Takova një mik të vjetër diplomat amerikan, përkrahës shumëvjeçar i Bidenit dhe më tha se presidenti Trump është duke bërë për Ballkanin Perëndimor më shumë se presidenti Biden, duke marrë për shkas ultimatumin që i ka dhënë administrata amerikane Serbisë lidhur me pronësinë ruse në industrinë e naftës (NIS), gjegjësisht një ultimatum për shkëputje nga varshmëria energjetike ruse.
Nëse Serbia do ta bënte këtë hap, Rusia do të humbiste njërën prej shtyllave të ndikimit ndaj këtij vendi, gjë që supozohej do t’i lejonte që të shkëputet prej pikave të tjera të ndikimit në sferë të sigurisë dhe politikës së jashtme. Ky është një paradoks, pranoi ai, që një ithtar i presidentit Biden (dhe anëtar i ekipit të politikës së jashtme për zgjedhjen e tij president) të deklarojë se një lëvizje strategjike e administratës Trump mund të bëjnë më shumë se katër vjet të vardisjes ndaj pushtetit në Beograd që të kalojë në anën e Perëndimit.
Disa ditë më vonë u botua NSS 2025, Strategjia kombëtare e sigurisë e SHBA-ve, dokumenti i kthesës më dramatike në politikën e jashtme amerikane gjatë këtij shekulli, për më tepër, që nga rënia e Murit të Berlinit. Në të fjala paradoks e mikut tim mori formë të zgjeruar në marrëdhëniet Serbi-Kosovë, sepse u shpall se presidenti Trump kishte negociuar brenda këtij viti paqen mes dy vendeve.
Ndonëse liderët e dy vendeve nuk kanë shpallur një gjë të tillë përgjatë këtij viti dhe për këtë mund të bëhen interpretime të ndryshme, të marrim për një moment të mirëqenë e të mirëpranueshëm paradoksin e një paqeje të negociuar, e për të cilën nuk dinë liderët e dy vendeve të prekura. Pra, konstatimi se presidenti amerikan ka arritur paqe mes Kosovës dhe Serbisë do të thotë përgjegjësi të mëtejme të tri vendeve për mbajtjen e paqes-të Kosovës, Serbisë dhe SHBA-së, si dhe përgjegjësisë të cilitdo prej dy vendeve-Kosovës dhe Serbisë-për veprime që prishin paqen mes dy vendeve. NSS bëhet kështu përcaktues i realiteteve të reja.
Dokumenti i Shtëpisë së Bardhë është kthesa më radikale e politikës së jashtme amerikane prej rënies së Murit të Berlinit dhe në leximin tim kjo ndodh për dy faktorë thelbësorë. I pari është leximi i saktë i momentit historik. NSS-ja shpall të përfunduar kohën e SHBA-së si forcë e vetme globale, identifikon besimin e gabuar strategjik amerikan (“domethënë, duke hapur tregjet tona për Kinën, duke inkurajuar bizneset amerikane të investojnë në Kinë dhe duke ia dhënë Kinës prodhimin tonë, ne do ta lehtësonim hyrjen e Kinës në të ashtuquajturin "rend ndërkombëtar i bazuar në rregulla".
Kjo nuk ndodhi. Kina u pasurua dhe u fuqizua, dhe përdori pasurinë dhe pushtetin e saj në avantazhin e saj të konsiderueshëm”), përcakton nevojën e “stabilitetit strategjik me Rusinë” dhe sheh një Lindje të Mesme të re si pikë bashkërenditje në politikat amerikane jo tashmë vetëm të sigurisë por edhe të energjisë bërthamore, Inteligjencës artificiale e të ngjashme.
I dyti është-dhe ja sërish një paradoks-leximi ideologjik i momentit historik. Në tërë këtë rivendosje strategjike NSS e sheh Evropën, një aleate e natyrshme amerikane, me sytë e ideologjisë MAGA. “Evropa Kontinentale ka humbur një pjesë të PBB-së globale - nga 25 përqind në vitin 1990 në 14 për qind sot - pjesërisht për shkak të rregulloreve kombëtare dhe transnacionale që minojnë kreativitetin dhe punën e palodhur. Por kjo rënie ekonomike është eklipsuar nga perspektiva reale dhe më e zymtë e fshirjes së qytetërimit.
Çështjet më të mëdha me të cilat përballet Evropa përfshijnë aktivitetet e Bashkimit Evropian dhe organeve të tjera transnacionale që minojnë lirinë dhe sovranitetin politik, politikat e migracionit që po transformojnë kontinentin dhe po krijojnë konflikte, censurën e fjalës së lirë dhe shtypjen e opozitës politike, rënien e lindjeve dhe humbjen e identiteteve dhe vetëbesimit kombëtar”.
Kjo pikë ka shkaktuar reagimet e menjëhershme të politikanëve e intelektualëve anembanë Evropës, të cilët ende nuk e kanë harruar fjalimin e nënkryetarit JD Vance në Konferencën e Mynihut në të cilën u shpreh avokimi i hapët për grupet e skajshme të djathta evropiane. Kur NSS thotë se “ne duam të mbështesim aleatët tanë në ruajtjen e lirisë dhe sigurisë së Evropës, ndërkohë që rivendosim vetëbesimin qytetërues të Evropës dhe identitetin perëndimor” , kjo lexohet kudo në Evropë si recetë për një politikë që do të bëjë përpjekje replikimi me politikën e presidentit amerikan , diçka që tashmë ka filluar me kryeministrin Orban dhe bashkëmendimtarët me MEGA (Make Europe Great Again).
Ky është një paradoks i dyfishtë i NSS, ngase në të vendosen dy parime thelbësore të rendit të ri botëror. Së pari, ringjallet doktrina Monroe e shekullit XIX, me të cilën e tërë Amerika, prej Alaskës e deri në Argjentinë bëhet sferë interesi amerikan, në të cilën nuk mund të përzihet kush. Paradoksi është se kjo doktrinë ishte pjesë e një marrëveshjeje të heshtur: Amerika nuk do të lejonte përzierje në hemisferën e saj në këmbim për mospërzierje amerikane në luftërat evropiane.
Këso here SHBA-ja kërkon që kush të mos përzihet në hemisferën e saj, ndërkohë që do të përcaktojë se si do të duket Evropa. Dhe, paradoksi i dytë është kërkesa që marrëdhëniet ndërkombëtare të jenë produkt i veprimeve mes shteteve sovrane, por ndërkohë sovranitet është edhe e drejta e shteteve evropiane të përcaktojnë veç e veç e në bashkësi se çfarë do të jenë vlerat e tyre. NSS me gjuhën e vet të ngjashëm me Projektin 2025 të Fondacionit Heritage vlerat evropiane i konsideron si pjesë të dekadencës së kontinentit. Por, disa prej reagimeve evropiane, posaçërisht nëse mbesin te çështja e vlerave dhe definicioneve që mund të tingëllojnë si ofenduese (“perspektiva reale dhe më e zymtë e fshirjes së qytetërimit”) mund të kenë ngjashmërinë me shikuesin e truqeve të magjistarit që vështron dorën e gabuar, atë që tërheq vëmendjen por nuk e bën “magjinë”.
NSS është duke paraqitur një rikonfigurim strategjik që fillon me ballafaqimin e gjithmbarshëm me Kinën dhe vazhdon me rrjedhë të natyrshme gjeopolitike në tërë globin. Në këtë rikonfigurim vektorial Evropa nuk e ka rolin e iniciuesit e as penguesit; përgjatë katër vjetëve të kaluar, e për më tepër që nga viti 2014, Evropa nuk ka arritur që të ndalë agresionin rus në Ukrainë. Nëse këtë përgjegjësi e merr dhe e kryen SHBA, rezultati do të jetë “stabiliteti strategjik me Rusinë”, një ribalansim marrëdhëniesh politike, ushtarake dhe ekonomike që do të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në Evropë.
Evropa- me rikonfigurimin e propozuar të NSS karshi Kinës, Rusisë dhe Lindjes së Mesme-merr rolin e marrësit e pasojave të rikonfigurimit, jo aktor aktiv në përcaktimin e rikonfigurimit. Për më tepër, kjo kthesë historike amerikane-mbase e zhveshur prej ideologjizmave por me vektorët e mbetur-do të jetë politikë e jashtme amerikane edhe për presidentët që vijnë, nga cilado parti të vijnë. Për Evropën, çështja e përkrahjes së J.D. Vance për partitë e skajshme të djathta evropiane do të duhet të jetë çështje e dorës së dytë dhe kalimtare. Ajo që do të mbetet është mundësia e një bote të ndryshuar me lëvizje tektonike në të cilën pozicioni i Evropës është ai i rolit dytësor./Koha
Komente









