E diela e 12 prillit ka qenë e veçantë për Vedat Muriqin, sulmuesin shqiptar të Mallorcas në La Ligan spanjolle të futbollit. Në fitoren 3-0 të ekipit të tij kundër Rayo Vallecanos, 'Pirati' ia doli të shënonte dy gola në minutat 36-të dhe 40-të, duke u bërë golashënuesi më i mirë në historinë e Mallorcas në La Liga me 55 gola. Muriqi lë pas një legjendë si Samuel Eto'o, me kamerunasin që në vitet 2000-2004 ia doli të shënonte 54 gola në kampionat. Në sezonin e katërt me Mallorcan, Muriqi ka shënuar 21 gola dhe më mirë se ai këtë vit ka bërë vetëm Kylian Mbappe me 23 gola për Real Madridin.

Pas ndeshjes, Muriqi shprehu emocionet dhe mirënjohjen për klubin dhe tifozët. Ai theksoi se Mallorca është bërë si shtëpia e tij dhe se gjithmonë ka ëndërruar të lërë gjurmë në histori.

“Që kur kam mbërritur këtu, në këtë ishull të bukur, e kam ndjerë sikur është shtëpia ime. Ndonjëherë, kur fillon nga dita e parë dhe vëren diçka të ndryshme, thjesht e ndjen. Dashuria ime me Mallorcën ka qenë e mrekullueshme. Kur qëndrova, e dija se doja të bëhesha legjendë këtu. Faleminderit të gjithëve që më ndihmuat të përmbush një nga ëndrrat e mia, të tejkaloj Samuelin, të tejkaloj veten time. Me shtatë ndeshje të mbetura, dua të shkoj sa më larg që të mundem”, deklaroi ai.

I pyetur me humor për thirrjet e tifozëve që t'i jepnin 'Topin e Artë', Muriqi reagoi me modesti; ai u shpreh se është i fokusuar vetëm që të japë maksimumin në fushë dhe të shohë deri ku mund të arrijë me performancat e tij.

“Çfarë Topi të Artë? Po përpiqem të jap më të mirën time dhe do të shohim nëse do të dalë diçka e mirë prej saj”, përfundoi ai.

Fitorja ndaj Rayo Vallecanos ishte gjithashtu jetike për skuadrën, duke e nxjerrë atë nga zona e rënies nga kategoria dhe duke rritur shpresat për mbijetesë.

Pas ndeshjes, Muriqi i çoi vetë këpucët e këtij dueli me autograf në muzeun e klubit, teksa tanimë është një legjendë e gjallë e Mallorcas së futbollit.

S.Dh/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës: 12 Prill, 11:12

    Dështojnë negociatat SHBA-Iran, e kujt mendoni se është përgjegjësia?