Një episod i pazakontë ka ndodhur të shtunën në Uruguai, gjatë ndeshjes së kategorisë së dytë mes Uruguai Montevideo dhe Paysandu.
Një goditje e fuqishme e dërgoi topin jashtë rrethimit të stadiumit 'Parque ANCAP', duke e nxjerrë atë në rrugën pranë impiantit. Topi përfundoi në mes të rrugës me trafik dhe shkaktoi një situatë të rrezikshme për drejtuesit e automjeteve.
Një prej makinave që po lëvizte në rrugë frenoi papritur për të shmangur topin. Automjeti që ndodhej pas nuk pati kohë të ndalej dhe u përplas me pjesën e pasme të makinës. Momenti i pazakontë u kap edhe nga kamerat e transmetimit televiziv të ndeshjes dhe pamjet u përhapën me shpejtësi në rrjetet sociale.
Për fat të mirë nuk raportohet për pasoja të rënda nga aksidenti, ndërsa incidenti nuk ndikoi në zhvillimin e takimit.
Në fushë, Uruguai Montevideo mori fitoren me rezultatin 1-0 ndaj Paysandu. Por këtë herë, një prej momenteve më të komentuara të ndeshjes ndodhi jashtë stadiumit, ku një top futbolli u bë shkak për një aksident rrugor. Një gol në fushë dhe një 'asist' i padëshiruar në rrugë.






Komente
Komento