TIRANË- Një pamje emocionuese ka ardhur sot nga spitali COVID-2 në Tiranë. Mjekë dhe pacientë kanë harruar për disa minuta COVID-in dhe kanë dalë në ballkone duke shijuar muzikën popullore. Ansambli i Këngëve dhe Valleve popullore mbajti një koncert për ta, në shenjë falenderimi për bluzat e bardha, heronjtë e ditëve të sotme, por edhe për pacientët për t'i dhënë pak shpresë në betejën e tyre të vështirë me virusin. 

Këngëtarët kanë performuar në oborrin e këtij spitali dhe muzikës së tyre nuk i kanë rezistuar as pacientët të cilët, me ndihmën e mjekëve kanë dalë në ballkone për të shijuar tingujt e këngëve popullore. Për mjeken, një koncert i tillë theu akullin e pandemisë.

"Na bënë të thyejmë akullin e pandemisë dhe të shohim me kurajo drejt jetëve të shpëtuara, uroj që kjo muzikë të ketë depërtuar thellë në shpirtrat e të gjithë njerëzve veçanërisht të pacientëve dhe të shtojë kurajon për ta përballuar këtë situatë", tha mjekja, e cila i dhuroi dhe një buqetë me lule këngëtarëve.

"Faleminderit jeni heronjtë tanë, respekt", iu përgjigj këngëtari mjekes.

Ky koncert ofron një pamje krejt tjetër të spitali COVID-2, në një kohë që nga ky i fundit janë raportuar muajve të fundit lajme tragjike të pacientëve që kanë zgjedhur t'i japin fund jetës duke u hedhur nga ballkonet. 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 11:42
Pamje emocionuese nga 'Shefqet Ndroqi'/ Pacienti me COVID s'i reziston muzikës popullore, del në ballkon dhe kërcen (VIDEO)

Pacientët janë zgjuar sot nën tingujt e muzikës popullore të Shqipërisë së Mesme. Këtyre tingujve nuk i kanë rezistuar as pacientët, të cilët kanë zgjedhur që të dalin në këto ballkone dhe t'i përshëndesin me dorë.