LONDËR - Arsenali është jashtë nga turneu i FA Cup që në fazën e 1/32. Për këtë u kujdes Manchester United që eliminoi ekipin e Artetas në "Emirates" pas 120 minutave lojë, dy golave dhe penalltive. Me sfidën që edhe me shtesë nuk prodhoi një fitues, djemtë e Amorim u treguan më të saktë nga pika e bardhë e penalltive.
Pjesa e parë në Londër u mbyll pa gola, me fraksionin e dytë që nisi me golin e Bruno Fernandes për miqtë. Pas epërsisë Manchester United e pa veten me një lojtar më pak pasi Dalot doli jashtë me karton të kuq.
Arsenali përfitoi dhe gjeti golin e barazimit me Gabriel, ndërsa koha e rregull u mbyll 1-1. Edhe pse 30 minutat e shtesës prodhuan raste, askush nga ekipet nuk shënoi dhe ndeshja iu drejtua penalltive.