Në videon në fjalë, e cila është marrë nga një prej kamerave të sigurisë, shihet deputeti demokrat, në amibentet e jashtme të sallës së Kuvendit, duke folur në telefon, dhe ku fillimisht është socialisti Ndoka i cili i afrohet. Siç shihet nga pamjet, pas vetëm dy sekonda bisedë mes tyre, Ndoka e godet me grushte dy herë në fytyrë Strazimirin. Është dashur ndërhyrja e deputetëve të tjerë si dhe rojeve të sigurisë, të cilët kanë ndërprerë konfliktin përkohësisht. Kjo pasi menjëherë, nga pas Strazimirit, vjen deputeti tjetër socialist, Ndreu i cili, pavarësisht deklaratave të bëra në lidhjen telefonike për A1 Report se nuk e ka goditur, shihet teksa qëllon me pëllëmbë Strazimirin.
Megjithatë për Partinë Demokratike, kjo është një dhunë e inskenuar nga ana e Kryeministrit Edi Rama. Deputeti i PD, Eduard Selami, në një konferencë për shtyp, paraqiti një video tjetër, ku sipas PD, tregohet qartë se Rama nxit deputetët të sulmojnë Strazimirin.
Jo vetëm kaq por Selami thekson se Rama fillimisht ka nxitur përmes sms-ve deputeten Olta Xhaçka të reagojë në Kuvend ndaj Strazimirit, lidhur me deklaratat e këtij të fundit se në radhët e deputetëve të mazhorancës ka persona të inkriminuar. Më pas Selami, shprehet se pamjet tregojnë që Ndoka e Ndreu, të ndodhur krah Xhaçkës, nxiten të konfliktohen dhe të godasin deputetin demokrat Gent Strazimiri.
Ja video e sherrit, Ndoka grushte Strazimirit, Ndreu me pëllëmbë
A1 Report publikon video e dhunës në parlament që përfshiu deputetët e mazhorancës Arben Ndoka dhe Pjerin Ndreu ndaj deputetit demokrat Gent Strazimiri. Në pamjet e regjistruara nga një prej kamerave të sigurisë të Kuvendit të Shqipërisë, shihen qartë deputeti socialist Ndoka dhe Ndreu të cilët godasin demokratin Gent Strazimiri.
Në pamje shfaqet deputeti Strazimiri, i cili ndodhet në dalje të sallës së parlamentit duke folur në telefon, dhe ku fillimisht i afrohet deputeti socialist Ndoka, i cili pasi e tërheq nga xhaketa e godet dy herë me grushte në fytyrë.
(Në foto: Deputeti i PS Arben Ndoka godet me grushta deputetin e PD Gent Strazimiri)
(Në foto: Deputeti i PS Pjerin Ndreu godet deputetin e PD Gent Strazimiri)
Menjëherë deputetët e pranishëm në hollin e Kuvendit kanë ndërhyrë duke bërë të mundur ndaljen e konfliktit. Megjithatë, në momentin kur Strazimiri dhe deputetët e tjerë po kërkojnë të ndalin konfliktin, nga shkallët ka zbritur deputeti Pjerin Ndreu, i cili pavarësisht se në një bisedë telefonike për A1 Report mohoi të ketë qëlluar deputetin demokrat, pamjet filmike e tregojnë socialistin duke tentuar të godasë kolegun demokrat nga mbrapa në kokë.
Por ka qenë ndërhyrja e deputetit tjetër demokrat, Genc Pollo, i cili ka ndaluar Ndreun të godasë Strazimirin. Siç duket kjo është edhe prova më e fortë nga ana e Prokurorisë së Përgjithshme që, krahas dëshmive, provon përfshirjen e deputetëve Arben Ndoka dhe Pjerin Ndreu në përplasjen me deputetin demokrat Gent Strazimiri. Ja akuzat e ngritura nga ana e Prokurorisë ndaj Ndokës, Ndreut e Veliut
PD: Rama porositësi i dhunës, ja provat me pamje filmike
Partia Demokratike ka reaguar ditën e sotme për publikimin e videos së dhunës në Kuvend të deputetëve të mazhorancës Arben Ndoka dhe Pjerin ndaj kolegut demokrat Gent Strazimiri.
Në një dalje për shtyp, deputeti i PD, Eduard Selami, akuzoi se nga pamjet filmike, shihet qartë se ky është një skenar i kryeministrit Edi Rama, sipas tij për të goditur opozitën.
Sipas Selamit, nga pamjet duket qartë se Rama ka nxitur fillimisht deputeten Olta Xhaçka lidhur me akuzat e PD për persona të inkriminuar në Kuvend. Selami thekson se Rama i ka bërë sms Xhaçkës duke e nxitur atë të reagojë, dhe kjo është e verifikueshme lehtësisht sipas tij nga pamjet filmike të seancës.
“Jam këtu sepse ky është një moment i rëndësishëm, jo vetëm për analizën dhe reflektimin që bën secili qytetar me veten e tij, por edhe për punën e prokurorisë dhe monitorimin e partnerëve tanë. Edhe më shqetësuese bëhet situata kur sic shihet në video dy deputetët dhunues janë zbatues të porosisë së Edi Ramës. Goditja ndaj Strazimirit është një skenar i mirëmenduar dhe i mirëpërgaditur, në gjakftohtësi prej Kryeministrit të vendit. Pas denoncimit të deputetit demokrat, se brenda mazhorancës ka pjestarë të lidhur me krimin, me precedent të fortë penalë, Edi Rama nxit fillimisht Olta Xhackën. Me një procedurë të pahasur në përvojën e parlamentit, e urdhëruar nga Rama me sms dhe gjeste, të fiksuara këto në kamerat që mbulojnë aktivitetin e parlamentit, deputetja i kërkon emra, z.Strazimiri.” tha Selami
Pas kësaj, Selami thekson se Rama ka nxitur edhe Ndokën e Ndreun, të cilët qëndronin në krah të deputetes Xhaçka, për të goditur Strazimirin.
“Pas kësaj, dy deputetët që ndodhen në krah të zonjës Xhaçka hidhen në veprim. Të porositur nga Kryetari, i zënë pritë në koridor, ku e godasin z.Strazimiri. Ky është objekt i punës së organeve të drejtesisë por ne kemi të gjithë dyshimet që dy deputetët janë përzgjedhur nga zoti Edi Rama, për të zbatuar porositë e tij.” tha Selami
Sipas PD, nisur nga këto prova, i kërkohet organeve të drejtësisë që nën akuzë të vihet edhe kryeministri Edi Rama si porositësi i dhunës në Kuvend. Selami nënvizoi se ky skenar i Ramës, bëhet për t’i mbyllur gojën opozitës.
“Bazuar në legjislacionin shqiptar Partia Demokratike i kërkon organeve të drejtesisë, të përfshijë në hetim edhe porositësin e akteve të tilla, i cili është përgjegjësi kryesor dhe më i dënueshmi, Kryeministrin e vendit, zotin Edi Rama. Pas kësaj ngjarjeve të rëndë për parlamentarizmin dhe demokracinë në vend, me këtë përpjekje për ti mbyllur gojën opozitës, Edi Rama doli publikisht dhe barazoi denoncimin e z.Strazimiri me dhunën e rëndë fizike të deputetëve të tij. Ky ishte i vetmi reagim i Kryeministrit, i cili me këtë deklaratë, bekoi goditjen fizike në parlament, tha; mirë ia bënë. Ashtu si mbarë opinioni i shëndoshë publik, Partia Demokratike inkurajon drejtësinë ti shkojë deri në fund këtij incidenti të rëndë për të zbuluar të vërtetën. Ky është interesi dhe përgjegjësia jonë e perbashket sepse dhuna fizike nuk ka vend në një shoqëri të lirë dhe demokratike.” u shpreh deputeti demokrat.