Ndonëse nuk mori asnjë mandat në zgjedhjet e 25 prillit duket se Lëvizja Vetëvendosje do të vazhdojë të jetë aktive në Shqipëri. Kreu i VV-së në Tiranë Boiken Abazi, ka nënkuptuar se do të marrë pjesë edhe në betejat e tjera elektorale, pasi përmes një reagimi në rrjetet sociale, e ka cilësuar si të domosdoshme prezencën e Lëvizjes, që ka qendrën në Kosovë, e që ka fituar zgjedhjet në Kosovë, me kryeministër Albin Kurtin.

Ai thotë se besimin e atyre që e kanë votuar nuk do ta nëpërkëmbin por do kthehen t’i takojnë.

“Ajo që më ka prekur më shumë në këtë fushatë është varfëria e madhe e shumë qytetarëve që kemi takuar. Pasi pashë rezultatet e disa qendrave të votimit kuptova që shumë prej tyre edhe na kishin votuar. Nuk i kishim premtuar as pare as vende pune. Ata, megjithatë, kishin lexuar programin e na kishin votuar, duke sfiduar pamundësinë e duke hedhur poshtë idenë se njeriu nuk e ruan dinjitetin në varfëri. Besimin e tyre tek ne nuk do ta nëpërkëmbim. Do kthehemi e do t’i takojmë të gjithë ata që na kanë mbështetur e shumë të tjerë akoma, sepse Lëvizja tashmë është bërë e njohur, e dashur dhe e domosdoshme për gjithë Shqipërinë”, shprehet Abazi.

Kandidatët e VV-së në Shqipëri kandiduan si të pavarur por jo me logon e VV-së. Asnjë nga kandidatët e saj në Tiranë, Gjirokastër dhe në Lezhë nuk morën mandat.