Vetingu, PD tejkalon Putinin
kundër Komisionin e Venecias

Vetingu, PD tejkalon Putinin<br />kundër Komisionin e Venecias
Nuk kishte si të ndodhte ndryshe. Partia Demokratike refuzon të njohë opinionin e Komisionit të Venecias, i cili konfirmoi në çdo germë ligjshmërinë dhe kushtetutshmërinë e ligjit të Vetingut.

Edhe pse e përdori dy vjet si pikë reference për bllokimin e ndryshimeve kushtetuese, opozita shqiptare, ka hedhur poshtë dje konkluzionet e Komisionit të Venecias në favor të ligjit të Vetingut, duke hapur një hulli të re konflikti me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Evropian.

48 orë pas zyrtarizimit të opinionit, opozita ka thyer më në fund heshtjen, duke vënë në dyshim përgjigjen e organit më kompetent dhe autoritar në Evropë.

Deklarata e Partisë Demokratike shënon një akt të paprecedentë në historinë e pluralizmit të Shqipërisë pasi as Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, nuk e ka diskutuar dhe vënë në dyshim verdiktin e Komisionit të Venecias, ku i ka kërkuar mendim. Deklarata është gjithashtu paradoksale. Në fillim të deklaratës, Partia Demokratike pretendon se Komisioni i Venecias ka mbështetur kërkesën e saj, por në fund të deklaratës shprehet se Venecias nuk merr përsipër të analizojë përputhshmërinë ligjit me Kushtetutën dhe legjislacionin e brendshëm.

Vijon rezistenca
Kur mendohej se opinioni i Komisionit të Venecias do t’i jepte fund betejës së fronit anti-reformë kundër ligjit të Vetingut, befas ka ndodhur e kundërta. Partia Demokratike dhe Unioni i Gjyqtarëve nuk tërhiqen nga kërkesa e tyre për të rrëzuar ligjin e Vetingut, ndonëse ligji u konfirmuar nga Venecia në përputhje me Kushtetutën e Shqipërisë dhe me nenin 6 të Konventës të së Drejtave të Njeriut.

Partia Demokratike i ka bërë thirrje dje Gjykatës Kushtetuese të vendosë për fatin e ligjit, duke e konsideruar antikushtetues. “Ne nxisim Gjykatën Kushtetuese që të përfundojë në një kohë të shkurtër shqyrtimin e kushtetutshmërisë së ligjit të Vetingut, sipas të gjithë çështjeve të ngritura në kërkesën e Partisë Demokratike. Komisioni i Venecias shprehet qartë në paragrafin 15, se nuk merr përsipër të analizojë përputhshmërinë ligjit me Kushtetutën dhe legjislacionin e brendshëm.

Kjo detyrë i takon vetëm Gjykatës Kushtetuese, e cila duhet të garantojë që ligji i Vetingut të jetë në përputhje me Kushtetutën. Vetingu, sipas Kushtetutës është garancia e vetme për largimin nga sistemi të gjykatësve dhe prokuroreve të korruptuar‎. Vetingu, sipas ligjit antikushtetues të Edi Ramës mbron të korruptuarit dhe kriminelët në pushtet”, thuhet në deklaratën e opozitës.

Paradoksi
Edhe pse deklaron se Komisioni i Venecias nuk merr përsipër të analizojë ligjshmërinë e ligjit të Vetingut, PD pretendon se opinioni mbështet shqetësimet e saj.

“Komisioni i Venecias, në paragrafin 64, ka shprehur qartë opinionin se grupi i punës i përbërë nga organet që janë nën varësinë apo ndikimin e Kryeministrit (siç janë DSIK, SHKB në Ministrinë e Brendshme, DPPPP, etj), duhet të jetë domosdoshmërisht nën mbikëqyrjen dhe kontrollin e plotë të Komisionit të Pavarur të Vetingut. Konkretisht, paragrafi 64 thekson se:

“Për Komisionin e Venecias, konkluzioni themelor është që grupi i punës, i cili ka rolin kryesor në kontrollin e figurës dhe që përbëhet nga personel sigurie, të funksionojë nën mbikëqyrjen dhe kontrollin e organeve të rivlerësimit dhe që të gjitha materialet në dispozicion të grupit të punës duhet të jenë në dispozicion të tyre”.

Ky konkluzion themelor i Komisionit të Venecias konfirmon tërësisht qëndrimin e Partisë Demokratike, se; procesi i kontrollit të gjyqtarëve dhe prokurorëve (Veting) duhet të bëhet vetëm nga organet kushtetuese të rivlerësimit, dhe se çdo organ tjetër qeveritar duhet të veprojë nën mbikëqyrjen dhe kontrollin e organeve kushtetuese të rivlerësimit (Komisioni i Pavarur i Kualifikimeve dhe Kolegji i Apelimit)”, thuhet në deklaratën e PD.

Alibia
Partia Demokratike pretendon se nuk është Komisioni i Venecias, por Gjykata Kushtetuese, ajo e cila duhet të shqyrtojë kushtetutshmërinë e ligjit të Vetingut. Pra, sipas saj, kërkesa e Kushtueses ishte e panevojshme.

“E thënë qartë, paragrafi 64 i Opinionit të Komisionit të Venecias, sanksionon se Vetingu i gjyqtarëve dhe prokurorëve duhet të bëhet jo nga Kryeministri, por nga organet kushtetuese të rivlerësimit.

Komisioni i Venecias në paragrafët 46 dhe 58 çmon se është Gjykata Kushtetuese që duhet të vlerësojë nëse organet kushtetuese të rivlerësimit, kanë kontrollin e plotë mbi organet qeveritare, si kusht që ligji të jetë në përputhje me nenet 6 dhe 8 të KEDNJ”, thuhet në deklaratën e PD.
 
Qëndrimi
“Ne nxisim Gjykatën Kushtetuese që të përfundojë në një kohë të shkurtër shqyrtimin e kushtetutshmërisë së ligjit të Vetingut, sipas të gjithë çështjeve të ngritura në kërkesën e Partisë Demokratike”.
 
Interpretimi
“Ky konkluzion themelor i Komisionit të Venecias konfirmon tërësisht qëndrimin e Partisë Demokratike, se; procesi i kontrollit të gjyqtarëve dhe prokurorëve (Veting) duhet të bëhet vetëm nga organet kushtetuese të rivlerësimit”.
 
Provokon Gjykata Kushtetuese
Çdo orë që kalon mund të konsiderohet një provokim nga Gjykata Kushtetuese, e cila nuk po mblidhet për të hequr masën e pezullimit të ligjit të Vetingut. Opinioni i Komisionit të Venecias tashmë e ka shpallur të paligjshëm vendimin e Gjykatës Kushtetuese, për pezullimin e zbatimit të ligjit të Vetingut, me kërkesë të Partisë Demokratike dhe Unionit të Gjyqtarëve.

Pika 4 e nenit 46 e ligjit për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese parashikon që gjykata në çdo fazë të shqyrtimit të çështjes, me vendim në seancën plenare, mund të heqë masën e pezullimit.
 
 
Skandali, PD manipulon opinionin e Venecias, e përkthen gabim
Partia Demokratike duket se e ka përjetuar dramatikisht opinionin e Komisionit të Venecias, i cili konfirmoi ligjin e Vetingut në përputhje me Kushtetutën.

Vetëm disa ditë më parë, opozita, akuzoi misionin EURALIUS dhe Delegacionin e BE në Tiranë për përkthim të gabuar të ligjit të Vetingut, por dje ka përkthyer vetë qëllimisht gabim përgjigjen e Komisionit të Venecias, për të manipuluar opinionin publik.

Edhe pse deklaroi se Venecia nuk është shprehur për kushtetutshmërinë e ligjit, pasi një tagër të tillë e ka vetëm Gjykata Kushtetuese, Partia Demokratike ka manipuluar dje me përkthimin e opinionit të Komisionit, duke e përshtatur me pretendimet e saj kundër Vetingut.

Konkretisht, opozita ka përkthyer gabim, duke i ndryshuar tërësisht kuptimin sintagmës “the essential consideration”, në paragrafin 64 të opinionit. “The essential consideration” do të thotë “konsiderata thelbësore”, por PD e ka përkthyer “konkluzioni themelor”.

Ndryshimi i kuptimit të sintagmës në fjalë, ka ndryshuar kuptimin e të gjithë paragrafit 64. “Për Komisionin e Venecias, konkluzioni themelor është që grupi i punës, i cili ka rolin kryesor në kontrollin e figurës dhe që përbëhet nga personel sigurie, të funksionojë nën mbikëqyrjen dhe kontrollin e organeve të rivlerësimit”, thuhet në variantin e PD.

Po tek ky paragraf, PD ka ndryshuar kohën e foljes “functions”, “funksionon”, për grupin e punës. Në opinionin e Venecias folja “functions”, është në kohën e tashme, ndërsa PD e ka përkthyer në kohën e ardhme, “të funksionojë”. Në një kohë kur Venecia thjeshtë ka bërë një konstatim, PD e ka përkthyer si një kërkesë të Komisionit që duhet realizuar. Duket qartë se Partia Demokratike po kalon momente tejet të vështira, në përpjekje për të shpëtuar gjyqtarët dhe prokurorët nga skaneri i trefishtë.


dy.b/shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Ftesa e Ramës, a duhet të kthehen emigrantët që punojnë në turizëm?



×

Lajmi i fundit

Babai i Dua Lipas nostalgjik për kohën e shkuar: Kam shitur xhaketa lëkure

Babai i Dua Lipas nostalgjik për kohën e shkuar: Kam shitur xhaketa lëkure