Sulmuesi nga Kosova, Besart Berisha, nuk di të ndalet në fushën e blertë. Ai e ka nisur me gol 2017 në kampionatin australian të futbollit. 

Në ndeshjen e luajtuar këtë të hënë, ai ka gjetur rrugën e rrjetës, por goli ka dyfish vlerë pasi e çon Berishën në librin e rekordeve.  

Me 91 gola të realizuar gjithsej në karrierën e tij në Ligën A të Australisë, ish-sulmuesi kuqezi është shndërruar në golashënuesin më të mirë të të gjitha kohërave në kampionatin e kontinentit të largët.

Berisha shënoi golin e parë të ndeshjes në fitoren 4-2 në shtëpi të Melburn Viktorit ndaj Njukasëll Xhetsit. Ai ekzekutoi në mënyrë të saktë një penallti në minutën e 30.

Kjo ndeshje ishte e vlefshme për javën e 13 të Ligës A dhe Melburn Viktori mban vendin e 2-të në renditje me 26 pikë, 7 pikë pas kryesuesve të Sidnejit, por me një ndeshje më pak të zhvilluar.