TIRANE- Koalicioni i vëzhguesve vendorë kërkon një tjetër takim të dy lidervë më të mëdhenj politikë në vend Ramës dhe Berishës për të zhbllokuar procesin e reformave në vend dhe vecanërisht atë të reformës zgjedhore. Përmes një letre publike drejtuar Ramës dhe Berishës Koalicioni i vëzhguesve vendorë shqiptare shpreh shqetesimet lidhur me ecurinë e reformës zgjedhore në vend, por dhe propozimet konkrete të këtij koalicioni për përmirësimin e reformës zgjedhore.
“Për t’i dhënë rrugë zhbllokimit të procesit dhe në mënyrë që të ecet me shpejtësi në të gjitha aspektet e mbetura të reformës, Koalicioni Ju kërkon publikisht të nderuar z. Berisha dhe Z. Rama që të takoheni për të diskutuar dhe zgjidhur politikisht të gjitha ngërçet e mbetura të reformës, si mënyra më e ndershme dhe e drejtëpërdrejtë për t’i dhënë fund asaj dhe nxitur besimin e qytetarëve në këtë proces.
Është përgjegjësi e Juaja politike si përfaqësues i dy partive më të mëdha, por edhe personale, për t’i dhënë dinjitetin e nëpërkëmbur këtij vendi në rrugëtimin e tij, fatkeqësisht aspak të paqtë, drejt familjes europiane” është ftesa publike për një tjetër takim të mundshëm mes Ramës dhe Berishës që vjen nga ky koalicion.

Koalicioni i vëshguesve vendorë e cilëson plotësisht të mjaftueshëm afatin deri në 12 korrik për rimandantimin e Komisionit të posacëm të Reformës Zgjedhore.
“Ky afat i ri i punës së Komisionit, në vlerësimin e Koalicionit, është mëse i mjaftueshëm për trajtimin e plotë të të gjitha aspekteve të reformës, për më tepër që në prononcimet publike të anëtarëve të Komisionit është theksuar se ka shumë pak elementë ende të pambyllur nga puna 6-mujore e këtij Komisioni” thuhet në deklaratën e vëzhguesve. Sipas tyre puna për përmbylljen e reformës zgjedhore nuk është më çështje ekspertësh që kërkon zgjidhje teknike, por është një ngërç vizionesh e strategjish partiake që kërkon vullnet dhe zgjidhje politike, pa të cilin ecuria e mëtejshme e reformës do të bëhet e pamundur, sikurse u faktua me ndërprerjen e punës së Komisionit të Reformës që ditën e parë të mbledhjes së tij, më datën 22 qershor. Por koalicioni shprehet i shqetësuar lidhur me angazhimin politik të dy partive më të mëdha vë vend.
“E konsiderojmë demagogji qëndrimin e PD vetëm për të pranuar dhe diskutuar propozimet që vijnë nga PS, dhe si një viktimizëm i tepruar politik qëndrimin e PS-së se është e pafuqishme brenda Komisonit për të dhënë kontributin e vet, në vend që të ishte një predispozicion dhe angazhim total, i sinqertë për të kontribuar dhe bashkëpunuar ngushtë larg interesave të ngushta partiake, por të bashkuar rreth vizionit parimor të së ardhmes europiane të vendit dhe qytetarëve shqiptarë” thuhet më tej në deklaratën e tyre.
Vendorët thonë se nuk duhet humbur më kohë dhe është e pajustifikuar nga politika humbja e 5 muajve kohë të cmuar pas mosmarrëveshjeve për përdorimin e teknologjisë në zgjedhje.
Koalicioni i vëzhguesve vendorë këshillon që në ditët e mbetura të trajtohen probleme më të rëndësushme sic janë identifikimi elektronik i votuesve, i cili si proces, në ndryshim nga numërimi elektronik, nuk duhet parë si zëvendësues i punës së komisionerëve, por si proces paralel i procedurës aktuale, si një garanci më shumë dhe mundësi kontrolli për shmangien e abuzimit nga komisionerët e qendrave të votimit, votimin më shumë se një herë, apo edhe mundësinë për votimin e emigrantëve, etj. (ns/shqiptarja.com)