Vetmia e Gjikurisë dhe rrëzimi i Kyriakos Mitsotakis si ai i Albin Kurtit më parë

Vetmia e Gjikurisë dhe rrëzimi i Kyriakos Mitsotakis si ai i Albin Kurtit më parë

Kurti, Gjikuria e Mitsotakis

Duken si emra që nuk kanë shumë lidhje me njëri-tjetrin, por të tre, pavarësisht sukseseve dhe eksperiencave personale e karrierës për t’u patur zili, ngecën në Shqipëri.

I pari Albin Kurti. Një politikan rebel, idealist, antikonformist, i cili bëri të ëndërrojnë për vite me radhë shumë shqiptarë këndej e andej kufijve, tregoi se nuk kuptonte asgjë nga ajo që po ndodhte në Shqipëri. Tamam në momentin kur ky vend dhe banorët e saj po hiqnin nga shpatullat, koka, barku, trupi peshën e rëndë të një politikani destruktiv, kur Shtetet e Bashkuara të Amerikës bashkë me Britaninë e Madhe, - ashtu si në vendimet që përherë i kanë marrë bashkë në momente historike dhe kundër personazheve destruktivë – damkosën Sali Berishën si të pavlefshëm për Shqipërinë dhe popullin e saj, Albin Kurti i dha oksigjen nga mushkëritë e tij, duke i zgjatur lëngatën e duke krijuar imazhe të rreme tek shumë shqiptarë që besojnë tek Albini dhe fjala e tij. Shfaqja e Albin Kurtit dhe të tijëve krah Sali Berishës dhe mbështetësve të tij mediatikë dhe politikë në zgjedhjet e kaluara të përgjithshme, ishte fatale për besueshmërinë e tij, por edhe për punën e gjatë dhe të mundimshme të asaj pjese të shëndetshme të shoqërisë shqiptare, që me sakrifica mbinjerëzore është përballur ndër vite dhe është përpjekur t’u tregojë shqiptarëve se kush është në të vërtetë ai klan familjaro-politik, antishtet, që mbërthehet nën pushtetin e frikshëm të Sali Berishës. Albin Kurti do të mbahet mend sidomos për këtë në Shqipëri: Si politikani që për inat të Edi Ramës bëri të pamundurën të mbajë gjallë, të shtyjë edhe për ca kohë fundin politik të një prej politikanëve më të egër të Ballkanit.

Kyriakos Mitsotakis, kryeministri i Greqisë së bukur, djep i Platonit, Aristotelit, i Demokracisë, mikëpritëse e qindramijëra shqiptarëve, vendosi, edhe ky për inat të Edi Ramës të risillte në mendjet tona anën më të errët e më shoviniste të vendit fqinj ndaj shqiptarëve dhe Shqipërisë. Britmat e Çamërisë, dëbimet e shqiptarëve, ndërrimin e emrave për një pension a për ca dokumenta në vendin fqinj. Edhe Kyriakos Mitsotakis u bashkua me Berishën rreth Belerit për të na treguar të gjithëve se “nuk bëhet shaka kur vihesh kundër Greqisë”. Askush nuk e kishte informuar në Athinë se dëshira e shqiptarëve për të lënë pas politikanët shkatërrues, që prenë agrume e ullinj, që shkatërrojnë prodhimet vendase për t’i hapur vendin atyre të importit (Greqise e Serbise), që shajnë nga mëngjesi në darkë Shqipërinë vetëm e vetëm që të shpëtojnë nga të zezat që kanë bërë me duart e tyre, është më e madhe, më e fortë dhe më e pakthyeshme se çdo “dinakëri greke”. Edhe Kyriakos Mitsotakis do të mbahet mend si greku që për inat të shqiptarëve bëri aleancë me shqiptarin më të keq për t’ja marrë Himarën Shqipërisë.

E në fund Petro Gjikuria. Nuk e di nëse janë të vërteta aderimet e tij antishqiptare në lobin grek të Amerikës, por për të flet një foto më shumë se të gjitha kronikat e 4 gushtit, ditës së zgjedhjeve për kryebashkiak të Himarës, përballë Vangjel Tavos. Ai i vetëm, teksa hante një byrek. Petro Gjikuria dhe byreku i tij do të mbahen mend si simboli i përgjigjes ndaj politikave antishqiptare në Shqipëri të bëra vetëm për interesa personale. Askush nuk i tha atij në SHBA, para se të nisej, se gjërat kanë ndryshuar në Shqipëri dhe se shqiptarët e kanë me merak e me vendosmëri të gjejnë ndoshta ende jo më perfektët, por deri tani, ata që janë më pak të dëmshëm e më shumë konstruktivë për këtë cep të vuajtur e të traumatizuar të Ballkanit Perëndimor nga politikanët e tij. Petro Gjikuria nuk kishte mësuar një tjetër gjë që po ndodh mes atyre që e kandiduan: se janë ata që i kanë më zët se kushdo tjetër shqiptarët që jetojnë jashtë Shqipërisë. Janë atë që urrejnë të huajt e që quajnë të huaj sidomos shqiptarët në emigracion që nuk janë përlyer e stërvitur me hilet që në Shqipëri këta i kanë bërë baltë.

Përtej kësaj dhe këtyre, shqiptarët e Shqipëria është e vendosur të mendojë mirë për këdo e të vazhdojë në përmirësim.

xy/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Si është gjendja e Metës? Faik Basha: Po drejton aksionin opozitar nga burgu! Së shpejti do lirohet, në 2025 kandidat për kryeministër

Si është gjendja e Metës? Faik Basha: Po drejton aksionin opozitar nga burgu! Së shpejti do lirohet, në 2025 kandidat për kryeministër