Rasti i vetëvrasjes së Ilvi Metës në qeli dy ditë më parë me lidhësen e kapuçit të bluzës së tij, duhet të hetohet dhe të shihet në dy pista, sipas ekspertit të kriminalistikës, Artan Rexhepit i cili foli sot në Report Tv.
I ftuar në ‘Sot Live në Shqipëri” me gazetarin Andi Kapxhiu, eksperti theksoi nevojën e rekrutimit të ekspertëve të pavarur në mënyrë që transparenca të jetë kryefjala e hetimit dhe të behet sa më i besueshëm.
“Ka dy pista. Versioni zyrtar, që për hir të së vërtetës pavarësisht se e ka detyrim ligjor, vetëvrasja.. Pista qytetar pretendimet e familjarëve. Nëse do të jemi në rastin e parë kemi shpërdorim detyre, mosveprim. Personat përgjegjës do të ndëshkohen. Për të qenë transparentë, duhet që ekspertët t’i kishin marrë jashtë institucionit. Nëse i ecim këtij versioni të familjarëve, nëse personi është dëmtuar gjatë dhunës dhe jemi para një inskenimi, që kjo është shumë e rëndë. Ndaj them që duhet të rekrutojnë ekspertë të pavarur. Problemi tjetër që do të ngrihet këtu, u fol që i ndjeri është shoqëruar disa herë. Viktimat përbalten nga policia, kjo duhet të ndalojë. Është ndalur 20 herë, sa herë ka vajtur në burg? Atëherë shumë herë mund të jetë shoqëruar edhe pa prova. Në rastet e vetëvrasjeve është taktik e detyruar hetimore që shihet edhe për vrasje dhe për vetëvrasje. Detyra e policisë është t’i ruajë në gjendje të rregull këta persona.”, tha ai.
Në lidhje live me studion e Report Tv, ishte edhe babai i Ilvit, i cili tha se djali i tij ka pasur shenja në trup, një tregues që nuk është vetëvrarë. Sipas tij djali kishte goditje në brinjë dhe në stomak.
“Si mundet që 80 kile të mbahen me lidhëse këpucësh?”, kjo është pyetja që do t’i mbetet mbase si peng babait të 31-vjeçarit.
“Trupi i Ilvit ka goditje në trup. Është shoqëruar 3-4 herë, më shumë jo, por e kanë liruar për mungesë provash. Djali thoshte që më kanë inat. Ilvi kishte dy goditje, në brinjë dhe në stomak. I kemi me foto lëndimet në trupin e djalit. Si mundet që 80 kile të mbahen me lidhëse këpucësh? Policia nuk na kanë pranuar as në komisariat dhe as në murg, më ka thënë “dil përjashta”. Do e ndjekim deri në fund me hetuesi, nuk do lë avokatë, italian do e marrë avokatin, do shesë shtëpitë vetëm të dalë e vërteta. Ai nuk u dënua 35 vjet që të vriste veten. Askush nuk e mendon këtë punë. Si vritet vetja kështu? Shkonte te motra punonte 2-3 muaj në Greqi, kthehej.”, tha babai.
Sipas ekspertit të gjitha pretendimet e familjarëve janë të thjeshta për t’u vërtetuar nëse ato hetohet ne ekspertë të pavarur dhe siç duhet. Ai i sugjeroi babait të viktimës të hapin arkivolin sa më shpejtë të jetë e mundur për të bërë këqyrjen një ekspert mjekoligjor.
“Kjo histori është e thjeshtë për t’u vërtetuar, gjatësia e djalit dihet, hekuri është aty, merret një manekin dhe vërtetohet. Nëse lidhësja e mban apo jo një person 80 kile edhe kjo zgjidhet nga ekspertët. Ju sugjeroj të merrni ekspert dhe mjek ligjor të pavarur. Ju duhet të hapni arkivolin dhe të bëni këqyrjen me një mjek ligjor të pavarur.”, u shpreh ai.
Rexhepi “dënoi” të gjitha rastet e shoqërimeve të cilat bëhen pa prova, ndërsa shtoi se ata që bëjnë një gjë të tillë duhet patjetër të penalizohen dhe të gjobiten.
“Për mua duhet të vendosen gjoba dhe penalizime për policët që shoqërojnë njerëz pa prova, nuk mund ta bëjmë këtë më. Shoqërimet e kota, të ndalen.”, tha ai.
Ilvi Meta ka varur veten me një lidhëse në Komisariatin e Kavajës dy ditë më parë, duke tronditur opinionin publik.