VIDEO EKSKLUZIVE/ Trafikantët prenë pyllin për të kultivuar kanabis në bregdet, pamje të parcelave me bimë narkotike në Kepin e Rodonit! U zbuluan nga dronët e policisë
Report Tv ka siguruar videon eksklusive ku ishte kultivuar kanabisi në zonën e plazhit në Kepin e Rodonit, pas operacionit të zhvilluar nga policia ku u zbuluan katër parcela të mbjella me kanabis
Arsen Rusta 4 Qershor 2021, 09:35 | Përditesimi: 4 Qershor 2021, 17:21
Report Tv ka siguruar videon ekskluzive ku ishte kultivuar kanabisi në zonën e plazhit në Kepin e Rodonit, pas operacionit të zhvilluar nga policia ku u zbuluan katër parcela të mbjella me kanabis.
Trafikantët prenë pyllin duke hapur tokë për të kultivuar kanabis në bregdet. Droni i policisë zbuloi parcelat të cilat u asgjesuan në datë 1 e 2 qershor.
Video ekskluzive tregon parcelat dhe vaskat e ujit të cilat shërbenin për ujitjen e kanabisit. Operacioni anti-kanabis vazhdon prej 10 ditësh në vendin tonë. Patrullimet u kryen nga ajri me dronat e policisë dhe avionin e GDF dhe për herë të parë e helikopter me forcat e GDF e policisë shqiptare.
Pas kultivimit në male dhe bodrume tani kanabisi po kultivohet edhe ne bregdet. Sipas eksperteve ky kanabisi në bregdet është i shtrenjtë pasi fiton fortësinë e jodit të detit.
Dy ditë më parë 4 parcela të mbjella me fidanë kanabisi u gjetën në zonën e Kepit të Rodonit gjatë kontrolleve në vijën bregdetare. Nga operacioni anti-kanabis janë asgjësuar rreth 300 fidanë gjithsej të mbjellë në zonën e pyllit, larg qendrës së banuar.
Operacioni ka qenë enkas i organizuar nga Drejtoria e Policisë Kufitare dhe Emigracionit në Durrës në hapësirën nga Derdhja e lumit Erzen deri në Kepin e Rodonit.
Nga ky operacion nuk ka persona të ndaluar apo të arrestuar deri më tani. Operacioni u organizua në bazë të informacioneve të siguruara në rrugë operative nga policia kufitare e Durrësit.