KAVAJË - A1Report siguron një video ekskluzive ku dëshmohet dhuna e policisë ndaj disa të rinjve. Ngjarja i përket korrikut të vitit 2013, disa ditë pas zgjedhjeve të qershorit, dhe shfaq pikërisht momente kur policët qëllojnë dy të rinj me shuplakë dhe grusht në kokë, pasi i kishin bllokuar makinën për mbajtjen e një tabele policie. Ndërsa opozita akuzon mazhorancën për dhunë policore, për ngjarjen në fjalë kur ministër ishte ende Flamur Noka, nuk ka pasur asnjë ndëshkim.

Pamjet e regjistruara gjatë vitit 2013, e lënë jashtë vëmendjes mediatike, sillet ekskluzivisht nga A1Report, e ku dëshmi e saj bëhet dhuna e efektivëve të policisë ndaj disa të rinjve në zonën e plazhit tek Mali i Robit në Kavajë. 

Një fuoristradë e zezë që shihet në video është ndaluar nga blutë e Kavajës pasi mbante në kroskotin e makinës një tabelë policie. Thirrja për ndalimin e automjetit është bërë nga efektivë të cilët nuk janë të veshur me uniformë. Ndërsa menjëherë në vendngjarje, pas sinjalizimit nga ana e tyre vjen furgoni i policisë. 

Sapo zbret nga furgoni, polici godet një nga të rinjtë e ndaluar. 

I riu, i paarmatosur dhe i rrethuar nga efektivët qëllohet në mënyrë të papritur, edhe pse sjellja e tij nuk përbënte asnjë rrezik. 

Nga video ekskluzive që siguron A1 Report, dhuna policore ndaj qytetarit jo vetëm që shihet qartë kur efektivi qëllon me shuplakë të riun, por goditja ka qenë e fortë përderisa në pamjet e filmuara nga një largësi prej rreth 30 metra dëgjohet edhe zhurma e shuplakës, e cila nuk është mbytur as nga muzika live në sfond.

Por dhuna nuk ndalet me kaq. Ndërsa të rinjtë fute në furgonin e policisë, efektivi qëllon me grusht në kokë njërin prej tyre.

Ngjarja ka ndodhur në fillim korrikun e vitit 2013 pak ditë pasi kishin përfunduar zgjedhjet që rrëzuan nga pushteti Partinë Demokratike, e cila dorëzoi qeverisjen në muajin shtator. 

Por ndërsa opozita akuzon qeverinë për shtet policor dhe dhunë ndaj qytetarëve, duket se ky fenomen nuk është i ri në mazhorancën qeverisëse. Opozita artikuloi akuza të tilla referuar disa videove amatore, të cilat shfaqën dhunën e efektivëve të policisë ndaj qytetarëve.

Redaksia Online
(Gre.M/shqiptarja.com)