Nëse do të përpiqemi t’i përqasemi në mënyrë analitike pyetjes që mban titulli i këtyre rradhëve, atëhere më së pari është e nevojshme të sjellim në vëmendje përmbajtjen themelore të atyre që quhen “vlera” dhe që ndërhyjnë domosdoshmërisht në zhvillimet politike, të brendshme apo edhe të jashtme. Janë pikërisht këto që, siç është pranuar prej kohësh në të gjithë botën e civilizuar, thelbësisht dallohen nga zakonet e vjetëruara dhe mentalitetet e pakuptimta, të cilat ndonëse të ndryshueshme apo variabile, përsëri mbeten gjendje e pavlerë në formësimin empirik të shoqërisë. Përkundrazi, gjatë trajtimit të vlerave, në konsideratë vijnë edhe fuqia e efikasitetit dhe e fakticitetit të tyre, edhe rëndësia normative përkatëse. Kush i mënjanon dhe i përbuz ato, me deklarime dhe veprimet e veta bie në batakun e antivlerave, me çka nënkuptohet pashmangërisht një fund i shpejtë dhe i shëmtuar.
Në rastin e temës qëndrore që paraqet skena politike e vendit tonë gjatë këtyre muajve, pra, bojkotimi i punimeve të Parlamentit nga Partia Demokratike dhe aleatë të saj, si edhe mos regjistrimi përbashkësisht i tyre si subjekte në zgjedhjet e përgjithshme, me pretendimin që procesi elektoral të zhvillohet medoemos nga një qeveri teknike, le të shohim se çfarë thotë neni 3 i Protokollit Nr. 1 të KEDNJ, një dispozitë kjo e miratuar 65 vite më parë (1952) dhe hyrë në fuqi 2 vjet më pas: “Palët e Larta Kontraktuese marrin përsipër të organizojnë, në intervale të arsyeshme kohore, zgjedhje të lira me votim të fshehtë, në kushtet që sigurojnë shprehjen e lirë të mendimit të popullit për zgjedhjen e trupit ligjvënës”. Ndoshta është e nevojshme që të vëmë këtu në dukje, se neni 3 i Protokollit Nr. 1 vlerësohet si e vetmja dispozitë materiale e Konventës (që në këtë fushë thirret në të njëjtin rrafsh me dispozitat kushtetuese), e cila nuk përbën një të drejtë ose liri që do të kërkonte ndërhyrje nga Shteti, por parashtron qartë një detyrim për Shtetin.
Në këtë kuptim, për organizimin edhe të zgjedhjeve të pritshme për t’u zhvilluar më 18 qershor të këtij viti nuk mund të kërkohet që të dorëhiqet qeverisja aktuale, siç ngrenë zërin në kupë të qiellit udhëheqësit e Partisë Demokratike, përderisa nuk ekziston një krizë e përgjithshme që t’ia shkurtojë mandatin deri në konstituimin e një parlamenti të ri të dalë nga zgjedhjet dhe që do të zgjedhë qeverinë tjetër. Ajo as mund të zëvendësohet me organe dhe persona të zgjedhur apo të aprovuar edhe nga opozita politike, që brenda një kohe të shkurtër, aq sa mund t’i lejojë mandati i kufizuar, nuk kanë asnjë kapacitet tjetër, përveçse të ndikojnë deri diku në deformimin e rezultatit të zgjedhjeve. Prandaj, nuk ka përse të përqafohet ideja që trumbeton Partia Demokratike dhe aleatët e saj, sipas së cilëve, zgjedhjet e pritshme s’mund të jenë të lira dhe të ndershme, sepse maxhoranca qeverisëse do t’i blikërka votat e shumicës së elektoratit shqiptar me paratë e trafiqeve të drogës etj. Sigurisht, pas zgjedhjeve mbase do të ishte e lejueshme dhe e pranueshme çdo protestë apo formë tjetër paqësore kundërshtimi ndaj shkeljeve të vërejtura gjatë procesit elektoral. Pra, post factum! Por jo gjatë procesit para/elektoral, me platforma paragjykuese deri në bojkot të zgjedhjeve, aq më pak me kërcënime dhe veprime për të penguar zhvillimin e votimit që bën të mundur “ekzistencën e një legjislature përfaqësuese, e zgjedhur në intervale të arsyeshme, si baza e një shoqërie demokratike”.
Një rrugëdalje, së paku e pjesshme, nga dilemat e ditës që përshkojnë procesin elektoral ofron pikëpamja se, vlerat e pranueshme për mbështetësit e Partisë Demokratike (partitë aleate të saj, përveç ndonjërës tek – tuk, nuk ia vlen as të përmenden këtu, sepse kryetarët e tyre e kanë pritur “shpëtimin” e qenies personale në politikë vetëm te rreshtimi i emrave të vet të listat e kandidatëve të PD–së), madje edhe për të gjithë komunitetin politik shqiptar kërkojnë një peshë të qëndrueshme, njohjen dhe dijen normative, edhe pse këto ka gjasa të jenë të kufizuara apo jo të përsosura. Kështu, për shembull, me interes të veçantë në këtë çështje ka qenë dhe është, sigurisht, edhe diskutimi i natyrës së legjislacionit në kuptimin e Konventës, si edhe roli i autoriteteve legjislative në një demokraci efektive politike. Mirëpo, çfarë mund të diskutohej kur përfaqësuesit e Partisë Demokratike dhe të aleatëve të saj që nga viti i kaluar preferuan të largohen nga Komisioni Parlamentar për Reformën zgjedhore? Madje, edhe aplikimin e elektronikës dhe bioteknikës ata nuk i zunë fare me gojë deri para pak ditësh, tek po shpërndahej Kuvendi. Ndonëse mjafton të kujtohet nga kushdo se, prej atyre aplikimeve është hequr dorë tashmë pothuajse në të gjitha Shtetet Anëtare të Bashkimit Evropian, me argumentin e pamohueshëm të sigurisë dhe saktësisë së rezultatit - shprehje autentike e vullnetit të zgjedhësve. E pra, për sa kohë që diskursi i vlerave kuptohet si një përpjekje e përgjithshme për të zbuluar, njohur dhe pranuar të vërtetën, së cilës njerëzit kërkojnë t’i afrohen, atëhere për hir të interesave vetjake të seclit është e domosdoshme të lejohen të tjerët të marrin pjesë në këtë diskurs, doemos si krejt të barabartë. Por, kurrësesi të kërcënohen ata për t’u penguar që të ushtrojnë votën e tyre të lirë.
Nga vështrimi që hodhëm më sipër, nuk mund të lihet jashtë vëmendjes edhe diçka tjetër, që prej kohësh është bërë e qartë nëpër të gjitha shoqëritë e emancipuara, pranë të cilave edhe shoqëria shqiptare aspiron t’u qaset çdo vit e më shumë. Pra, se përpjekjet e përgjithshme për të kërkuar vlera të shpien shpesh herë te respekti dhe toleranca. A gjendemi edhe këtu para një dileme, përderisa pikërisht respekti dhe toleranca kërkohet të shprehen apo të shfaqen gjithashtu edhe ndaj kundërshtarëve, deri te mënjanimi në një farë mase i interesave vetjake apo të grupit?! U bënë mbi 2 muaj e gjysmë që nga çadra e ngritur prej Partisë Demokratike në bulevardin kryesor të kryeqytetit, kërkesa e ofrimit të garancive për “zgjedhje të lira dhe të ndershme” prej liderit de jure të saj është kthyer në një klishe të mërzitshme, megjithëse kryetari i maxhorancës që është edhe Kryeministër i vendit nuk ka nguruar të dakordësohet me projektin e shpalosur këtu më 25 prillin e kaluar nga Mc.Allister, kreu i Komisionit për Punët e Jashtme të Parlamentit Evropian, njëherësh Zëvendëskryetar i Parë i Partive Popullore Evropiane, në rradhët e të cilave edhe PDSh ka statusin e Anëtares. Pltforma që parashtroi ai parashikonte masa radikale, përveç devijimit të reformës në drejtësi si kusht sine qua non, dhe ndryshimit të Qeverisë nga ajo politike në tërësisht teknike. Një plan ky që mbeti thjesht projekt, sepse nuk gjeti mbështetje në asnjë element përbërës prej kreut të Partisë Demokratike.
Mirëpo, tashmë dihet (prandaj nuk përbën ndonjë çudi të madhe), se kushdo që i vë në dyshim rregullat e vlerave publike për ecuri të përgjithshme shoqërore, sigurisht që del vetë jashtë debatit. Kjo u vërtetua edhe në rastet e fundit të propozimeve që i bëri Kryeministri aktual kreut të opozitës, në zyrën e Presidentit të Republikës, kur i la PD-së në dispozicion zgjedhjen e plot zyrtarëve të lartë, bashkë me emërimin e një zëvendëskryeministri, që do të mund të kishin lidhje të drejtpërdrejtë me organizimin e fushatës elektorale dhe që do të përforcohej roli i tyre nga përfaqësues të faktorit politik ndërkombëtar, si ShBA, Gjermania dhe OSBE. Edhe atëhere, refuzimi i liderit opozitar vazhdoi pa ndërprerje, deri sa kryetari i maxhorancës, për t’i dhënë një shans tjetër zhvillmit të dialogut konstruktiv, i bëri thirrje kandidatit të Partisë Socialiste në zgjedhjet për kryetar i Bashkisë së Kavajës që të tërhiqej nga gara elektorale. Ndonëse përgjigjet e tij dhe të një kandidati tjetër të pavarur qenë të menjëhershme dhe plotësisht pohuese, për hir të stabilitetit të atmosferës elektorale, në çadrën e PD-së u quajtën këto akte të admirueshme si fitore të propagandës kërcënuese të saj. E pra, që prej asaj dite nevojitej edhe vetëm pakëz kohë durim apo pritje të Kryeministrit, për një mundësi qoftë edhe hipotetike mirëkuptimi, që Kryetari i PD–së të deklaronte si në jerm: “Zero premisat për dialog. S’ka bojkot, por s’ka as zgjedhje” (?!). Ky ishte momenti që mund të thuhet se i vuri kufirin tolerancës së kreut të maxhorancës qeverisëse. I vuri kufirin pikërisht te një mohim i tillë që po i bëhej nga Pala tjetër diskursit të vlerave, të cilat në plotësinë e tyre parashikojnë edhe respektimin e afateve të vendosura: tashmë i është dorëzuar prej Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve fleta e votimit me listën e 15 partive konkuruese kompanisë greke të kontraktuar më parë, ‘Inform Lykos’, që do ta prodhojë dhe shumëfishojë atë në një tirazh shumëmiljonësh dhe me 8 elemente sigurie. Ndërsa PD i kërkon Kolegjit Zgjedhor që ta shpallë të paligjshëm formatin e kësaj flete, ndërkohë që e paligjshme është vetë kërkesa e saj, e cila nuk është subjekt zgjedhor që prej 9 prillit, kur përfundoi afati i regjistrimit të partive politike në KQZ për pjesëmarrje në garën zgjedhore.
Megjithëse një interpretim i përgjithshëm mbi rregullat bazë të mirëkuptimit është vërtet kusht i domosdoshëm për funksionimin e shoqërisë, kjo nuk është plotësisht e mjaftueshme. Nuk është e mjaftueshme për vetë faktin, se në bashkëjetesën sociale diskursi i vlerave s’ka të bëjë vetëm me përpjekjet për të njohur dhe shqyrtuar të vërtetën (për shembull, të rezultatit të zgjedhjeve), por edhe me rendin kushtetues dhe, prej këtej, me hartimin dhe respektimin e rregullave të harmonizimit të këtij rendi. Pra, e padurueshme dhe aspak e pranueshme do të ishte zvarritja e datës së zgjedhjeve në një kohë përtej asaj të arsyeshmes, çka nuk e parashikon Ligji Themelor i Shtetit dhe Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë. Thënë ndryshe, caktimi i datës së saj pikërisht atëhere kur dëshiron opozita, që do t’i nevojiteshin muaj e muaj të tjerë të përgatitej për zgjedhje sipas orekseve të veta, do të thotë se i gjithë procesi elektoral duhej nisur nga e para.
Në të kundërt, marrëdhëniet e individëve me veten e tyre, si ajo e kryetarit de jure dhe atij de facto të opozitës, nuk kërkojnë ndonjë marrëveshje publike, ashtu siç diktojnë vlerat kolektive. Në dallim nga ndërhyrjet shoqërore, për ata nuk mund të jepen garanci të tilla, si për shembull, vënia në vend edhe për një periudhë të zgjatur e autoritetit të posteve aktuale dhe atyre tradicionale të tyre, ose përjashtimi nga procesi i Vetting-ut i emrave të veçantë të zyrtarëve me korrupsion të nivelit të lartë, sikurse të ca prokurorëve dhe gjyqtarëve, që prej kohësh janë vënë në mbrojtje fanatike të Sali Berishës, Lulzim Bashës etj. Në këto raste, ashtu si në gjithë shtetet moderne, edhe në Shqipëri, të vetmet garanci që nuk duhet dhe nuk mund të shkelen janë Kushtetuta, ligjet dhe aktet ndërkombëtare të ratifikuara në Kuvendin e Shqipërisë.
Vetëm pak ditë më parë, RTV transmetoi një intervistë të Eduart Kukan, ndjekës-raportues për Shqipërinë në Parlamentin Evropian dhe një nga titullarët e zgjedhur të Partive Popullore Evropiane, i cili i konsideroi “lëshime serioze ndaj opozitës” ato që ka bërë javën e kaluar Kryeministri në prani dhe adresë të kreut të Partisë Demokratike. Gjithashtu, edhe përpara tij e sidomos gjatë javëve të fundit u është tërhequr vëmendja eksponentëve të Partisë Demokratike dhe aleatëve të saj nga shumë emisarë diplomatikë të nivelit të lartë, si edhe ambasadorë të BE dhe ShBA, sipas të cilëve çdo bojkot i punimeve të parlamentit dhe mospjesëmarrja në zgjedhjet e përgjithshme nuk janë standarde për integrimin e Shqipërisë në Unionin Evropian. Së fundmi, edhe një delegacion prej 6 kongresmenësh amerikanë zbarkuan në Tiranë, ku pritet në fuillim të javës së ardhshme prania e Zëvendësndihmësit të Departamentit Amerikan të Shtetit, për të dhënë kontribute në zgjidhjen e ngërçit të politikës aktuale të këtij vendi të vogël ballkanik. Por e vështirë, shumë e vështirë është që ata të kërkojnë këtej e tutje zvarritjen e shumicës absolute të zgjedhësve shqiptarë në rrugën e shkurtër që i ndan këta me 18 qershorin. Dhe nëse situatat e deritashme mbeten të ngrira, domethënë kur nuk do të mund të arrihet një konsensus i pranueshëm nga të dyja palët në konflikt, atëhere shihen si rrugëdalje të vetme: ose ndarja paqësore e PD nga Kuvendi i ardhshëm, ose shtimi prej saj i përpjekjeve për përdorim të dhunës. Veçse këto përpjekje të fundit do ta sfumonin një herë e mirë vizionin shpresëdhënës për këtë forcë politike të tkurrur përherë e më tepër. Do ta sfumonin një herë e mirë vizionin për ‘të, sepse vlerat e përbashkëta të Perëndimit vendosin në qëndër të tyre lirinë dhe barazinë e secilit qytetar përkundër diktimeve antidemokratike dhe antiligjore të një grushti të tjerësh. Sigurisht që këto kufizime ndaj hyrjes në diskursin politik kudo refuzohen pa mëdyshje.
Në një plan më të gjerë këtë do ta tregonte edhe përgjigjja e pyetjes: Deri ku i përfshin përkufizimi i këtyre vlerave vendet e Ballkanit Perëndimor, përkatësisht Shqipërinë? Pyetja bëhet edhe më aktuale, kur me shumë gjasa pritet që në fund të këtij viti të merret nga Brukseli vendimi mbi çeljen e bisedimeve me BE për anëtarësimin e vendit tonë në Bashkësinë Evropiane, dhe ky hap historik do të hidhet jo vetëm me nisjen e zbatimit të reformës në drejtësi, por edhe me respektimin e lirisë, demokracisë dhe shtetësisë së të drejtës, parime bazë këto për të gjitha Shtetet Anëtare së bashku? Pikërisht nën këto kushte, që gjenden të konkretizuara në kriteret e Kopenhagenit për vlerësimin e përpjekjeve të hyrjes së anëtarëve të rinj potencialë, shprehet edhe vendi i vlerave dhe i aplikimit të tyre në politikë. Pra, kush nuk i njeh, kush nuk i pranon dhe nuk i zhvillon ato, jashtë procesit politik e ka vendin.
Redaksia Online
B.B/Shqiptarja.com