Procesi i ngadaltë i vettingut po ndikon në plotësimin e vakancave të krijuara në gjykata përfshi edhe të Lartën. 23 kandidatët që kanë aplikuar për Gjykatën e Lartë, 6 prej të cilëve nga radhët e gjyqësorit, ende nuk e kanë kaluar vettingun.

Pritet që në mbledhjen e javës së ardhshme Këshilli i Lartë Gjyqësor  të marrë në shqyrtim dy kandidatë të cilët i kanë kaluar të gjitha fazat e verifikimit dhe do të emërohen. Kështu, dyshja e re e pritshmë në Gjykatën e Lartë do ta çojë në pesë numrin e gjyqtarëve , nga 19 që duhet të jenë në total.

Ndërkohë gjykatat që kanë mbetur pa gjyqtarë në rang vendi janë ajo e krimit të organizuar, e Apelit pranë GJKKO, gjykata e Apelit Administrativ dhe gjykata e Apelit Shkodër, Korçë, Gjirokastër.

Pritet që KLGJ të fusë në sistem edhe 17 nga 19 magjistratët e sapodiplomuar, ndërsa 2 të tjerë janë ende në proces verifikimi për pasurinë, integritetin moral e profesional.