Pak ditë më parë, Report Tv përmes një investigimi, zbuloi se tullumbacet me oksid azoti, lëndë që me ligj përdoret vetëm në spitale për qëllime mjekësore, tregtohen hapur në lokalet e natës, në zonat më të frekuentuara të Tiranës. Ajo shërbehet si çdo produkt tjetër, me informacionin përkatës nga kamarieri dhe me faturë. Një prej tyre kushton nga 300 deri në 500 lekë të reja, në varësi të standardit dhe zonës.

Por si përfundon në lokalet e natës kjo substancë e dëmshme, që shkakton eufori, humbje të vetëdijes, halucinacione, deri në humbje të jetës nëse përdoret në sasi të mëdha. Report Tv bëri një vëzhgim në rrjetet sociale, ku zbuloi se bombolat me oksid azoti shiten lehtësisht online.

Po në këtë faqe online publikohen edhe video të personazheve të famshëm shqiptarë që i konsumojnë tullumbacet me oksid azoti.

Gazetari i Report tv u paraqit si një klient potencial i të këtyre bombolave, duke komunikuar me poseduesin e faqes online në Instagram, për të zbuluar më shumë rreth tyre.

Biseda e gazetarit me tregtarin e bombolave me oksid azoti online

Gazetari: Përshëndetje si jeni?! Këto bombolat që keni a janë për tullumbace, për qejf?

Tregtari: Po vlla ato janë

Gazetari: Që të bëjnë high (gjendje euforike)? Sa lekë bëjnë?

Tregtari: Kemi bombula smartwhip kushton 90 mijë lekë të vjetra (9000 lekë të reja), është 640 gr, shkon 45-50 mbushje. Kemi edhe exotic whip që është 2 kg kushton 130 mijë lekë të vjetra (13000 lekë të reja) shkon 70-80 mbushje.

Gazetari: Çfarë kanë brenda këto vëlla dhe a janë të dëmshme?

Faqja online: Me azot janë vëlla

Gazetari: Oksid azoti?

Faqja online: Po

Biseda vijon më tej dhe gazetari interesohet për mënyrën se si mund të sigurohen këto bombula, me pretekstin për ta tregtuar në lokalin e tij.

Gazetari: Po mendoj të hap një lokal dhe të fus nga këto, mos na vjen ndonjë kontroll në lokal, a janë të lejueshme?

Faqja online: Të gjithë lokalet i kanë. Për momentin unë i fus në doganë, i kam faturë tvsh, se ç’a do ndodhi më mbrapa, s’e di

Gazetari: Me pagujt tvsh normale apo nën dorë?

Faqja online: O vllai paguhet tvsh në doganë, siç vjen produkti nga jashtë, e merr me faturë.

Kjo substancë e re që po përdorin të rinjtë në Shqipëri, i ka gjetur të papërgatitura autoritetet, përfshirë dhe mangësitë ligjore për ta ndaluar atë. Policia është në hapat e para kundër fenomenit. Një arrestim u bë këtë të premte.