Në tregun e Pogradecit, 1 kg rrush “Viktoria”, i bardhë tregtohet nga 170-200 lek për kg. Prodhimi vendas nuk ka ardhur në treg. Tregu dominohet nga prodhimi i Beratit dhe rrushi i huaj, kryesisht nga Maqedonia e Veriut.
Pas vëzhgimit në tregun e qytetit, ne udhëtuam drejt Leshnicës, zonë e njohur për prodhimin e kësaj kulture. Këtu fermerët janë në kulmin e punës, vjelin rrushin në vreshta dhe e grumbullojnë për verë e raki.
Çmimi i shumicës këtu në Leshnicë është 50-100 lek për kg, tregtarët nuk shfaqin interes për rrushin vendas. Ndersa fermerët flasin për vështirësitë.
Zafer Orhani, fermer tha se “nuk ka treg, punojmë gjithë vitin dhe heqim punë sa mundemi, me ilaçe me plehra dhe në fund puna është se ngelet këtu stok. Po ne ku ta gjejmë, me 50 lekë e japim. Por edhe me 50 lekë dhe nuk vjen kush nuk pyet njeri, a ke a ske. Kjo ndodh se po të shkosh në Pogradec tek tregu me shumicë, gjen rrush të huaj, thonë që është nga Berati, por ai rrezik që vjen nga Greqia, dhe është rrush që është me pesticide, ndërsa rrushi jonë është bio nuk e pëlqejnë.
“Ne kemi diku te dy dynymë gjysmë si familje, kemi dy dynymë e gjysmë vresht. Nuk na shitet. Vitet e para shitej, me çmim të ulët, por shitej. Po këto vitet e fundit, sidomos tre vitet e fundit, as një kilogram nuk kemi shitur si familje. I kemi në bidona, mbushim shtëpinë me bidona. Janë plot me raki e verë. Edhe rakia, edhe vera nuk shiten”, tha nje tjeter fermere.
Edhe vera dhe rakia që prodhojnë më mënyrë artizanale rrezikon të mbetet stok.
Vladimir Lipo, kryeplak i Leshnicës shprehet se “siç e shihni dhe vetë këtu, fshati i Leshnicës është nga fshatrat që ka më shumë në vreshtari dhe pemëtari, por për momentin, një pjesë e mirë e vreshtarisë ka rënë. Shumë nga banorët, gati gjysma e fshatit, ose edhe më shumë se gjysma, mund të themi rreth 70% e banorëve, merren me rrushin. Por nga vitet e tjera, ky vit ka qenë më problematik për banorët, sepse nuk kanë arritur t’i shesin. Pjesa dërrmuese po e mbledhin dhe po e shtijnë për vete. Gjithsesi, po t’i pyesësh fshatarët, akoma kanë verë dhe raki të pashitur nga vitet e shkuara. Kështu që problemi është tregu.”
Tregu dominohet nga rrushi i importit, ndërsa prodhuesit vendas kerkojne ndihme nga shteti.
“Është futur rrush nga Maqedonia, nga Greqia, vjen edhe nga rrethet e tjera. Shteti duhet ta sigurojë këtë, të ndihmojë prodhimin e fshatarit. Të dalë fillimisht prodhimi i vendit, pastaj le të futet nga jashtë. Po të mos mbushet tregu me tonat, mos të lejohet hyrja e tjerëve. Në radhë të parë, shtetit, edhe kryeministrit. Të kthejë kokën nga fshati, të shohë problemet e fshatit. Në radhë të parë. Që të kemi një siguri. Ne blejmë plehra, ilaçe e të tjera. I kemi ende të shënuara lekët e ilaçeve, s’i kemi larë dot”, u shpreh fermerja.
Qarku Korçës numëron mbi nje mije hektare me vreshta, te varieteteve të ndryshme por kryesisht shkon per industri, pasi nuk shitet në tregjet e pakicës.
Komente










Tani te ankohesh per mungese tregu,per rrush Pogradeci qe tregetaret nuk e duan t'a tregtojne,t'a zeme ne Tirane,Durres,Sarande,do u jepja te drejte,por per rrush Pogradeci qe shitet ne Pogradec,nuk mund te ankoheni pse tregetaret nuk kane interes.Te pragu i shtepise e keni,shkoni shiteni vete ne Pogradec e s'keni nevoje as per tregtare,as per ndermjetes.
Përgjigju