Cristiano Ronaldo vazhdon të mos ndalet në garën e tij personale për rekorde, teksa të hënën shënoi golin e radhës në Ligën Profesionale Saudite. Megjithatë, goli i portugezit nuk mjaftoi për Al Nassr, që u mund 3-1 në derbin e javës së 14-të kundër Al Hilal.
Ylli 39-vjeçar zhbllokoi rezultatin në minutën e 42-të, pas një aksioni të ndërtuar mirë nga verdheblutë dhe asistimit të Kingsley Coman, duke i dhënë Al Nassr avantazhin në fund të pjesës së parë.
Por në fraksionin e dytë loja mori tjetër ritëm. Al Hilal përmbysi gjithçka me golat e shënuar nga Salem Al Dawsari (11 m), Malcom dhe Ruben Neves (11m), duke konfirmuar statusin e kampionit në fuqi. Me këtë sukses, Al Hilal ngjitet në kuotën e 38 pikëve dhe forcon kryesimin, ndërsa Al Nassr mbetet i dyti me 31 pikë.
Goli i shënuar e çon Ronaldon në kuotën e 959 realizimeve në karrierën profesionale, duke mbetur vetëm 41 gola larg kuotës së 1000 golave. Nga ky total, 817 gola janë realizuar në nivel klubesh dhe 142 me fanellën e kombëtares së Portugalisë.
Komente





