A ka nevojë sot shqipja e njësuar për reformë drejtshkrimore?
Unë besoj se po – sikurse e kanë vënë në dukje kolegë të shumtë para meje, drejtshkrimi i shqipes, i sanksionuar në Kongresin Drejtshkrimor të vitit 1972, mund të thjeshtohet dhe të përmirësohet nga pikëpamja funksionale.
Natyrisht, këtu flasim vetëm për drejtshkrim, ose për atë sistem rregullash, pak a shumë arbitrare, që kodifikojnë marrëdhëniet midis formës së shkruar dhe formës së folur të gjuhës; dhe jo për normën gramatikore, e cila është diçka tjetër (p.sh. paskajorja etj.); as për bazën dialektore të shqipes standard.
Është thënë se drejtshkrimi i shqipes ndjek parimin fonologjik: fjalët shkruhen ashtu siç shqiptohen. I shprehur në këtë mënyrë, parimi lë shteg për interpretime të ndryshme – meqë parakupton një shqiptim të njësuar, ose normë drejtshqiptimore, e cila në fakt nuk ka ekzistuar ndonjëherë.
Për shumë prej nesh, parimi fonologjik vlen vetëm në trajtën e vet të përmbysur: shqipja do të shqiptohet ashtu siç shkruhet. Bash në këtë pikë, ndihet nevoja për një reformë të drejtshkrimit, meqë janë të shumta rastet kur fjalët nuk po shqiptohen më ashtu siç shkruhen.
Gjuhët që ndjekin parimin fonologjik, si shqipja, kanë të mirën e madhe që janë të lehta për t’u mësuar të shkruhen nga ata që i kanë amtare; por edhe të keqen e madhe, që drejtshkrimi i tyre gjithnjë rrezikohet nga evoluimi i natyrshëm i shqiptimit.
Në këtë mes, zgjidhja ideale do të ishte të gjendej një drejtpeshim midis shkrimit dhe shqiptimit, në mënyrë që edhe drejtshkrimi të kodifikohet i tillë që jo vetëm t’u përgjigjet prirjeve të tashme të evoluimit shqiptimor, por edhe t’u paraprijë atyre; në një kohë që drejtshqiptimi të mbështetet më shumë në trajtat e shkruara, duke iu larguar ndikimeve dhe tundimeve krahinore.
Nga kjo pikëpamje, vend për reformë drejtshkrimore ka; sikurse ka edhe gjuhëtarë profesionistë kompetentë, për të pikasur ato pika të dobëta në sistemin drejtshkrimor, ku mund të ndërhyhet (të tilla si ë-ja e patheksuar).
Po ku qëndron rreziku i kësaj reforme, atëherë?
Reforma sjell me vete, praktikisht, dy rreziqe.
Së pari, ajo krijon iluzionin se problemet që ka sot shqipja, shumë serioze në vetvete, mund të zgjidhen nëpërmjet një reforme drejtshkrimore; në një kohë që këto probleme lidhen, para së gjithash, me dobësinë e sistemit arsimor dhe të edukimit gjuhësor, si dhe me krizën e përgjithshme të autoritetit në një shoqëri të sunduar nga aritmetika dhe morali i tregut (përfshi këtu edhe përllogaritjet e ‘demokracisë gjuhësore’, ose të përpjesëtimeve demografike dhe krahinore). Ata që e shkruajnë sot shqipen keq, e bëjnë këtë jo ngaqë drejtshkrimi i shqipes ka të meta, por ngaqë ata vetë janë të mangët, në edukimin e tyre gjuhësor; si dhe ngaqë shumë prej nesh refuzojnë ta kuptojnë nevojën e standardit gjuhësor, si një nga themelet e shoqërisë moderne. Këta njerëz keq do ta shkruajnë shqipen edhe me drejtshkrimin e ri; për një pjesë prej tyre nuk ka shpëtim.
Rreziku i dytë ka të bëjë me autoritetin dhe mundësitë financiare dhe organizative të institucioneve që do ta kryejnë reformën drejtshkrimore. I njëjti faktor që ka çuar, mes të tjerësh faktorë, në krizën gjuhësore të tanishme (ku asnjë gazetë nuk arrin, në thelb, ta zbatojë normën gjuhësore në mënyrë korrekte), ose kriza e autoritetit mbarëkombëtar për arsye kryesisht politike (pamundësia jonë për ta adoptuar pluralizmin), do të ndikojë edhe në këtë drejtim. Ndërkohë, reforma në drejtshkrim kërkon mobilizim kapilar njerëzish dhe mjetesh, në qendër dhe në periferi; dhe sidomos një reformë themelore të shkollës, e cila duket utopike, në rastin më të mirë – mjaft të përfytyrosh rishkrimin e teksteve shkollore dhe ritrajnimin e mësuesve të gjuhës shqipe anembanë trevave shqipfolëse.
Prandaj, edhe nëse kryhet një reformë drejtshkrimore shkencërisht e mbështetur dhe kulturorisht e ndjeshme, ajo sot pas gjase nuk do të përkrahet veçse nga një pjesë e shqipshkruesve; në një kohë që pjesa tjetër nuk do ta pranojë dhe do të vazhdojë të ndjekë modelin e vjetër, edhe pas përfundimit të periudhës ndërkalimtare (grace period). Kësisoj, palët politike të kundërta do të pajisen edhe me variantet drejtshkrimore përkatëse; dhe shqipja do të shkruhet, në thelb, me dy forma të ndryshme pak a shumë të legjitimuara; çfarë ka ndodhur, tani vonë, me gjuhë shumë më solide se shqipja, të tilla si rumanishtja dhe holandishtja.
Kështu, në holandishte, reforma e vitit 1995 ka çuar në përdorimin e dy sistemeve të ndryshme të drejtshkrimit, njëri nga shkollat dhe institucionet, tjetri nga mediat. Në Rumani, drejtshkrimi i disa fjalëve me î, përkatësisht â, të cilat zanore sot shqiptohen njëlloj, por që shkruhen ndryshe për arsye historike (ose më mirë pseudo-historike), u thjeshtua në vitin 1993 – shkrimi me î i fjalëve të tilla si romîn (dhe jo român) konsiderohej gjerësisht si mbeturinë e një sistemi drejtshkrimor të imponuar nga regjimi komunist. Drejtshkrimi i ri, megjithatë, nuk është adoptuar nga të gjitha entet botuese, publike dhe private; disa revista, si România literară, i lejojnë autorët të përdorin atë sistem drejtshkrimor që dëshirojnë.
Edhe në frëngjishte, një ndryshim në drejtshkrimin e rreth 2000 fjalëve i urdhëruar në fund të vitit 1990 nga qeveria franceze ende ka mbetur i pa-adoptuar në shkallë të gjerë; dhe nuk dihet se kur do të përfundojë periudha ndërkalimtare, kur të dy format drejtshkrimore lejohen të përdoren. Ndërkohë, siç dihet, reforma drejtshkrimore e gjermanishtes ndeshi në rezistencë të madhe nga shoqëria civile; dhe autoritetet nuk arritën të merren vesh për mënyrën si do të zbatohej reforma dhe si do të imponohej drejtshkrimi i ri. Për pasojë, i vetmi rezultat konkret i reformës së drejtshkrimit të gjermanishtes është pështjellimi në përdorimin publik të kësaj gjuhe, sa i përket drejtshkrimit të saj. Sipas disa anketave, gati 80% e gjermanofonëve midis moshave 30 dhe 40 vjeç refuzojnë të përdorin drejtshkrimin e ri.
Ndoshta ndonjë promovues entuziast i reformës drejtshkrimore të shqipes synon të arrijë pikërisht këtë rezultat: ose shkërmoqjen e njësisë gjuhësore të shqipes, në nivel institucional dhe zyrtar. Nuk dua të paragjykoj askënd, por është e nevojshme, në këto rrethana, që të luhet me karta të hapura; çka do të thotë se nismëtarët e reformës drejtshkrimore duhet t’u përgjigjen, publikisht, të paktën këtyre dy pyetjeve: (1) Çfarë përparësie ka reforma drejtshkrimore, në kontekstin e problemeve që përjeton sot shqipja e shkruar: dhe (2) A e kanë marrë parasysh, këta nismëtarë, mundësinë që reforma drejtshkrimore, e kryer sot, ta ndajë shqipen e njësuar më dysh, sikurse ka ndodhur, tani vonë, me gjuhë të tjera që kanë guxuar të eksperimentojnë me drejtshkrimin?
*Marrë nga Peisazhe të Fjalës
/Shqiptarja.com