Kristjan Sterjo, 20 vjeçari i cili akuzohet për vrasjen e Joan Zukos, është lënë në arrest me burg, sipas masës së sigurisë të njoftuar sot nga Gjykata e Korçës. Mbi autorin rëndon akuza për veprën penale vrasje me paramendim si dhe mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit.
I riu e vrau bashkëmoshatarin pasditen e 8 gushtit pas disa konflikteve të mëparshme mes tyre dhe një zënke ku autori pretendon se viktima i kishte ngacmuar të dashurën. Sipas dëshmisë së tij, ditën e ngjarjes e ka parë Zukon në një ‘Benz’, i shoqëruar nga dikush tjetër dhe i ka kërkuar të ndalonte. Kur i është afruar për t’u sqaruar, 20-vjeçari nxori një thikë dhe qëlloi drejt tij, më pas e shau.
Ai tregoi se në gjaknxehtësi e sipër kishte shkuar në shtëpi, ku mbante të fshehur një armë zjarri të tipit pushkë (megjithëse pa tytë), e kishte vendosur në një thes të bardhë dhe ishte nisur drejt lagjes së viktimës, të cilin e ndoqi nga pas dhe e qëlloi.
Sterio ka treguar se para se ta qëllonte, kur ishte në lagjen e tij, Joani e kishte sharë sërish. Autori i krimit ka dëshmuar se ka pasur si qëllim që ta qëllonte nga këmbët viktimën, pa e ditur se do e linte të vdekur dhe as nuk e ktheu më kokën pas. Ai e vrau në katin e tretë të një pallati, duke e qëlluar me një plumb të vetëm. Ishin banorët e pallatit ata që të habitur nga krisma, dolën dhe gjetën Zukon të shtrirë në derën e një apartamenti.
Për gjashtë orë, policia dhe forcat RENEA u vunë në ndjekje të autorit që më pas u arrestua. Sterjo e kishte fshehur armën në një shkurre te Fusha e Druve, u kthye në shtëpi, vendosi rrobat në lavatriçe dhe u largua drejt një godine të pabanuar. Gjatë kësaj kohe kishte çaktivizuar edhe rrjetet sociale për të humbur gjurmët.
Kristjan Sterjo rezulton të jetë një emër problematik, i arrestuar dhe më parë për plagosje me thikë.
Lajm në përditësim...
-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë.










Komente
Komento