Jamal Musiala ka reaguar pas dy episodeve shqetësuese të ndodhura në ndeshjet e fundit të Bayern Munich, duke zbuluar se çfarë fshihet pas rrëzimeve të tij të papritura në fushë.
23-vjeçari u rrëzua për herë të dytë brenda pak ditësh gjatë fitores 4-2 të Bayernit ndaj Heidenheimit. Musiala hyri në lojë në minutën e 61-të, por vetëm gjashtë minuta më vonë u shtri në fushë dhe kërkoi ndihmë mjekësore.
Futbollistët e të dyja skuadrave krijuan menjëherë një rreth, ndërsa stafi mjekësor ndërhyri për t’i dhënë ndihmën e nevojshme. Pas trajtimit, Musiala u ngrit dhe u largua drejt dhomave të zhveshjes mes duartrokitjeve të tifozëve.
Incidenti i fundit erdhi vetëm pak ditë pas një episodi të ngjashëm në ndeshjen ndaj RB Leipzigut, ku futbollisti gjerman gjithashtu u rrëzua në fushë dhe humbi ndjenjat.
Pas shqetësimit të krijuar, Musiala reagoi përmes Instagramit dhe u përpoq t’i qetësonte tifozët, duke shpjeguar se po merr trajtimin e nevojshëm mjekësor.
“Para së gjithash jam mirë. Jam veçanërisht mirënjohës për të gjitha mesazhet dhe mbështetjen tuaj. E kuptoj se shumë prej jush janë të shqetësuar. Sot dua t’ju qetësoj dhe t’ju shpjegoj pak më shumë”, shkroi Musiala.
Futbollisti i Bayern Munich bëri të ditur se është diagnostikuar me episode të shkurtra dhe të përkohshme të humbjes së vetëdijes, të shkaktuara nga një mosfunksionim neurologjik.
“Jam diagnostikuar me episode të shkurtra, të përkohshme, por lehtësisht të trajtueshme të mungesës së vetëdijes, të shkaktuara nga një mosfunksionim neurologjik. Këto mund të shkaktojnë episodet që kanë ndodhur së fundmi, si ndaj Leipzigut dhe tani në Heidenheim”, sqaroi ai.
Musiala theksoi se është nën kujdesin e specialistëve dhe se është optimist për gjendjen e tij.
“E di se në shikim të parë mund të duken të frikshme, por për mua, aktualisht, ato janë pjesë e përditshmërisë. Po marr trajtimin më të mirë të mundshëm mjekësor për këtë dhe jam shumë optimist”, deklaroi 23-vjeçari.
Ai shtoi se Bayerni dhe njerëzit e tij më të afërt po e mbështesin gjatë këtij procesi.
“E rëndësishmja është se nuk ka ndonjë rrezik tjetër për shëndetin. Në konsultim të ngushtë dhe komunikim të rregullt me specialistët, ishte dëshira ime personale ta përballoj këtë sfidë dhe me miratimin e specialistëve neurologjikë, të vazhdoj të fokusohem në atë që më ndihmon më shumë në rikuperimin tim, thjesht të jetoj jetën time të përditshme dhe të vazhdoj të ndjek pasionin tim për të luajtur futboll”, vijoi ai.
Musiala u shpreh se ndihet mirë dhe beson se është në rrugën e duhur për rikuperim.
“Shpresoj që kjo t’ju ndihmojë të më kuptoni pak më mirë. Në të njëjtën kohë, kërkoj mirëkuptimin tuaj që këtë çështje dua ta mbaj brenda rrethit tim më të afërt të njerëzve të besuar, klubit dhe specialistëve”, përfundoi ylli i Bayernit.
Tashmë vëmendja do të jetë te gjendja e Musialës dhe rikthimi i tij në fushë, ndërsa deklaratat e tij kanë synuar të largojnë frikën e krijuar pas dy episodeve të njëpasnjëshme.






Komente
Komento