Marcelo Bielsa (70-vjeç) nuk do të jetë më trajner i Uruguait. Tekniku argjentinas i dha fund aventurës së tij në stolin e "La Celeste" pas eliminimit zhgënjyes në fazën e grupeve të Kupës së Botës 2026.
I njohur për analizat e gjata dhe filozofinë e tij të veçantë të futbollit, Bielsa zhvilloi një konferencë për shtyp që zgjati rreth 100 minuta, ku bëri një bilanc të punës së tij dhe shpjegoi arsyet që çuan në largimin nga drejtimi i kombëtares uruguaiane.
“Është një lamtumirë shumë e dhimbshme. Kisha shpresa të mëdha kur mora përsipër këtë projekt dhe më vjen keq për mënyrën se si përfundoi. Kam përfshirë shumë njerëz në këtë punë, veçanërisht lojtarët, të cilët kanë treguar një kapacitet të jashtëzakonshëm në fushë”, deklaroi tekniku argjentinas.
Bielsa la të kuptohej gjithashtu se idetë dhe vizioni i tij nuk u përthithën plotësisht brenda ekipit dhe strukturave të futbollit uruguaian.
“Nuk jam i sigurt se dikush ka qenë realisht i interesuar për atë që unë di”, u shpreh ai, duke lënë të kuptohet se nuk gjeti mbështetjen e nevojshme për të zbatuar projektin e tij.
Uruguai e mbylli Botërorin me vetëm dy pikë në grup, një rezultat larg pritshmërive për një përfaqësuese me histori dhe objektiva të mëdha. Me largimin e Bielsës, Federata Uruguaiane e Futbollit pritet të nisë kërkimet për pasuesin e tij, ndërsa periudha e teknikut argjentinas pritet të mbetet një nga më të debatueshmet në tre vitet e fundit.
Për të lexuar lajme të tjera nga Botërori KLIKONI KËTU.
Për të parë rezultatet e ndeshjeve të Botërorit KLIKONI KËTU.
Komente






