Bundesliga gjermane e futbollit nisi këtë të premte me javën e 12-të. Në "Rhein Stadium" Kolni vendas humbi 0-1 me Bayern Munich. Duhej Harry Kane që në minutën e 20-të të shënonte golin e 18-të këtë sezon dhe të bëhej lojtari anglez që ka shënuar më shumë gola në Bundesligë, kjo pas vetëm 12 javëve.
Një kundërsulm i shpejtë bëri që ish-kapiteni i Tottenham të mos e kishte të vështirë dhe ta ndalte sferën në rrjetë, për pikët që i çojnë bavarezët përkohësisht në krye të klasifikimit.
Ndërkohë nuk ka asnjë lojtar tjetër në pesë ligat më të forta në Evropë që të ketë shënuar 22 gola në të gjitha kompeticionet, sa Kane në këtë sezon. Me 32 pikë bavarezët marrin vendin e parë, një pikë më shumë se Leverkusen që ka një ndeshje më pak. Ndërkohë Koln me gjashtë pikë mban vendin e fundit.