Pas fejesës plot klas e elegancë në një nga vendet më të bukura të jugut të Shqipërisë, princ Leka Zogu dhe Blerta Celibashi janë gati për një hap tjetër.
Në një intervistë për Point de Vue, ata kanë konfirmuar se po përgatiten për një dasmë. Lajmi vjen pas raportimeve se Blerta Celibashi është në pritje të ëmbël dhe çifti mbretëror shumë shpejt do të bëhet me një djalë.
Detajet e dasmës mbeten ende për t’u finalizuar, por njësoj si për fejesën, thjeshtësia do të jetë fjala kyçe.
"Gjëja më e rëndësishme për ne është të jemi të rrethuar nga të dashurit tanë dhe ta ndajmë këtë moment me ta, me sinqeritet dhe thellësi. Ne ëndërrojmë një ceremoni të mbushur me thjeshtësi dhe elegancë ... pa pompozitet apo pretendime, vetëm një moment autentik dhe prekës", tha princi.
Ndërsa vendi dhe data mbeten ende për t’u përcaktuar, programi po merr formë dita-ditës: një koktej mirëseardhjeje në prag të ceremonisë dhe një darkë. Mbi të gjitha, princi Leka dhe e fejuara e tij duan një dasmë që u ngjan atyre, shkruan revista franceze.
“Blerta dhe unë jemi mjaft klasikë. Ne i japim përparësi elegancës, të cilën e konsiderojmë më të përjetshme sesa trendet e momentit, duke i kushtuar rëndësi edhe detajeve”, shprehet princi.
Nëse disa detaje të ceremonisë nuk janë ende të finalizuara, të tjera tashmë janë vendosur. unazat do të jenë nga Tiffany & Co.
Shefi shqiptar dhe miku i familjes, Erion Fejzaj do të vijë posaçërisht nga Firence për të përgatitur darkën. Ai do të frymëzohet nga kuzhina mesdhetare, por pa harruar një menu vegjetariane për të kënaqur shijet e nuses së ardhshme.
Dashuria dhe sinqeriteti janë fjalët kyçe të kësaj martese.
“Po finalizojmë ende detajet, por një gjë është tashmë e sigurt: dëshirojmë që festa të zhvillohet në fshehtësi. Pas dy vitesh, do të përkujtojmë një ngjarje me rëndësi të madhe historike: njëqindvjetorin e monarkisë shqiptare. Planifikojmë ta festojmë me një tubim më të madh, duke mbledhur miq dhe anëtarë të familjes mbretërore në Tiranë”, shprehet princi.
Blerta ka zgjedhur edhe stilin e fustanit të saj të ardhshëm. “Stilistja kosovare Diana Qerimi është një nga më të talentuarat e brezit të saj. Ndjeshmëria e saj është në përputhje me mënyrën se si Blerta e përfytyron ditën e saj më të bukur. Veshja e Blertës do të jetë e menduar si një homazh për gjyshen time, princeshën Géraldine, e njohur për elegancën e saj. Ajo do të theksohet në mënyrë të hollë me simbole shqiptare”, përshkroi princi.
Komente










