TIRANE - Pasditen e djeshme fill pas ceremonisë mortore të kapterit 49-vjeçar të vetëvrarë Gëzim Taraj në apartamentin e tij në katin e dytë të një pallati në "Don Bosko" ishin mbledhur njerëzit më të afërm të farefisit të cilët mes tyre komentonin ngjarjen. Dy prej tyre të kontaktuar nga Shqiptarja. com kanë thënë dje se lajmin për vdekjen e Tarajt e kanë mësuar në orët e vona të mbrëmjes së të mërkurës ndërsa kanë shtuar se informacionet që kanë parë në medie në lidhje me depresionin e tij duken të "çuditshme" pasi ata vetë nuk kanë vërejtur diçka të tillë në sjelljen e Gëzimit, i cili punonte si nënoficer i ndërlidhjes në Ministrinë e Mbrojtjes. 

"Unë e kam kushëri të dytë dhe më shumë shok se kushëri, takoheshim shumë shpesh. Gëzimi nuk ka qenë aspak depresiv madje ka qenë një njeri shumë i komunikueshëm dhe shumë aktiv dhe nëse do kishte patur probleme të tilla diçka do kishim vërejtur dhe ne. Më duket e pavërtetë dhe nuk di çfarë emri ti vë kësaj që ka ndodhur. Thonë vetëvrasje por mendoj se është ende herët për të folur për rrethanat pasi nuk ka ende një hetim të plotë të asaj që ka ndodhur ndaj dhe unë mbetem në pritje", - u shpreh dje një i afërm i Tarajt. Por jo vetëm të afërmit por edhe fqinjët e tij shprehen të habitur nga ajo që ka ndodhur duke shtuar se Gëzim Taraj dukej si një njeri shumë i përkushtuar dhe shumë në harmoni me familjen dhe punën.

HETIMI

Ka qenë Policia Ushtarake ajo që ka marrë kompetencën dhe autoritetin për hetimin e kësaj ngjarjeje, ndërsa një fakt i tillë është konfirmuar dje edhe nga Drejtoria e policisë së Tiranës. Kanë qenë agjentët e polciisë ushtarake ata të cilët kanë dhënë dhe versionin e parë për këtë ngjarje duke e klasifikuar menjëherë si vetëvrasje ndonëse ende nuk ka përfunduar hetimi i gjithëanshëm në lidhje me këtë çështje. Përpjekjet për të hyrë në kontakt me policinë ushtarake ditën e djeshme kanë qenë thuajse të kota pasi ata janë treguar tërësisht hermetikë në dhënien e informacioneve duke u shprehur se media duhej t'i kërkonte informacionet vetëm në zyrën e shtypit të Ministrisë së Mbrojtjes. Por duket se strukturat e policisë ushtarake janë treguar tejet të vëmendshëm dhe në lidhje me reagimin e familjes së Tarajt pasi rezulton se familjarët janë "instruktuar" që të shmangin deklarimet në media ndërsa paralelisht u është premtuar një hetim rigoroz dhe zbardhje e plotë e rrethanave të kësaj ngjarje.

(Shkrimi u publikua sot ne gazeten Shqiptarja.com)

(sg/shqiptarja.com)