Vettingu në polici, Lleshaj kërkon shtyrje të afatit, Ndreu: Garda duhet të përjashtohet!

Vettingu në polici, Lleshaj kërkon shtyrje të afatit, Ndreu: Garda duhet të përjashtohet!

Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj

Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj ka kërkuar sot në Komisionin e Sigurisë shtyrjen e afatit të vettingut në polici. Sipas ligjit aktual, Vettingu në Policinë e Shtetit duhet të përfundojë në mars të vitit 2020. Por duke parë ecurinë si po ecën vettingu për gjyqtarët dhe prokurorët, kohën që po merr, ministri kërkoi heqjen e limitit kohor, i cili ishte marsi i vitit 2020 për mbylljen e procesitnë Policinë e Shtetit. "Pra, ne i japim kohë vetes për të vazhduar procesin e vettingut edhe më gjatë, në mënyrë që ai të realizohet gjerësisht" tha ministri. Gjithashtu ministri kërkoi edhe një ndryshim përsa i përket komisioneve. 

Pra Lleshaj kërkoi që në vend të dy komisioneve të përkohshme, që do të ngriheshin me ligjin aktual, të vazhdojë SHÇBA të kryejë detyrën, për të vetuar pjesën e mbetur të Policisë së Shtetit, Gardës dhe vetë SHÇBA-së. "Në fazën e parë nga Komisioni i Kashtëm i Vettingut do të vetohet trupa drejtuese e Policisë së Shtetit, pra rreth 300 drejtues të Policisë së Shtetit, që në thelb përbën që nga niveli komisariat e deri në Drejtorinë e Përgjithshme dhe vetë SHÇBA-ja dhe pastaj pjesën tjetër do të kryhet nga vetë SHÇBA, e cila siç e thashë e ka për mision ligjor të bëjë pikërisht këtë detyrë sot dhe për sa kohë të ekzistojë" tha ai.

Deputeti socialist Pjerin Ndreu është shprehur se Garda e Republikës duhet të ishte përjashtuar nga Vettingu. “Unë mendoj se Garda duhet të përjashtohet nga kjo skemë e vettingut. Garda ka një rol të shërbimeve statike kryesisht të personaliteteve të larta të shtetit dhe të homologëve që vijnë. Ndërsa policia ka tjetër pozicion dhe unë mendoj se duhet të ndahen” tha Ndreu.

Ndërsa Myslim Murrizi, demokrati që u përjashtua nga PD-ja, pasi nuk pranoi që të dorëzonte mandatin u shpreh se vettingun në polici mund ta bënte shumë SHÇBA-ja (Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesave) nëse do të ishte lënë që të punonte pa presion dhe të mos përdorej si kamxhik."Duhet të jemi më të hapur. Vettingu erdhi si pasojë e delirit të atij që ju vendosët ministër pas kampionit. Ne kemi SHÇBA-në, por nuk është lënë dhe është përdorur si kamxhik" tha ai.

Fjala e plotë e ministrit Sandër Lleshaj
Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj ka prezantuar sot para deputetëve të Komisionit parlamentar për Sigurinë Kombëtare disa propozime “Për disa ndryshime në Ligjin 12/2018 “Për Vlerësimin Kalimtar dhe Periodik të Punonjësve të Policisë Së Shtetit, Gardës Së Republikës dhe Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat, në Ministrinë e Brendshme”. Ministri tha se ndryshimi thelbësor që propozohet ka të bëjë me heqjen e limitit kohor, që ishte caktuar në mars të vitit 2020, që konsiderohet si i pamundshëm për t’u realizuar. Ndryshim tjetër i rëndësishëm është përbërja e dy Komisioneve të Brendshme, të cilat sipas propozimeve, do të plotësohen nga strukturat e SHÇBA-së pa cënuar punën e strukturave të tjera të Ministrisë së Brendshme.

Problemi kryesor, i cili është identifikuar gjatë kësaj periudhe, që lidhet me ligjin për vettingun në Policinë e Shtetit, lidhet me realizimin e tij. Sipas ligjit aktual, Vettingu në Policinë e Shtetit duhet të përfundojë në mars të vitit 2020. Në qoftë se ne do të konsiderojmë kohën që është dashur për të kaluar procesin e vettingut për rreth 100 prokurorë dhe gjyqtarë, pra rreth 2 vjet, do të kuptojmë fare qartë që për të kaluar një proces të rregullt dhe të kujdesshëm, vettingu për rreth 13 mijë punonjës të Policisë, të Gardës dhe SHÇBA-së, do të kërkojë një kohë shumë herë më të gjatë se sa koha, e cila është praktikisht në dispozicion me ligjin aktual. Për arsye se ligji ka parashikuar vitin 2020 siç thashë, pranverën e vitit 2020, më saktë marsin e vitit 2020, për ta mbyllur procesin.

Duke parë këtë situatë, pas diskutimeve të rëndësishme që janë kryer në strukturat e Ministrisë së Brendshme, Policisë së Shtetit, Gardës së Republikës e SHÇBA, është konkluduar se ne duhet të ndërmarrim disa ndryshime formale, të cilat nuk prekin kurrsesi thelbin e ligjit.

Ndryshimet konsistojnë, pa hyrë në detaje, konsistojnë së pari në heqjen e limitit kohor, i cili ishte marsi i vitit 2020 për mbylljen e procesit. Pra, ne i japim kohë vetes për të vazhduar procesin e vettingut edhe më gjatë, në mënyrë që ai të realizohet gjerësisht.

Së dyti, nuk është prekur asnjë kriter, asnjë standard, pra ngelen po të njëjtat kritere dhe standarde, por është ndryshuar diçka që ka të bëjë me trupat që do të kryejnë vettingun. Ligji aktual parashikon një trupë të jashtme vettingu dhe dy trupa të brendshme vettingu. Është propozuar që trupa e jashtme të mbetet, ndërkohë ajo e ka filluar punën, pra komisioni i jashtëm i vettingut, i cili përbëhet nga personalitete të caktuara nga fusha të ndryshme, që kanë ardhur nga jashtë Ministrisë dhe jashtë sistemit të policisë apo të organeve që vetohen, dhe kjo trupë e jashtme do të kryejë detyrën siç është parashikuar dhe në ligjin aktual. Pra do të kryejë vettingun për pjesën kryesore të drejtuesve të lartë të Policisë së Shtetit, të Gardës së Republikës dhe të SHÇBA-së.

Ndërkohë që ligji aktual parashikon ngritjen edhe të dy strukturave të tjera të brendshme, pra i komisionit qendror dhe të komisioneve vendore, të cilat do të kenë për detyrë pastaj të vazhdojnë procesin e vettingut për pjesën e mbetur të Policisë së Shtetit, për pjesën më të madhe të saj.

Sipas analizave tona, krijimi i këtyre grupeve ad-hoc është i komplikuar dhe nuk do të sillte atë që pritej, as në kohën e duhur por as në cilësinë e duhur për arsye se, pak a shumë bëhet fjalë që trupat e brendshme të ngrihen me staf të vetë Ministrisë së Brendshme, thjesht që t’i largojmë nga detyra dhe të kryejnë një funksion në kuadër të strukturave ad-hoc.

Dhe arsyetimi i bërë është ky - derisa bëhet fjalë që ne do të kemi struktura të brendshme, por ad-hoc të përbëra nga punonjës të vetë strukturave të Policisë së Shtetit, të SHÇBA-së apo të Gardës, është konkluduar që këtë punë mund ta bëjë më mirë vetë SHÇBA-ja, e cila pas vettingut, pra pasi të marrë trajtën e saj përfundimtare, pasi të certifikohet integriteti, profesionalizmi dhe kriteret e tjera për SHÇBA-në, mund ta kryejë këtë funksion për pjesën e mbetur të Policisë së Shtetit dhe pa pasur një presion kohor deri në këtë apo atë datë, në mënyrë që të ketë mundësi të punojë në qetësi dhe të respektojë të gjithë ato kriteret të cilat janë parashikuar.

Ky propozim që bëhet për të ngarkuar SHÇBA-në me vijimin e punës për pjesën tjetër të strukturave, lidhet edhe më një fakt tjetër të rëndësishëm: SHÇBA-ja në fakt ekziston pikërisht për këtë. SHÇBA-ja është krijuar si një institucion ligjor, është i ngarkuar me detyrën që të ruajë, të kujdeset që strukturat e Ministrisë së Brendshme, pra Policia e Shtetit, Garda e Republikës, vetë SHÇBA-ja të jenë struktura të vetuara, të jenë struktura me integritet, struktura me profesionalizëm dhe përkushtim, dhe të ruhen nga çdo lloj infiltrimi i lidhjeve të papërshtatshme, i lidhjeve me krimin dhe fenomene të tjera, të cilat për fat të keq nuk janë të panjohura ndër ne.

Për ta përmbledhur shkurt, do të thosha, në ligj nuk bëhet asnjë ndryshim substancial. I vetmi ndryshim është heqja e limitit kohor të marsit 2020, që e bën ligjin praktikisht të pamundur për t’u zbatuar dhe, në vend të dy komisioneve të përkohshme, që do të ngriheshin me ligjin aktual, të vazhdojë SHÇBA të kryejë detyrën, për të vetuar pjesën e mbetur të Policisë së Shtetit, Gardës dhe vetë SHÇBA-së.

Siç e thashë, në fazën e parë nga Komisioni i Kashtëm i Vettingut do të vetohet trupa drejtuese e Policisë së Shtetit, pra rreth 300 drejtues të Policisë së Shtetit, që në thelb përbën që nga niveli komisariat e deri në Drejtorinë e Përgjithshme dhe vetë SHÇBA-ja dhe pastaj pjesën tjetër do të kryhet nga vetë SHÇBA, e cila siç e thashë e ka për mision ligjor të bëjë pikërisht këtë detyrë sot dhe për sa kohë të ekzistojë.

/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Mali: 25/03/2019 13:10

    Garda nuk mund te perjashtohet nfa vettingu pasi gardistet ne shjme raste luajne sekserin. Po te shikosh ne parkamentin shqiptar gjate kertre 29 viteve nuk shikon tjeter veçse gardiste. A eshte normale kjo? Jo! Nuk eshte aspak normale pasi nuk kemi pasur asnje rast te ndonje gjenerali apo drejtuesi te larte te policise dhe sherbimit qe te hete pjese e parlamentit.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qene per ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Përplasja e avionit, Korea e Jugut shpall 7 ditë zie kombëtare

Përplasja e avionit, Korea e Jugut shpall 7 ditë zie kombëtare