TIRANE-Një ditë më parë ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj paralajmëroi nisjen e një aksioni për pastrimin e lumenjve të vendit duke nisur nga Erzeni. Report Tv bëri sot një vëzhgim në rrjedhën e lumit të Tiranës në urën që lidh kryeqytetin me Qafë Kasharin dhe Rinasin për të treguar gjendjen ku mbetjet i kanë 'marrë frymën' lumit, ashtu si shumë të tillë në të gjithë vendin.

Gazetari i Report Tv Arsen Rusta solli realitetin e dhimbshëm nga katastrofa urbane e ndotjes së mjedisit. Në pjesën e lumit gjenden qese plasmasi, pjesë makinash, perde, rroba, por edhe shumë mbetje të tjera plastike të cilat u janë ngjitur pemëve duke dëmtuar dhe tharë trungjet.

Mbetjet, të cilat njerëzit nuk i hedhin në kosh, por në rrugë dhe lumë në zona të caktuara kanë arritur jo vetëm deri te trungjet, por në 'kate' deri te gjethet e pemëve. Panorama që solli Report Tv është mjaft e trishtë dhe një kambanë alarmi, pasi natyra ka 'ngritur' flamurin e bardhë duke u dorëzuar përballë asaj që i ka bërë njeriu.

Por çfarë parashikon Kodi Penal për ndotjen? "Ndotja e ujërave të deteve, lumenjve, liqeneve apo burimeve të rrjetit grumbullues e shpërndarës të ujërave me lëndë toksike, radioaktive apo substanca të tjera, që prishin ekuilibrin ekologjik, dënohet me burgim nga një gjer në pesë vjet.

Po kjo vepër, kur ka shkaktuar pasoja të rënda për jetën e shëndetin e njerëzve, dënohet me burgim nga pesë gjer në dhjetë vjet' thuhet në Kod, por parashikimet janë vetëm në letër, pasi në realitet është ndryshe nuk ka asnjë të ndëshkuar për 'bombën ekologjike' që dora e njeriut ka shkaktuar në kryeqytet, pak metra larg zyrave të atyre që nuk duhet të kishin lejuar që krimet mjedisore të agravonin deri këtu. Puna për 220 inspektorët e IKMT-së është e madhe.