizjen Vetëvendosje. Janë qindra arrestime që nga formimi. Më e rënda ishte demonstrata e 10 Shkurtit 2007, ku policia e UNMIK, sakësisht ajo rumune, shtiu mbi protestues duke vrarë dy demonstrues, Arben Xheladini dhe Mon Balajn.

Pas formimit të Vetëvendosjes dhe pas aksioneve të ndërmarra kundër misioneve që nuk lejonin shpalljen e pavarësisë dhe vepronin në kuadër të rezolutës 1244 të Kombeve të Bashkuara ku Kosova njihej si pjesë e Serbisë, Albin Kurti u arrestua dhjetra herë nga policia e UNMIK, Shërbimi Policor i Kosovës, por edhe nga policia e EULEX dhe e Kosovës së voni. 

Kurti shpjegoi edhe fillet e Vetëvendosjes dhe ballafaqimin me subjektet e tjera të cilat flisnin për qendrat e vendosjes, ndërsa sic tha ai, ne formuam Lëvizje për vetëvendosje. 
"Nisja jonë ishte me aksion politik në sferën publike. Pra pikënisje kishim vullnetin tonë që mishërohet në veprim dhe jo deklarata që thuhen duke menduar se çka do të mendojnë për të ndërkombëtarët. Lëvizja jonë është ideja që bëhet organizatë dhe vetëdija që bëhet veprim. Mungesa e së drejtës së vetëvendosjes për popullin është përkthyer në mungesë të sovranitetit për shtetin. Sepse kur popullit s’i lejohet e drejta e vetëvendosjes, ai nuk mund të bëhet burim i sovranitetit të shtetit edhe kur ky është shpallur i pavarur." shtoi Kurti. 

Gjatë këtyre shtatë vjetëve Lëvizja VETËVENDOSJE! ka organizuar dhjetëra demonstrata gjithëpopullore, qindra aksione e aktivitete të ndryshme protestuese, dhe mijëra tubime e takime me qytetarë anekënd Kosovës. 
Për më shumë se një vit Vetëvendosje vepron edhe brenda institucioneve të sistemit. 
Kurti shpejgoi ndryshimin e strategjisë dhe tregoi se janë shtuar mënyrat e veprimit dhe zgjeruar betejat me regjimin për ta ndryshuar gjithë sistemin.

"Ky sistem i ka dy konstante të pavarura nga pavarësia: negociatat me Serbinë dhe privatizimin. Na thoshin që do të ndryshojmë, por ne as nuk u pasuruam, e mbajtën koherencën e diskursit dhe besnikërinë ndaj metodës. Pra, nuk devijuam, nuk u lodhëm dhe nuk u ndalëm." tha Kurti në fund të konferencës.

Kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti, lider studentor i protestë së 1 Tetorit 1997, ishte arrestuar nga policia serbe në 99-tën për shkak të angazhimit të tij në zyrën politike të UÇK-së në Prishtinë dhe u lirua në 2001.

Sot, Lëvizja Vetëvendosje ka 12 deputetë në Kuvendin e Kosovës dhe është subjekti politik që ka kërkuar më së shumti interpelanca dhe mocione për kryeministrin që nga themelimi i Kuvendit të Kosovës. 
/rg/shqiptarja.com/

  • Sondazhi i ditës:

    Sa përcaktuese do jetë vota e emigrantëve në zgjedhjet e 2025-ës?



×

Lajmi i fundit

Hezbollahu godet një fushë futbolli në Izrael, 10 viktima, fëmijë dhe adoleshentë! 30 të vrarë nga sulmet izraelite në një shkollë në Gaza

Hezbollahu godet një fushë futbolli në Izrael, 10 viktima, fëmijë dhe adoleshentë! 30 të vrarë nga sulmet izraelite në një shkollë në Gaza